Ishte kthyer nga Londra, qëllohet me dy plumba në hyrje të shtëpisë

Një person rreth 42 vjeç është gjetur i pajetë në fshatin Fllak të Durrësit. Viktima është shtetasi Agim Caka, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri nga emigrimi në Londër.

Agim Caka ishte me origjinë nga Hasi dhe njihej ndryshe me emrin Xhevair Brashi. Dyshimet e para janë se i ndjeri mund të jetë vrarë me armë zjarri. Sipas burimeve nga vendngjarja ai mund të jetë qëlluar për vdekje me dy plumba pistolete. Uniformat blu të Durrësit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Më datë 10.02.2016, rreth orës 19:30, është plagosur me armë zjarri, në hyrje të banesës së tij,pranë mbikalimit të Fllakës, shtetasi: Xh.B., 42 vjeç. Për pasojë, shtetasi i mësipërm ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin, kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.