Intervista në Top Story/ Çfarë synon Pandi Majko?

Megjithëse i zbutur në tone dhe i ekuilibruar në qëndrime, Pandeli Majko ka realizuar një operacion të vërtetë komunikimi me shfaqjen e tij të djeshme përballë Sokol Ballës.

Me mënyrën e tij të njohur, herë me pak ironi dhe herë me pyetje retorike, ish dy herë kryeministri i periudhës së krizave të socialistëve, ka dashur të hipotekojë aksionet e së ardhmes brenda PS. Atëherë kur ndoshta Rama të jetë rrëzuar dhe socialistët bashkë me të, të jenë larguar nga pushteti. Majko nuk ka tabu për këtë. Ai e përmendi edhe dje se koha e rotacionit që Basha të vijë në pushtet do të ndodhë një ditë. E nisur nga ky fakt, i bindur se me “kokëderrin” Rama, që nuk i duron dot personalitetet e PS, ai nuk ka të ardhme, Majko 47 vjeç, me sa duket po punon për të ardhmen.

Dhe nuk ka investim më të mirë për nesër sesa të distancohesh që sot nga aleanca e Ramës me Metën, madje të shkosh edhe më larg, të shfaqesh si viktimë politike e këtij bashkimi që e ke kritikuar. Nuk ka gjithashtu investim më të mirë sesa mos vësh duart në zjarr për hajdutërinë e ministrave, tenderat dhe koncesionet, duke mos marrë përgjegjësi përmes pyetjes retorike: “Mos mendoni se kam ardhur sonte për të sharë punën e ministrave?”.

Një tjetër investim për të ardhmen ëshë edhe mbështetja e Blushit për faktin se duhet të ketë garë në PS. E si mund ta mohosh atë sot kur ke ndërmend garat e nesërme? Pra, mjaftojnë këto fakte për të kuptuar se Pandeli Majko nuk doli ashtu kot të hënën në mbrëmje në Top Story. Ai kishte një strategji të kalkuluar mirë, e cila synon rivalorizimin e tij, atëhere kur Rama të ketë marë fund.