Iniciativë nga Britania; Peticion për të drejtën e votës së shtetasve shqiptarë në diasporë

Një grup profesionistësh shqiptar me banim në Londër kanë ndërmarrë iniciativën të angazhojnë diasporën shqiptare për të kërkuar të drejtën e votës nëpër vendet ku banojnë.
Një mision fisnik, një obligim qytetar për çdo mërgimtar, një proces i gjatë që fillon me një peticion, një moment kthese për diasporën shqiptare. Është koha që Republika e Shqipërisë tu sigurojë të drejtën e votës emigrantëve në vendet ku ata jetojnë.
Rudina Suti, Elson Bajrakurtaj, Lavdrim Krashi e Eduard Alia janë disa profesionistë me banim në Londër që kanë marrë iniciativë. Po cfarë kanë propozuar konkretisht dhe cila do të jetë strategjia e tyre? Nëpërmjet kësaj interviste ata sqarojnë idenë e tyre dhe kërkojnë sensibilizimin e diasporës shqiptare nëpër botë
Si ju lindi ideja për marrjen e kësaj iniciative?

E drejta e votës për diasporën është një ide e cila është diskutuar disa herë më parë nëpër forume të ndryshme. Shumë artikuj janë shkruar mbi këtë temë, shqiptarë në Itali kanë bërë protesta simbolike dhe grupime të ndryshme politike në Shqipëri janë shprehur mbi nevojën për ndryshim. Pra nuk është një ide e re.
Ajo çfarë është e re është se kësaj radhe duam që të mobilizojmë vetë diasporën që të angazhohet më shumë dhe e bashkuar mbi të drejtat e veta. Duam që tani e tutje vetë diaspora të ketë zërin e vet.

Si ide vërtet na lindi pas disa bisedash të ndezura me emocion mbi të ardhmen e Shqipërisë nëpër takimet e rrjetit UKAP (UK Albanian Professionals). Për shumë prej nesh ishte e qartë se janë pjekur kushtet e duhura për të realizuar këtë nismë. Një dorë prej nesh si qytetar të angazhuar e deri diku edhe me përvojë në lobing por edhe me peticione të ndryshme menduam që ta marrim pak më seriozisht si ide. Për këtë arsye krijuam një grup pune – Rudina Suti, Elson Bajrakurtaj, Lavdrim Krashi e Eduard Alia dhe për muaj me radhë u takuam rregullisht duke studjuar metoda të ndryshme e juridiksione që kanë implementuar të drejtën e votës për diasporën. Mbi të gjitha u konsultuam edhe me komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe e më gjerë.

Ajo që kemi propozuar ka qenë rezultat i shumë kërkimeve dhe konsultimeve me komunitetin shqiptar në diasporë. Propozimi jonë nuk është thjesht një peticion i mirëfilltë apo një notë proteste. Është një kërkesë por edhe një propozim. Ne kemi shkuar një hap më tej që tua bëjmë sa më të lehtë politik-bërësve në Shqipëri vizionin që ka vetë diaspora.

Ja vlen të thuhet që si ide ajo që propozojmë ka marrë parasysh shumë perspektiva politike. Ne jemi krenar të themi që jemi katër nismëtar me ideale politike gjithsecili të ndryshme! Në këtë bashkëpunim kemi vënë mbi të gjitha idealet profesionale e ato atdhetare se sa pikëpamjet personale politike. Natyrisht, mbi të gjitha kemi patur parasysh të ardhmen e Shqipërisë në Europë për të cilën besojmë se përvoja e shqiptarëve në Europën perëndimore si edhe në Amerikën veriore do kishte kontribuar pozitivisht.

Çfarë propozimi keni dhënë konkretisht?
Propozimi ynë është shumë i thjeshtë: të krijohet një rajon zgjedhor i 13-të për diasporën e të krijohet mundesia e votimit nga vendbanimi nëpërmjet votimit elektronik, postar apo klasik (votim në ambasadë apo konsullatë).

Për të arritur këtë qëllim, në plan të parë ne ju bëjmë thirrje jo vetëm institucioneve të Republikës së Shqipërisë por edhe gjithë klasës politike në Shqipëri që të marrin masat e duhura e te krijojnë strukturat e duhura (qoftë ligjore apo operacionale) që të garantojnë të drejtën efektive të komunitetit shqiptar në diasporë. Të jemi të qartë, bëhet fjalë për 1/3 e shtetasve shqiptar që jetojnë përtej kufijve të Shqipërisë – angazhimi i kesaj pjese vitale të popullsisë shqiptare është një nevojë jetike e një problem që na përket të gjithëve. Për këtë arsye shpresojmë që të gjejmë mbështetje të gjerë në gjithë spektrin politik në vend.

Së dyti, përveç kërkesës, ne kemi propozuar atë që mendojmë se do të ishte mënyra me efikase për arritjen e këtij qëllimi, natyrisht duke ju përmbajtur të drejtës e strukturave ekzistuese në Shqipëri. Nuk po kërkojmë ri-shpikjen e rrotullës e as nuk po kërkojmë diçka të paarritshme. Disa vende (përfshirë shtete ballkanike) kanë implementuar një sistem proporcional që u jep zë në Parlament diasporës në mënyrë proporcionale me numrin që janë të regjistruar me banim jashtë kufijve të vendit. Mbase kjo do të ishte tejet ideale dhe e paarritshme për momentin për shumë arsye operacionale. Ne mendojmë që një rajon shtesë me gjashtë deputet do të kishte qenë një zgjedhje efikase për të përfaqësuar zërin e diasporës në shtetin amë edhe pse duke marrë parasysh numrin e lartë të diasporës shqiptare.

Mendojmë që secili nga Italia e Greqia meritojnë nga një përfaqësues në Kuvend për komunitetin shqiptar në keto vende duke u bazuar tek shifrat e larta të shtetasve ,biznesmen, emigrantë e studentë që përbejnë diasporën shqiptare në këto vende. Po ta imagjinosh një deputet shqiptar me zyre në Athinë e një tjetër në Milano do të kishin qenë absolutisht të nevojshme për të ndihmuar diasporën shqiptare me problemet e veta por edhe për të krijuar ura bashkëpunimi përveç atyre ekzistuese nga institucione të tjerë si konsullatat, etj.

Pak më e ndërlikuar është çështja për sa i përket pjesës tjetër të Europës ku Mbretëria e Bashkuar së bashku me Irlandën e shtetet skandinave mund të krijojnë një grupim me një përfaqësues dhe pjesa që mbetet – Europa qendrore kontinentale një përfaqësues më vete. Po kështu Sh.B.A.-ja dhe Kanada-ja mund të përfaqësohen efektivisht me një përfaqësues. I bie që një përfaqësues i gjashtë të përfaqësojë shqiptarët në pjesën tjetër të botës – mos të harrojmë se shqiptarët janë kudo nëpër botë sot dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që interesat e atyre shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vende si Amerika jugore, Kina, Turqia, Rusia etj – të cilët janë në një farë mënyre ambasadorë të vërtetë të Shqipërisë në vende ku pak dëgjohet për të, të jenë të përfaqësuar denjësisht në Kuvend.

E rëndësishme është që (përveç ndryshimeve të duhura kushtetuese e ligjore) që të merren masa që e bëjnë realitet të drejtën e votës për diasporën. E dimë se vota elektronike mbase është e vështirë për tu implementuar në këtë kohë dhe në mungesë të saj ne propozojmë votën postare. Edhe shqiptarët e Kosovës e kanë gëzuar të drejtën e votës për diasporën por mungesat në organizim efektiv operacional kanë rezultuar pak a shumë që kjo e drejtë gati të shihet si një e drejtë e mohuar. Prandaj këtu duhet punuar me kujdes, së bashku me institucionet që në praktikë vota të jetë e lehtë dhe e mbarë. Nuk shohim ndonjë arsye pse jo!
Cili do të jetë plani juaj strategjik për përfshirjen e shqiptarëve të diasporës nëpër vende të ndryshme të botës?

Aktualisht ne po shpërndajmë fjalën nëpër komunitet. Është gjë e mirë që shumë organizata shqiptare po krijohen nëpër botë dhe çdo ditë e me shumë shqiptarët angazhohen si qytetarë për të drejtat e tyre. Ne po komunikojmë me shumë nga këto shoqëri – që nga Sh.B.A., ne Itali, Greqi, Belgjikë etj.
Në të njëjtën kohë po bëjmë atë që në terminologjinë e rrjeteve sociale quhet “public advocacy” ose e thënë më shqip, po luajmë “avokatin publik”. Kjo do të thotë që po mundohemi të sensibilizojmë opinionin publik nëpërmjet mediave sociale – shumë të përhapura midis shqiptarëve (edhe kjo ka të bëjë me faktin që shqiptarët si asnjëherë më parë në histori janë shpërndarë në të gjitha anët e botes!). Mendojmë se një sensibilizim i tillë shoqëror do ndikojë për mirë e do kthehet në një mobilizim efektiv të shqiptarëve për të kërkuar të drejtat e veta.
Që me publikimin e nismës në një faqe në Facebook e duke vazhduar me kërkesën e lëshuar, kemi patur një reagim pozitiv nga komuniteti dhe mbështetje të plotë. Jemi optimist që do të gjejmë mbështetjen e komunitetit shqiptar edhe më gjerë.

Mesazhi juaj për shqiptarët përtej kufijve të Shqipërisë

Mesazhi jonë është i qartë: të gjithë duam të drejtën e votës! Nëse kërkojmë që zëri jonë të dëgjohet, atëherë pikë së pari duhet që të krijojmë hapësirën e duhur dhe të vendosim në vend institucionet e duhura që e sjellin në jetë këtë gjë. Mendojmë se po të ketë një përfaqësim të denjë në Kuvend, ajo një e tretë e popullsisë shqiptare aktualisht dormante në sferën politike do të ishte kthyer në një kontribues të rëndësishëm për Shqipërinë – jo vetëm ekonomikisht por edhe në planin social-kulturor. Edhe për ne si komunitet në diasporë, e drejta e votës do të kishte shumë domethënie sepse ne gjithmonë duam që të luajmë një rol aktiv në zhvillimin e shtetit amë. E drejta e votës për diasporën është padyshim simbiotike – të dyja palët përfitojnë njëkohësisht.

Ftojmë të gjithë shqiptarët që të firmosin e të shpërndajnë peticionin (që mund ta gjeni në lidhje si më poshtë):
https://www.change.org/p/institucioneve-t%C3%AB-republik%C3%ABs-s%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-partive-politike-t%C3%AB-republik%C3%ABs-s%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-k%C3%ABrkojm%C3%AB-t%C3%AB-drejt%C3%ABn-e-vot%C3%ABs-p%C3%ABr-shtetasit-shqiptar-n%C3%AB-diaspor%C3%AB?recruiter=88566600&utm_source=share_petition&utm_medium=copylink