Informaliteti, hyn në fuqi Kodi Penal me dënime 10 vjet burg

Sanksionet më të ashpra për kontrabandën me mallrat e akcizës

Barnat – Prodhimi dhe tregtimi i barnave të falsifikuara, 6 muaj deri në 5 vjet burg (7 vjet, kur ka rrethana rënduese)

Karburantet – “Falsifikimi, tregtimi ose hedhja për konsum e nënprodukteve false të naftës dënohet me 5 vjet burg

Më 29 janar 2016 hyjnë në fuqi ndryshimet e bëra në Kodin Penal në kuadrin e ashpërsimit të masave në luftën kundër kontrabandës dhe informalitetit. Ky kod është kundërshtuar edhe nga biznesi, edhe nga Avokati i Popullit për “sanksionet e paarsyeshme”. Dispozitat e ndryshuara kanë të bëjnë, kryesisht, me përcaktime të reja lidhur me mënyrën e caktimit të dënimit për vepra penale të rënda, për shkelje në fushën e tatim taksave dhe të shkeljeve doganore që parashikohen si vepra penale. Importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluar ose të kufizuara që hyjnë e dalin në vend, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Në këtë nen, është shtuar koncepti i mallrave të kufizuara, term ky që njësohet me atë të mallrave të ndaluara. Në dënimet e reja parashikohet vepër penale, jo vetëm kontrabanda, por edhe në rastet kur bëhet fjalë për depozitimin e ruajtjen e këtyre mallrave, ashtu si dhe për tregtimin e tyre në territorin shqiptar.

Po ashtu, parashikohet dënim me 10 vjet heqje lirie edhe në rastet e kontrabandimit të vlerave kulturore. “Importimi, eksportimi apo transitimi i vlerave kulturore kombëtare në kundërshtim me dispozitat ligjore në lidhje me to dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”, sipas Kodit Penal të ndryshuar. Një prej dënimeve më të rënda jepet për kontrabandën e mallrave të akcizës. “Importimi, eksportimi apo transitimi i mallrave, për të cilat paguhet akcizë, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore apo përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që ka të bëjë me importin ose eksportin, përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, sanksionohet tashmë në Kodin Penal. “Kjo vepër penale, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”, nënvizohet rrethana rënduese për këtë vepër penale.

Ndërkaq, tregtimi, tjetërsimi ose transportimi i mallrave, për të cilat dihet që janë kontrabandë, si dhe çdo ndihmë tjetër që u jepet personave që merren me këto veprimtari, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet me mallra për të cilat paguhet akcizë ose që janë të ndaluara, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Ruajtja, depozitimi, mbajtja apo përpunimi i mallrave, për të cilat dihet se janë kontrabandë, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet me mallra, për të cilat paguhet akcizë ose që janë të ndaluara, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Dënime të ashpra rezervohen edhe për falsifikimin e barnave dhe të karburanteve.