Inagurimi i nënstacionit të Babicës, Rama: Efekt i reformës në sistemin energjitik

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri ishin të pranishëm në inaugurimin e nënstacionit elektrik të Babicës, i cili do të furnizojë me energji të gjithë unazën e jugut të vendit, duke dhënë një shërbim më të mirë të rrjetit energjitik për zonat turistike joniane.

Rama tha se investimet e kryera në këtë drejtim janë efekt i reformës në sistemin e enrgjisë. Ai tha gjithashtu se dy vite më parë humbjet ishin në nivelin 52% dhe se qeveria aktuale trashëgoi nga ajo paraardhëse një borxh prej 1 miliard dollarë.

“Do të bëjmë të mundur finalizimin e një ëndrre për të lidhur përfundimisht rrugën e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Interkonjeksioni i famshëm i shumëpropaganduar si objektiv i partive, qeverisë, shoqërive tona po bëhet realitet. Po bëhet realitet ashtu si lidhja e rrugës energjitike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, çka do të thotë integrim i plotë i Shqipërisë në rrjetin europian të energjisë”, tha ndër të tjera Rama.

Ndërkohë ministri Gjiknuri përshëndeti investimin e kryer po ashtu theksoi se zgjidhja e çështjes CEZ ka çliruar jo pak por 320 milionë euro investime, të cilat mbaheshin të bllokuara për shkak se kompania çeke dhe qeveria shqiptare ishin në konflikt.