Imazhi i shqiptarëve si një moment reflektimi

Nga Petrit Kuçana

 Breshëria e sulmeve ndaj imazhit të shqiptarëve në median britanike e më pas në atë italiane, shumëkujt i kujtoi fushatën  e fundviteve të ’90-ta, se shqiptarët po kërkojnë të krijojnë një shtet islamik në Kosovë. Kjo fushatë, më e pakapërdishme se një “english breakfast”, të paktën sjell  një moment reflektimi për atë që quhet imazh të shqiptarëve. Për shqiptarët e Britanisë është e vështirë përgjigja e pyetjes; “çfarë po ndodh në Shqipëri?” , duke parë numrin jashtëzakonisht të madh të shqiptarëve që vijnë këtej, kryesisht poshtë 18-vjeç, (të dytët pas Sirisë, e në disa zona të Londrës ata zënë vendin e parë).  Mbase nuk është e rëndësishme thjesht konstatimi i  kësaj fushate mediatike, (që fatkeqësisht merr vëmendjen maksimale si pasojë e tematikës tepër të ndjeshme që prek) , sesa “imuniteti” tërësisht i munguar i imazhit shqiptar, që damkoset me goditjen e parë dhe as që mund të mendohet, bie fjala për mesazhet historike që dha Papa në tokën e shqipeve…

Duke u përpjekur të harrojmë reagimin e Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, që ishte krejt i pagjetur,( mund të ishin gjendur me mijëra mënyra të tjera reagimi) thjesht “pajtohemi” me faktin e neveritshëm se PR-ët i kemi vetëm për çështje të brendshme… (Alastair Campbell ku je dreqi të mori…na duheshe tani më shumë se kurrë).

Përpara se të akuzojmë “armiqtë e jashtëm”  na duhet gjithashtu të pajtohemi me fakte të tjera së paku të gjithëpranueshme.  A  është e turpshme, bie fjala, që  Shqipëria në Britaninë e Madhe, (i konsideruar si shteti i dytë më të fuqishëm i botës), “nuk e ka parë të arsyeshme” që të përfaqësohet me ambasador?  Nëse i hidhet një sy faqes së Ministrisë së Jashtme, rezulton se në versionin shqip, vendi i ambasadorit është “Under construction” ndërsa në versionin anglisht, vazhdon të jetë ambasador Z.Mal Berisha, i larguar nga që nga tetori i vitit të kaluar. Pra nuk kemi ambasador, dhe gojët  e liga thonë se akoma pushtetarët nuk kanë rënë dakord për një emër, që zgjedhja e ambasadorit bëhet në formë tenderi, e disa gojë më të liga thonë se mbase ambasada duhet dhënë me koncesion… A mund të flitet për shtet normal, kur u shënua precedenti i parë në historinë e diplomacisë shqiptare, kur ekzekutivi “nuk njohu” disa ambasadorë, duke përfshirë ambasadorin e Londrës, Romës etj etj?

Është lehtësisht e kuptueshme që këto shkrime godasin pamëshirshëm në një ndër vlerat më qenësorë të identitetit tonë, që duhet t’ua përplaste  kokën në tavolinat luksoze atyre që kanë marrë përgjegjësinë për të qenë përfaqësues…  për t’u dalë zot punëve të vendit, por fatkeqësisht nuk rezulton kështu.

Përsëri Londra dhe Roma vazhdojnë të jenë pa ambasadorë, (koiçidencë)… akoma nuk është rënë dakord mes forcave qeverisëse, se pushtetarët paskërkan ca punëra më të rëndësishme dhe pret puna… se imazhi sadopak i përmirësuar i shqiptarëve të Britanisë thyhet 700 copash, e mjaftohemi me lajme se qeveria shqiptare ka paguar ca para shtesë për një kompani këshillimi, se një firmë britanike doli jo e përshtatshme për doganat shqiptare dhe u kthye mbrapsht…

Mjaftohemi me faktin se busti i Skënderbeut në Londër është vendosur me para borxh nga ish-Ambasadori Berisha…(ah çfarë mbiemri…) dhe shteti shqiptar e ka humbur dosjen… dhe shifra prej 8000 eurosh duhet të paguhet nga ky i fundit, pasi është faji i tij. Patjetër që po. Nëse do të qëndronte duarkryq e të priste… siç bënë paraardhësit e tij, sot Londra nuk do ta kishte Skënderbeun, por ama nuk do të ishte borxh…

Kaq tragji-komike bëhet kjo situatë, saqë edhe ora e vjedhur e Xhorxh Bushit, e pasqyruar në median shqiptare dhe që bëri xhiron e botës, i merr të keqen. Akoma sot e kësaj dite, shqiptarë e Britanisë përballen me humorin therës të atyre që në mbamendjen e tyre vjedhja e orës së Bushit nga shqiptarët, përbën një lajm ekzotik…

A mund të flitet për strategji të shtetit shqiptar për imazhin e Shqipërisë? Sa herë u fol për krijimin e Qendrave të Kulturës në vendet e rëndësishme si Italia, Greqia apo Anglia? Thua po i biem shumë në qafë shtetit?

Britania është eksportuesja më e madhe e turistëve dhe strategjia e shtetit shqiptar për thithjen e tyre është inekzistente, pra shkurt e shqip nuk ka. Thua e dinë pushtetarët, apo qoftë ata tipat andej nga Ministria e Kulturës, se shtete të rajonit kanë filluar bombardimin e tregut britanik me ofertat për pushimet verore?

Mbase ata kërkojnë pak mirëkuptim, pasi një drejtor ka qëlluar një gazetar andej dhe çështja u mediatizua dhe akoma se kanë mbyllur atë telash… Mbase kërkojnë mirëkuptim, sepse kanë qenë të pranishëm, në panairin e Turizmit në Londër… në paraqitjen e tyre (me një sipërfaqe sa një dhomë e një kuzhinë) dhe u kry…

Për investime s’po flasim se kjo puna e koncesioneve u ka hapur ca talleshe…

Thua kaq e pamundur të jetë që të gjejnë një ambasador?  Nëse disbalanca mes lajmeve të mira dhe të këqija vazhdon të mbetet problem, patjetër që nuk mund rrihet në ethet e lajmeve të tjera që mund të vijnë, por së paku të fillohet me projektimin e një strategjie.

Nuk do të ishte aspak e kushtueshme, madje tepër e preferuar edhe për Kryeminsitrin që kur të vijë në Londër, bie fjala të vizitojë edhe bustin e Skënderbeut, e mbase do të mund të përballojë “gjurmën” Berisha… por së paku për herë të parë si kryeministër, të shkelë në dyert e Ambasadës Shqiptare në Londër. 

Mbase këshilltarët e tij do të mund t’i tregojnë që në vizitat e shpeshta që bën në Londër, mund edhe të takohet me ata ambasadorë që prezantojnë mrekullisht vlerat shqiptare në çdo fushë të jetës. Mbase do të harrojë qejfmbetjet me akademikët apo profesorët shqiptarë të këtushëm, që nuk pranuan të bënin ato video-mesazhet e rilindjes, e të mendojë për ndonjë strategji afatgjatë, si kryeministri i shqiptarëve.  

Është krejtësisht e qartë se imazhi sadopak i përmirësuar i shqiptarëve në Britani, ka filluar të pësojë rënie drastike për hir të së vërtetës… (Në “The Albanian” nuk kemi publikuar dhe nuk do të publikojmë asnjë lajm nga ata që quhen kronikë e zezë, por shifrat janë shqetësuese)

A kanë ndonjë ide ata pushtetarët se sa është numri i shqiptarëve që kanë ardhur rishtaz në Britaninë e Madhe? Nëse i referohemi vizitës së ministrit të jashtëm Z.Sajmir Tahiri, thjesht mbajmë mend kërkesën e tij, që të shkurtohen procedurat dhe të kthehen… pasi po joshin të tjerët… A e dinë pushtetarët e sotëm se si jeton një i ri “në të zezë” në Britani?…

A doli ndonjë zyrtar i shtetit shqiptar të bëjë qoftë edhe një kërkim, nga ambasada apo jo, që të pyesë të rinjtë shqiptarë të ardhur rishtaz se si jetojnë, si arrijnë të mbijetojnë, se si thyhen ëndrrat e tyre çdo ditë dhe kënaqësia më e madhe e tyre mbetet kur gjejnë ndonjë punë në të zezë… vetëm në rrjetet sociale janë më mijëra reagime të tyre në lidhje me mbijetesën këtu.

 U takon shtetarëve (më tepër se psikologëve) që të kuptojnë për ata  të rinj që nuk gjejnë shpëtim tjetër…

A mund të presësh nga ata që të kuptojnë çdo të thotë imazh, çdo të thotë përfaqësim vlerash?  Vetëm nëse i hidhet një sy reagimit për shërbimet në ambasada, ku vetë ministri i Jashtëm e pranon me zë dhe figurë se ka korrupsion, këtu mbaron shteti…

Shkrime të tilla detyrimisht duhet t’i bëjnë të reflektojnë pushtetarët,  pasi të kenë mbaruar ndonjë darkë… e dashtë Zoti të gjejnë ndonjë ujdi, që së paku Shqipëria të përfaqësohet me Ambasador në Britani, që shërbimet në ambasada të jenë në nivelet e pranueshme, ose së paku të mos u kërkojnë para për një shërbim të garantuar me ligj, e mbase ndonjë ditë do të fillojë realisht regjistrimi i tyre…