Ikin amerikanët/ Skanimi në dogana tani nga ortakët shqiptarë

“Rapiscan”, kompania amerikane, për famën e së cilës u dha koncesioni i skanimit në dogana është larguar përfundimisht nga Shqipëria. Ndërsa, procesi i skanimit në dogana do të vazhdojë me partnerët e saj shqiptarë, sipas marrëveshjes Cani-“S2 Albania” që ndryshoi kontratën Bode-Rapiscan.
Sipas historikut të regjistruar në QKR, “Rapiscan” i kishte shitur aksionet dhe kishte nisur procedurën e likuidimit qysh në vitin 2014.
Transaksioni
Marrëveshja e koncesionit u nënshkrua më datën 10 prill 2013, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC.
Kompania amerikane u regjistrua në QKR në 24 qershor 2013 me emrin “Rapiscan Systems Albania”. Në objektin e shoqërisë ishte kërkimi, projektimi, prodhimi, prokurimi, importi dhe eksporti, tregtimi dhe shitja nëpërmjet shpërndarjes ose ndryshe, të veprojë si agjent ose distributor, të japë dhe të marrë me hua, qira, testimi, instalimi dhe marrja e komisioneve, mirëmbajtja dhe shërbimi me pajisjet X-Ray, detektorë metali, skanimi i njerëzve, automjeteve, kontejnerëve dhe produkteve të tjera, si dhe softëare-ve dhe pjesëve të këmbimit për këtë qëllim.
Po ashtu, në objekt ishin bashkimet me përthithje ose ndryshe të hynte në sipërmarrje të përbashkëta dhe partneriteti të çdo lloji. Vetëm tre muaj më pas, më 19 shtator 2013, vjen transaksioni i rrallë: me 490 lekë u shitën 49 për qind e aksioneve të koncesionit që kushtonte të paktën 316 milionë euro. Në këtë datë është futur në kontratën e koncesionit ortaku i ri “ICMS”. Më 12 qershor 2014, shoqëria “Rapiscan Systems Albania” emëroi një likuidator i cili ndoqi procedurat për eliminimin juridik të firmës dhe në 19 qershor 2016, kompania u çregjistrua nga QKR.
Kontrata e re
Megjithëse situata juridike e koncesionit kishte ndryshuar, qeveria e re socialiste vazhdoi t’i referohej me emrin “Rapiscan”. Kjo vihet re, jo vetëm në deklarata, por edhe në kontratën e ndryshuar më 28 prill 2015, ku “Rapiscan Systems”, INC citohet si palë kryesore.
Deri në shtator 2013 ky shërbim nuk ofrohej. Ishin filluar punimet vetëm në dy pika kontrolli. Kundërshtimi dhe rezistenca e biznesit ishte e konsiderueshme, sidomos në lidhje me tarifën shumë të lartë të shërbimit. Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës rekomandoi rishikimin e kontratës koncesionare. Në periudhën maj – shtator 2014 filluan negociatat nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për rishikim të kontratës.
Bisedimet vështirësoheshin nga fakti që marrëveshja ishte miratuar nga qeveria e mëparshme dhe ishte ratifikuar nga Kuvendi.
Çështja përfundoi në gjyq, ku u kërkua zhdëmtimi në arbitrazhin e Parisit për prishjen e koncesionit të kontejnerëve në shumën rreth 350 milionë dollarë. Qeveria pajtoi për gjyqin firmën avokatore “Omnia Strategy LLP”, studio e zonjës Blair. Studioja këshilloi zgjidhjen e çështjes me mirëkuptim.
Pas kësaj u arrit marrëveshja. Qeveria pretendon se me këtë kontratë të re, koncesionari kufizohet në 210 milionë euro fitim për 15 vjet. Me këtë mënyrë u arrit që të vendoset një kufi i sipërm për të gjithë kontratën, pra u arrit të kursehen minimalisht 106 milionë euro. Pagesa për deklaratë me vlerë mbi 1 000 euro është 22 euro.
Kjo pagesë është 17 euro më pak se tarifa e vendosur më parë, prej 39 euro. Për deklaratën doganore me vlerë të barabartë ose më të vogël se 1 000 euro, pagesa është 5 euro. Diferencat e pambuluara të kostove me të ardhurat, në vitet e para të kontratës, i mbulon buxheti. Pas largimit të “Rapiscan”, projekti vazhdon normalisht, por mbetet pas shija e hidhur e koncesionit që kalon nga një dorë në tjetrën si në numrat e shpejtësisë në cirk.