Idrizi: Republika e re fillon nga ‘Drejtësia’

Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në një takim me strukturat në degën e Tiranës, deklaroi se reforma në drejtësi është mënyra e vetme me të cilën kalohet kriza politike dhe rruga e vetme për të krijuar republikën e re.

Sipas Idrizit, kriza politike është ulur këmbëkryq në vendin tonë, jo vetëm në çadrën e PD, por edhe në kuvend ku reforma në drejtësi është bllokuar.
Idrizi bëri thirrje që të gjendet mekanizmi për zgjidhjen e krizës, me kushtin e vetëm, reformën në drejtësi.

“Besojmë se kjo reformë do të jetë pozitive për të gjithë shqiptarët. Rithemelimi i republikës së re vjen vetëm me reformën. Ajo rivendos në themelet e duhura të gjithë sistemin politik shqiptar. Jemi gati të ulemi me këdo, vetëm që të çojmë përpara këtë reformë”, deklaroi Idrizi.