Icardi, më mirë se Ronaldo e Messi

Sulmuesi i Interit, Mauro Icardi realizoi golin e tetë gjatë këtij sezoni në Serie A për fitoren e skuadrës së tij në udhëtim tek Empoli me rezultat 1:0.

Ai është ende larg nga golashënuesi më i mirë këtë edicion, sulmuesi i Napolit, Gonzalo Higuain që kryeson me 16. Mirëpo, Icardi është lider sa i përket përqindjes së efikasitetit tek golat e tij.

E përditshmja sportive italiane “Gazzetta dello Sport” ka njoftuar se argjentinasi i “Nerazzurrëve” i ka realizuar tetë golat e tij në vetëm 21 goditje.

Ai me përqindjen e shënimit prej 38.1 është më i miri në mesin e ligave kryesore evropiane. Icardi ka përqindje më të lartë të efikasitetit se Neymar nga Barcelona, 28 për qind.

Më pas vjen Luis Suarez me 27.3 dhe Zlatan Ibrahimovic nga Paris Saint-Germain me 26.3. Sergio Aguero në Manchester City gjendet në 23.5 për qind para Higuain me 22.8.

Robert Lewandowski nga Bayern Munich vjen më pas me 20.3 për qind para yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo me 14.7 dhe Lionel Messit me 12.8.