Hysaj, Balaj, Cikalleshi e Berisha komentojnë shortin e Euro 2016

Pasi shkruan historinë, heronjtë kuqezi vlerësuan shortin e Shqipërisë në finalet e Euro 2016.

Grupi A me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë si kundërshtarë është cilësuar i pëlqyeshëm. Nisur nga mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj.

“Më pëlqen si grup ky që na ra. Francën e njohim, kemi luajtur dhe fituam. Me Zvicrën me vëllezërit tanë do të jetë një ndeshje shumë e bukur, ashtu si me Rumaninë. Është një grup që do të rivalizojmë dhe më i lehtë për ne lojtarët. Në një grup me Gjermaninë apo ndonjë ekip tjetër do të ishte më e vështirë. Për më tepër luajmë më mirë me skuadrat e forta dhe rezultatet i marrim me ekipet e mëdha. E jap me firmë që do luajmë shumë mirë dhe do arrijmë rezultate. Nuk jemi ekipi i përpara tre-katër vjetëve. Kemi më tepër siguri tani. Sa pikë? Arrijmë ose të parët ose të dytët. Kam shumë besim”.

Edhe Bekim Balaj u shpreh optimist për grupin në Euro 2016, duke mos e fshehur ambicien për t’u kualifikuar nga faza e grupeve.

“Dëshira ishte të shmangnim ekipet e mëdha, por duke parë shortin na mbush me optimizëm dhe besim se mund të surprizojmë ashtu si bëmë në eliminatore. Eliminatoret e fundit i dhanë një rritje morale skuadrës dhe në Europian shkojmë me besim të plot se do të bëjmë diçka të mirë. Objektivi? Kemi besim të bëjmë mirë dhe pse jo të tentojmë kualifikimin. Kundërshtarët nuk janë të panjohur. Ekipi favorit është Franca, ndaj së cilës morëm dy rezultate pozitive dhe pse jo t’i përsërisim këto arritje edhe në Europian. Sa pikë? Dy barazime i kemi të sigurta dhe pastaj shpresojmë të bëjmë surprizën duke arritur edhe një fitore. Paraqitjet e kualifikueseve t’i përsërisim edhe në Europian dhe vendi i dytë do të ishte mëse i arritshëm”.

Sokol Cikalleshi u njoftua nga stafi teknik i Istanbul Basaksehir për kundërshtarët e Shqipërisë, ndërsa hodhi dorezën e sfidës për Rumaninë, atë që cilësohet rivali direkt në grup.

 “Çdo ekip që do na binte do ishte një grup i vështirë pasi tashmë jemi në finale dhe prisnim ekipe mjaft të forta. Grupi i parë është ndër më të fortët, por Franca ishte kundërshtari që preferonim. Edhe me Zvicrën do të jetë një duel mjaft interesant pasi luajnë shumë shqiptar. Rumaninë e shoh si një rival direkt dhe mendoj se është një ekip i kalueshëm. Për pikë do të jetë e vështirë. Ndeshja e parë është me Zvicrën, do të mendojmë vetëm për atë sfidë ku do të luajmë si një finale për të fituar tri pikët, pasi gjithçka do të bëhej më e lehtë. Vendi i tretë do të ishte i mirë, por ne synojmë të kualifikohemi në dy vendet e para”.

Më i ekuilibruar portieri Etrit Berisha, që edhe pse beson te forca e skuadrës kuqezi, kërkon qetësi.

“Janë kundërshtarë me të cilët jemi përballur më përpara dhe i njohim. Është një grup i mirë, mendoj se me ekipin tonë mund të kemi shanse të mira edhe pse do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Por, mendoj se mund t’ia dalim, mund të bëjmë diçka të mirë në Europian. Kemi mundësi të paraqitemi sa më mirë. Presioni mund të jetë normal, pasi luajmë për herë të parë në Europian dhe detyra është më e vështirë nga ajo në kualifikuese. Nuk duhet të ngutemi për të qenë optimist, pasi kjo na ka dëmtuar. Ne duhet të fokusohemi te kualitetet që kemi dhe të luajmë në grup, pasi suksesin kështu e arritëm”.