Holanda: Zgjerimi, strikt dhe ndershëm! Shqipëria të miratojë reformën në drejtësi

Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, vendi i të cilit udhëheq prej dy javësh Bashkimin Europian, u ftua në Parlamentin Europian për të diskutuar prioritetet e kësaj presidence mbi zgjerimin e Unionit.

Megjithëse nuk përfshihet në programin 6-mujor të kryesimit holandez, ministri Koenders deklaroi se, “zgjerimi mbetet në agjendën e BE-së” dhe se “presidenca i kushton rëndësi madhore besueshmërisë së gjithë këtij procesi”, duke rikujtuar qasjen holandeze “strikt, por ndershëm” për avancimin e vendeve kandidate, bazuar në parimin e kushtëzimit dhe meritave individuale.

Bert Koenders, ministër i Jashtëm i Holandës, Presidenca e BE-së: “Strikt”, në kuptimin që të gjitha kushtet duhen plotësuar, pa “por” e “nëse” dhe vet vendet kandidate kanë përgjegjësi në përmbushjen e këtyre kushteve. “Ndershëm”, në kuptimin që vendet asistohen në mënyrë serioze, sipas nevojave përkatëse dhe zhvillimeve politike respektive, me ndihmë teknike e financiare, për proceset e ndryshme të reformave. Por, kjo nënkupton edhe se, BE duhet të mbajë premtimet e veta dhe të vendosë pozitivisht kur vendi plotëson kriteret, për të kaluar në hapin e radhës të procesit të zgjerimit.

Turqia, Serbia dhe Mali i Zi u veçuan fillimisht, si vendet më të avancuara në procesin e negociatave të anëtarësimit. Për Shqipërinë, ministri holandez përsëriti qëndrimin e Këshillit të dhjetorit, duke vënë theksin te reforma në drejtësi. Ai shprehu “shqetësim të thellë për situatën politike” në Maqedoni, ndërsa vlerësoi në një fazë fillestare Bosnjen e Kosovën, për të cilën kujtoi se në pranverë pritet të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Bert Koenders: Mbi Shqipërinë ka një progres të qëndrueshëm në trajtimin e prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme, të tilla për të miratuar paketën e reformës në drejtësi.

Në përgjithësi, sundimi i ligjit, të drejtat themelore, administrata publike dhe lufta kundër korrupsionit janë çështjet në fokus të Presidencës holandeze përsa i takon zgjerimit. “Të gjitha vendet kandidate kanë parregullsi serioze në fushën e sundimit të ligjit”, sipas tij, dhe “reformat strukturore janë më të domosdoshme se kurrë”.

Presidenca e fundit holandeze daton në 2004-n, por kjo “është më e vështira”, për shkak të situatës së brishtë në kufirin lindor të organizatës, kanosjes së sigurisë nga terrorizmi, dyndjes së refugjatëve, etj. Sipas kryediplomatit të Hagës, “nëse BE nuk eksporton stabilitet, atëherë do të importojë destabilitetin” brenda saj.