Hoffman: Azilantët do të kthehen brenda 4 javësh

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Hellmut Hoffman njoftoi se brenda katër javësh azilkërkuesit nga Ballkani Përendimor do të kthehen në shtetet e tyre.

“Në Gjermani tani janë ndërtuar kampet me çadra në të cilat strehohen shtetasit që kërkojnë azil nga Ballkani Perëndimor dhe kemi si objektiv që brenda 4 javësh, procedurat e azilkërkimit të verifikohen dhe të mund të kthehen brenda 4 javësh në atdhe. Sepse është krejtësisht e qartë se të gjithë këta shtetas nuk kanë mundësi për të marrë azil dhe të gjithë do të kthehen mbrapsht dhe unë shpresoj shumë që ky informacion të përhapet në Shqipëri, deri në fshatrat më të thella. Pra, është shumë e rëndësishme që në Shqipëri për këtë temë të flitet publikisht dhe hapur, sepse me këtë largim do të krijohet një problem shumë i madh edhe për vetë Shqiperinë”, u shpreh ambasadori Hoffman.

Duke e cilësuar këtë fenomen si shumë shqetësues për Gjermaninë, por edhe për BE-në, ambasadori Hoffman bëri dhe një pasqyrë të numrit të azilkërkesave nga Ballkani Perëndimor vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

“Emigracioni ekonomik i emigantëve nga Ballkani Perëndimor për në BE dhe në Gjermani po bëhet gjithmonë e më dramatik. Dua të përmend disa shifra, vetëm në Gjermani në gjashtë muajt e parë të vitit, nga 4 vende të Ballkanit Perendimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia, kanë aplikuar për azil rreth 65 mijë vetë. Rreth 1/3 e tyre, përafërsisht 22 mijë janë nga Shqipëria. Vetëm në qershor, nga Shqipëria kanë kërkuar azil 5932 persona. Nëse ne e shohim në një bazë vjetore dhe do të bënim një kalkulim, do të kishim të bënim me 70 mijë apo 72 mijë shtetas shqiptarë. Ajo çka ne kemi konstatuar është se dhe shqiptarë të mirëpaguar këtu në Shqipëri po lënë vendin dhe po ikin në Gjermani. Prandaj, është shumë e rëndësishme që pala shqiptare dhe ajo gjermane të bashkëpunojnë ngushtë”, deklaroi Hoffman.

Përshpejtimi i procedurave të intervistimit të azilkërkuesve shqiptarë, u konfirmua dhe nga zv/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea.

“Ashtu sikurse e kemi të konfirmuar nga autoritetet gjermane, procedurat e intervistimit të qytetarëve shqiptarë që kanë kërkuar azil janë shkurtuar”, tha zv/ministrja Gjerbrea.

Këto deklarata u bënë nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë, ku ambasadori Hoffman dhe zv/ministrja Gjebrea panë nga afër bashkëpunimin mes punonjësve të Policisë Gjermane Federale dhe Policisë së Shtetit me objektivin për të luftuar migracionin e paligjshëm.