HISTORIA E KËNGËS MË TË VJETËR SHQIP “O E BUKURA MORE”

Eda Derhemi

Kënga “O e bukura More” këndohet prej shumë vjetësh edhe në Shqipëri, e mbsuame arbërore e jona. Mendohet të jetë kënga më e vjetër në shqip ende gjallë që është kënduar vazhdimisht për mbi 500 vjet prej arbëreshëve dhe që ka një famë që rritet me vitet.

Duke mos ditur ku e kur tamam nisëm ta dëgjojmë, dhe nga që melodia dhe ndjesia që kënga jep janë emocionuese e të dëgjuara shpesh, vjetërsia që kënga bart në përmbajtje dhe formë bëhet lehtë edhe e jona: na duket të jetë po aq e lashtë mes nesh, shqiptarëve, sa mes Arbëreshëve të Italisë ku lindi. Por Moreja (Morea) fjalavjen, është një element gjeografik që shijuesi i zakonshëm i këngës nuk e njeh. Edhe ai që e di se bëhet fjalë në fakt për Peloponezin e sotëm grek, nuk di lidhjen mes arbëreshëve dhe arvanitëve, dhe as vendbanimet e këtyre të fundit në Greqi. Por ka një element të këngës që na mahnit e përlot të gjithëve, dhe që nuk e vemë kurrë në dyshim: faktin që kënga doli nga zemra e të parëve Arbëreshë që arritën nga Moreja (Peloponezi) për në Arbëri, në vitet e para kur dhimbte malli për mëmëdheun e largët, dhe më pas u përcoll brez pas brezi e fshat më fshat për t’u bërë himni kombëtar i arbëreshëve. Për vjetërsinë bindja jonë e përgjithshme është e saktë; sa për kuptimin e këngës në origjinë, gabojmë: as në këtë krah të Adriatikut dhe as në atë Italian, nuk ia dimë zakonisht historinë këngës së njohur.

Nga studimet historiko-etnografike dhe analizat tekstuale bërë këngës nga studiues arbëreshë[i] shfaqet një histori e ndryshme nga ajo që të gjithë lidhim me “Të bukurën More”. U kujtoj më poshtë lexuesve tekstin e këngës, në një version zyrtar botuar në Piana degli Albanesi në vitin 2005. Veç variacioneve të lehta si p.sh., në formën e së kryerës së thjeshtë të përdorur (sigmatike ose jo), me ose pa fjalën “Zonjë” për rastin e mëmës, si dhe në shfaqjen dyformëshe “at” ose “tat” në kuptimin e babait, poezia shfaqet shumë e ngjashme në zona të ndryshme arbërore.

Sipas studiuesve arbëreshë kënga nuk lind si këngë patriotike që shpreh trishtimin dhe mallin e thellë për atdheun e humbur, Morenë nga ku erdhën një pjesë e arbëreshëve pas një lëvizjeje më të hershme arbërore për në këto toka të Bizantit që janë Peloponezi i sotëm (*). Kënga në fakt lindi si një ritual kompleks funebër që qante të vdekurit e familjes në një prej tri festimeve të të vdekurve që për arbëreshët bëhej në ato që ne sot quajmë Rrëshaja (periudha e Pentecost) që në arbërisht del me variante të ndryshme si russalle/ shal/ shal(j)e/ sciaglie e dëshmuar edhe në ditën përkujtimore të “të shtunës së shal(j)es” (Lat. Rosaliae që në antikitet ishte festa e të vdekurve në disa zona të Ballkanit dhe gadishullit italik).

Rituali që ndodh pikërisht në fund
të pranverës në kalendarët ritualë
të besimeve arbëreshe, përfshin
ngjitjen në majë të malit të tufës së grave, performimin e këngës në fjalë, dhe zbritjen në fshat ku kryheshin gostitë tipike që shoqëronin celebrimet e ditës së të vdekurve.

Kënga gjendet në shumë fshatra arbëreshë dhe është ndër ato këngë që lidhin arbëreshët e kontinentit me ata të Siqilisë, por nga forca dhe dëshmimi i hershëm i ritualit që përfshin këngën, duket se foleja e saj ka qenë Siqilia, dhe veçanërisht fshati ku ka kohë që arbërishtja ka vdekur, Palazzo Adriano. Kënga shfaqet fillimisht si material poetik popullor i mbledhur në Siqili më 1736, duke dëshmuar një jetesë të sigurtë të para 1700-ës edhe për metrikën tetë-rrokëshe si edhe për mungesën e rimës. Më 1866 bën dy rishfaqje publike: në apendiksin e Gramatikës së Krahasuar të Kamardës si dhe në Rapsoditë e një Poeme Shqiptare të De Radës.

Prej këndej bëhet edhe më e njohur se më parë. Intelektualë të mençur Arbëreshë si V. Dorsa, G. Crispi e G. Schirò ishin ndër të parët që diskutuan teorikisht këngën “O e bukura More” rreth viteve 1840-1870 duke vendosur një lexim të ri patriotik e historik të këngës, mbi atë të një rituali fetar që rrinte në kufijtë e legjendës.

Nga analiza e fakteve të përdorimit të gjallë të këngës në motin e këtyre autorëve, si edhe nga interpretimet e tyre shtesë, Mandalà nxjerr përfundimin se intelektualët romantikë të 1800-ës vendosën ta “historicizojnë” këtë këngë magjiko-fetare (sido që po ata vetë sillnin edhe plot elementë etnografikë e ritualë që e lidhnin këngën logjikisht me festën e rrëshajave) dhe ta ripërmbajtësonin me një kuptim të paqenë historik që lidhej me përkujtimin prej arbëreshëve të ditës famëkeqe të rënies së Bizantit në duar të turqve.

Që prej këndej, kënga funerale nis e këndohet si këngë patriotike ku qahet atdheu i të parëve dhe himnizohet malli për të. Mandalà studimin kritik të ritit të këngës “O e bukura More” dhe falsifikimit të historisë së saj, e bën në një sfond studimi të një rrjeti mitesh krijuar nga individë dhe nga masa e intelektualëve arbëreshë, sa me qëllim aq edhe për forcë zakoni e respekti për ç’ish shkruar më parë. Ai flet për “valë falsifikuese” të qëllimshme e të prira ideologjikisht, që nisin me intelektualët e viteve 1700 që vendosën themelet e historiografisë arbëreshe (sipas “ideologjisë albaniste”) duke lançuar një proces rindërtimi të identitetit kulturor dhe historik me qëllim fisnikërimin e origjinave dhe jetës arbëreshe.

Më tej romantikët arbëreshë të viteve 1800, bazuar mbi versionet mitike e të falsifikuara historike shkruar nga idhujt e tyre intelektualë pararendës, shtojnë të vetën duke ekzaltuar më tej origjinat e veta e përforcuar falsifikimet e trashëguara prej paraardhësve. Vetëm në këtë sfond të përgjithshëm, agjentë aktivë të të cilit, para dhe krahas arbëreshëve, patën qenë intelektualë romantikë po aq të zellshëm të shumë kombësive të tjera, mund të kuptohet loja transformuese e “së bukurës More”.
Historinë e këngës më pastaj ne e njohim. Kënga “O e bukura More” që, në teshat e veta patriotike tingëllonte edhe më joshëse dhe lartësuese, edhe më në modë, edhe më e intonuar me Mesdheun romantik të vonuar, pas modifikimeve të shekullit të XIX, fuqizohet dhe shndërrohet në një himn të gjithë arbëreshëve.

Që në vitet 70 hyn me një sukses të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri, dhe ne na mallëngjen e na bën të ndihemi të vlershëm e të kërkuar më fort sesa mallëngjen e u vlen arbëreshëve vetë. Në një farë mënyre, sido që kuptimi i saj origjinal ka ndryshuar paq, funksioni i saj mbetet konsistent: nga një artifakt simbolik brenda një rituali jo fort të nyjëtuar materialisht, ajo rikthehet të luajë rishtaz një rol thellësisht simbolik.

Vetëm se tashmë, jo vetëm për Arbëreshët, por për gjithë shqiptarët e shqipfolësit, shumë prej të cilëve rijetojnë emigracionin, ku atdheu i lënë dhe malli për të rikthehen në tema të nxehta aktuale, ekzaltuese dhe lehtësisht romantizuese e manipuluese. Nuk kam takuar Arbëreshë që nuk e njohin këngën, por kam takuar Arbëreshë që nuk e dinë se çfarë është Moreja. Por në një performancë simbolike, elementët konkretë dhe përmbajtja gjeografike apo historike nuk kanë asnjë vlerë. Këngës, mitit, Zotit u besohet pa i racionalizuar apo marrë në pyetje.

Është interesante të imagjinohet ç’do kish ndodhur sikur intelektualët romantikë militantë arbëreshë të mos kishin ndërhyrë dhe falsifikuar këngën (ose edhe historinë në tërësi). Një botë pa mitet e veta origjinale dhe mistifikimet historike a do ishte vallë më e mirë? Besoj se për këtë nuk ka një përgjigje që vlen në të gjithë rastet, dhe pyetja vetë ka nevojë të mprihet e nyjëtohet shumëfish që të prijë një studim të besueshëm.

Por, po të më duhej të përgjigjesha përgjithësisht në rastin e këngës vetë dhe rolit të saj, do thoja se nën kuptimin e ri historiko-romantik, kënga ka pasur një rol të fuqishëm mobilizues që ka përforcuar identitetin arbëresh, njësimin e “identiteve të ndryshme arbëreshe” nën të njëjtin petk sado ireal në lidhjen e tij gjeografike me Morenë, dhe ka ndihmuar në qëndresën shekullore të gjuhës dhe kulturës arbëreshe në kushtet kur mbijetesa e minoriteteve në Europë rrezikohej seriozisht nga proceset agresive shtetkomb-formuese.

Është kjo arsyeja që në të gjitha studimet mbi arbëreshët dhe krahasimin mes tyre dhe arvanitëve, une konkludoj se ndryshimi themelor i dy grupeve mbetet në atë që arbëreshët kanë pasur një elitë prirëse aktive shkolluar fillimisht në dy-tre kolegjet-manastire të famshëm të nisur më 1700-ën, elitë që më pas ripolli veten e vet vazhdimisht në ditë të vështira duke krijuar traditë e duke prodhuar ideologji komunitet-formuese dhe komunitet-mbajtëse.

Ndërsa arvanitët, për arsye politike e kulturore që lidhen me kushtet e Greqisë, nuk mundën (dhe nuk u lejuan) kurrë të krijojnë një elitë unifikuese dhe ndrituese për komunitetin. Kjo është arsyeja themelore e shpërbërjes së ndjenjës së tyre etnike ose atij që sot studiuesit e rinj grekë e quajnë pa të drejtë “etnicitet bosh”, i stigmës “së pashpjegueshme” për origjinën, gjuhën dhe kulturën “ndryshe” që kanë.

E prapë, a ka mite që do të ish më mirë të mos ishin krijuar? A ka të tillë që, duke mos qenë falsifikues, do ta kishin bërë jetesën e komunitetit më realiste dhe më të aftë për të parë drejt dhe larg? A mund të masim sa dëm dhe sa dobi ka pasur komuniteti dhe shoqëria nga falsifikimi historik dhe miti, apo është jo etike nga ana shkencore, edhe ta ngresh këtë si pyetje për diskutim? A ka mite të mirë dhe mite të këqij? A është i mirë falsifikimi i këngës së Moresë dhe i keq ai i falsos së koronejve princër që erdhën në Itali dhe sollën rilindjen arbëreshe apo ai i vëllezërve Reres? A mistifikojmë në fakt të sotmen dhe të ardhmen nga çdo përpjekje për të parë anët “pozitive” të mitit antik?

Këto janë pyetje që duan një studim më vete. Ajo që unë ngulmoj të shpreh është se nuk mund të kuptohet prodhimi simbolik pa e lidhur me kohën e vet, ideologjitë që ushqyen motorin e mitit dhe funksionet që ai kreu në epokën kur lindi dhe u rrit. Po aq u duhet hapur rrugë në kohët moderne, kur janë relativisht të fuqishme ideologji (edhe institucionale madje) të reja që mbështesin dijen shkencore po aq sa të drejtat identitare dhe kulturore të individit dhe komunitetit, analizave skrupuloze kritike të miteve të krijimit.

Kjo duhet kryer sidomos e së pari në rastet kur mite të tillë ndeshen me progresin, barazinë dhe respektin, harmoninë njerëzore dhe tolerancën. Dhe miti i vjetër, i apropriuar nga një shoqëri e re që ia gëlltit jokritikshëm gjithë lëndën ideologjike që ai bart prej shekujsh, ka shumë gjasa të pjellë aksion reaksionar, shtypje njerëzore apo edhe luftë dhe asgjësim.

Së fundi, duhet mbajtur mendja hapur ndaj shumë të vërtetave. Ato janë komplekse dhe të ndryshueshme. E vërteta absolute, ashtu si autentikja janë konstrukte relative dhe iluduese. Cila është jeta e vërtetë e këngës “O e bukura More”, dhe cili mund të thotë se origjina e saj është më e vërtetë sesa jeta e saj e dytë apo e tretë? Autentikja është ajo që njohim si përdorim fillestar apo ajo që njohim si më të vërtetë? Kush mund t’u mohojë vërtetësinë lotëve dhe duartrokitjeve që derdhen kur këngën e këndon Elsa Lila apo plot këngëtarë të tjerë që shpesh e ndryshojnë totalisht mesazhin fillestar apo edhe atë dytësor të këngës, dhe solistëve apo publikëve që as nuk e kuptojnë se çfarë po këndojnë apo çfarë filtrojnë nëpër aparatet e veta shqisore dhe kognitive?

“O e bukura More” në mërgim
Ka arbëreshë që e këndojnë “O e bukura More” me orkestrim (kryesisht një kitarë e vetme) që ndjek melodi tipike të Jugut italian. Ka variante që e kanë greqizuar këngën, duke shtuar hyrje transparente greke buzukësh vajtues që pa dyshim nuk kanë lidhje me Morenë e 1400-1500ës.Në variantet e Shqipërisë kënga është përpunuar edhe më shumë, edhe në versionet e adaptuara për muzikë lirike që kanë hyrje të gjata orkestrale ose një-instrumentale, hyrje shpesh krejt të ndryshme prej njëra-tjetrës. Mua më duket se i bën drejtësi këngës së bukur vetëm kori i thjeshtë shumëzërash i grupeve folklorike arbëreshe i pashoqëruar nga instrumentet. Por këtë s’e gjen dot më kollaj.

Sa herë një element i ri futet në këngë, qoftë në tekst, qoftë në muzikë, kënga riinterpretohet dhe rivlerësohet simbolikisht. Efektet e saj publike gjithashtu janë të ndryshme. Në secilin riinterpretim mund të analizohen qartë arsyet e elementeve shtesë si dhe ideologjitë themelore në bazë të tij. Përpunimet dhe ripunimet e këngës për ta “zbukuruar” atë, pavarësisht nga niveli profesional apo zhanri muzikor i përdorur, synojnë t’ua shesin më mirë këngën publikëve më të gjerë ose më të specializuar, dhe t’i bëjnë ata më të lidhur e të apasionuar pas këngës. E kam fjalën këtu për shitje në kuptimin e drejtpërdrejtë, dhe në kuptimet figurative të fjalës që lidhen me ideale kulturore dominante si ato të dashurisë për atdheun, mallit për të, humbjes së tij të dhimbshme dhe reagimeve sentimentale. Ky proces komodifikues i këngës bëhet herë në mënyrë inteligjente dhe herë jo, sipas rastit nëse fjalët apo përmbajtja e këngës (origjinale ose dytësore) kuptohen ose jo nga përpunuesi, si dhe nga sa i kursyer ose jo është ai me patriotizimin e këngës.

Po ashtu, në këtë proces të kalimit të këngës prej grupeve arbëreshe tek grupet shqiptare, mund të flitej për një proces “apropriimi” të këngës prej nesh [një përvetësimi kulturor (etikisht të padrejtë) prej nesh të një produkti kulturor të tjetërkujt (arbëreshëve) me histori dhe karakteristika që e lidhin ngushtë simbolikisht atë produkt kulturor me tjetrin dhe jo me ne]. Por ka dy argumente që e bëjnë të pavlefshme tezën e përdorimit apropriues të këngës prej shqiptarëve: i pari, se shqiptarët (këndues) ndihen arbërorë ose ndihen pikërisht ata, dheut të të cilëve u këndohet në këngë, pra me lidhje fort të qenësishme me arbëreshët; e dyta, kënga në Shqipëri ka nisur të këndohet gjithnjë e më shpesh me tone që rimarrin motivin arbëresh të atdheut të lënë pas dhe mallit për të, dhe e vendosin atë në sfondin e emigracionit të ri shqiptar të pas 1990-ës, edhe më masiv dhe rreze-gjerë sesa ai mesjetari. Diaspora e re nuk e përdor më këngën si t’i takonte së vjetrës, por sikur të ish krijuar për atë vetë, të renë pra. Është interesante të shihet si bartet pa kontradiktë vlera simbolike e këngës, prej elementeve vajtuese lidhur me funebritetin origjinal të përmbajtjes, për atin, mëmën dhe vëllain e vdekur, tek malli për atdheun arbëror në variantin e dytë të saj, përcjellë tani në mallin e emigrantëve të pas-90ës për Shqipërinë e sotme.

Pra kënga tashmë është bërë edhe “e jona”, duke rritur kuptimet e shtuara në këto përdorime, si edhe duke ndryshuar simbolikën e dikurshme. Madje, një pjesë e këngëtareve që e kanë kënduar këngën, si Elsa Lila, kanë luajtur me futjen në tekst të fjalës Shqipëri, duke e njësuar emigracionin e hershëm me të sotmin, dhe duke përcjellë identifikim tërësor të emigrantit me këngëtarin, që në rastin e Elsa Lilës është real. Në këtë përdorim, një “manipulim” i ri i shtresohet këngës. Siç u sqarua në pjesën e parë, nga përkujtim funeral, kënga ishte bërë këngë patriotike e arbëreshëve; ndërsa tani po rikuptimësohet mbi bazën e identifikimit të atdheut të vjetër të Arbëreshëve me atdheun e ri të jo-arbëreshëve, dhe atë e këndon emigranti vetë.

Mund të vësh buzën në gaz po të mendosh se, duke qenë që një pjesë e mirë e emigrantëve tanë modernë sot gjenden në Itali, kënga “O e bukura More” është shndërruar në një polifoni surreale zërash qindravjeçarë që vazhdon të ketë si origjinë tokat italike dhe i drejtohet një Shqipërie shumëvlerëshe (që mund të shfaqet edhe si More), e cila vazhdon të braktiset dhe të qahet me po aq pasion nga grupe masive.

Sot gjen plot variante të këngës online të prodhuara nga arbëreshë dhe shqiptarë, madje edhe të tillë ku “More” (tokë e panjohur për shumë) shkruhet me të vogël e marrë në kuptimin e pasthirrmës “more” të shqipes pavarësisht lëmshit që krijon përplajsja e gjinive aty.

Një version lirik i mirë i këngës është ai i kënduar nga O. Kurteshi shoqëruar në piano nga D. Tukiqi. Në këtë variant ruhet strofa origjinale e këngës si në origjinalin arbëresh paraqitur në pjesën e parë të shkrimit, por ai shqipërohet fonetikisht dhe leksikalisht dhe bëhet krejt i kuptueshëm për dëgjuesin shqiptar. Kënga lirike (në të gjitha variantet e saj) kufizohet në tekstin origjinal pa shtuar tekste të tjera që i gjejmë shpesh në muzikën e lehtë. I vetmi ndryshim verbal që i bëhet këngës nga origjinali është se “zonja mëmë” shfaqet në tekst para “zotit tatë”. Por, sado afër origjinalit, ky variant lirik nuk është ai më i dashuri për njerëzit.

Varianti publikisht më i përfillur online (që shoqërohet nga imazhe filmike që variojnë nga videoja në video) është ai i Elsa Lilës. Lila, përfshin në të kënduar elemente të fonetikës arbëreshe që, sipas meje, rrisin emocionalisht këngën dhe i shtojnë mistikën arbërore aq të dashur për shqiptarët, sido që pikërisht Elsa Lila bën zhvendosjen në aksin toponomik nga Moreja tek Shqipëria. Lila në fakt këndon vetëm tri vargjet e para të këngës të përsërituara, duke hequr krejt pjesën me “tatën, mëmën dhe vëllain, gjithë mbuluar nën dhe”, me synim që, Injorimi i pjesës funebre (origjinali kuptimor) o lëshon vendin e vet kuptimit patriotik të këngës si dhe copës së gëzuar që i bashkohet.

Prej tri vargjeve të para të dhimbshme e vajtuese kalohet papritur në një motiv totalisht të kundërt, atë të dashurisë së çmendur të djalit për vajzën lule në këngën tjetër “O lule-lu” që i bashkëngjitet mekanikisht atij të “O e bukura More”. Vaji për atdheun, në këtë kompilim pa krisë a pauzë, kthehet në gaz dashnorësh të lumtur; origjina funebre e këngës, në erotikë[i]!

Kemi parë e s’kemi parë, shkon i vdekuri me të gjallë! Pasi djali i thotë vajzës-lule “se zemra ime je ti vetë”, Lila transformon vargun herën e dytë që e këndon, në “se zemra ime, Shqipëria”. Këtu emocioni arrin kulmin, kënga mbyllet dhe publiku shpërthen në një stuhi brohorimash e duartrokitjesh. Është prekur mu në zemër! Për publikun shqiptar ky pohim dashurie patriotike i mërgimtares së bukur Lila, është edhe më prekës e i vlerësuar se talenti i saj. Duhet nënvizuar këtu se sjellja në skenë e Shqipërisë në pjesën dashurore të këngës, dëshmon se motivi i shtresuar patriotik vazhdon të jetë themelor në këtë variant të ri të këngës, ashtu si deshën të moçmit intelektualë arbëreshë.

Nga variantet e lehta të “O e bukura More” Lila i bën hyzmet të veçantë dhe të talentuar fonetikës së këngës. Ajo nuk shqipton “ë-në” shqipe, por një “ë” më të mbyllur e më të lartë duke iu afruar “ë-së” arbëreshe si në fjalët “për”, “të” “e vërtetë”; Lila shqipton “unë/un” pa “n”, pra “u” me një hundorëzim të lehtë, siç bëjnë arbëreshët, dhe shndërron tingullin “l” të fjalës “lule” në një tingull qiellzor të përparmë (siç ndodh me italishten në rastin a tingullit shkruar “gl”) pikërisht siç ndodh në arbërisht.

Elina Duni këndon një variant më teatral të këngës dhe, më shumë se për fjalët një nga një, kujdeset për një rritje të vazhdueshme të efektit dramatik. Edhe ajo thekson (që në shpjegimin paraprak që i bën këngës për publikun) karakterin e saj patriotik arbëror, sido që edhe në këtë variant teksti patriotik ndiqet nga ai dashuror. Ndërsa Duni me finesë nuk e fut në lojën e vet “Shqipërinë” (që duhet thënë se është një hile meskine që i ul vlerat këngës) në fund të këngës. Ajo nuk përdor as fonetikë arbëreshe, por afron disa segmente të këngës me shqiptimin geg, si në “zonjën nan” dhe “vlla”.

Çuditërisht, në variantin e Dunit vargjet e këngës së dashurisë që në arbërisht[ii] janë zakonisht “o lule-lu, o lule lule mazz’ mazz’, se u për ti, se u për ti, jam e dal pazz'[iii]” transformohen: nga “dal’ pazz’” vargu bëhet “e ndalu pak” herën e dytë. Në fakt, vargu arbërisht që thotë “se unë për ty jam e dal pazz’” (ose thjesht “dal pazz’”) është një kalk nga shprehja italiane “esco pazzo” (në shqip “çmendem për ty”). Pra vargu ndjekës “e ndalu pak është e vërtetë” është një varg qesharak për faktin se nuk ka asnjë lloj kuptimi. Më kujtohet që në Shqipëri nëpër eskursione rreth viteve ’88-’89 e këndonim si “djalo pazz[iv]”. Ka pastaj edhe nga këto variante revolucionarizueso-gajasëse të kësaj kënge në shqip si: “E lum e lum e paça paça /E nalu pak e nalu pak ende sa s’plasa/ Se zemra ime, se zemra ime je ti vete/ Se un per ty, e un per ty jape jete”.

Unë e respektoj lirinë që jep anonimiteti dhe folklori, por besoj se, kur prishet një farë ekulibri sasior nëpërmjet risive, nuk kemi të bëjmë më me të njëjtën cilësi apo këngë. Ja edhevarianti arbëresh. Teksti më poshtë vjen nga San Benedetto Ullano në provincën e Kozencës. Por në variantin e kënduar arbëresh më lart, nuk duket se thuhet vargu tipik i këngës siç këndohet prej shumë arbëreshëve “është (e) vërtetë”, por si “pe ti vëtetë” ose “për ty vërtetë”. Këtu ndihen fort edhe qiellëzorizimet në “ljulje” e “dalj”. U vë dot faj shqiptarëve që ta kanë dëgjuar keq?!

E lule lule mac mac
u pë tia dal pac
e dal pac e është vërtetë
se zëmëra ime je ti vet!

Tri probleme nxjerrin krye këtu: i pari, arbërishtja dhe shqipja janë larguar fort mes tyre, dhe shqiptari e këndon këngën për vlerën simbolike që ajo ka, dhe jo sepse ia kupton tekstin; pra rishtaz kemi të bëjmë me një këngë të re, në fakt, më shumë se me të vjetrën por që në një plan, aspak verbal, lidhet fort me të vjetrën. Ky është kthimi mbrapsht i këngës në përdorimin e vet ritual si në “prehistorinë” e saj, që diskutoja në fund të pjesës së parë të këtij shkrimi. Problemi i dytë është ai i sfidave serioze që ka mbijetesa e gjuhëve në rrezik si arbërishtja, në kushtet e një deleksikalizimi masiv të tyre. Një mikeshë nga Piana degli Albanesi, me të cilën diskutoja nëse kënga “O lule lu” ishte e Siçilisë apo e Kalabrisë, më tha: “shiko shprehjen “dal’ pazz’”; këtë mund ta thonë veç arbëreshët e Kalabrisë që e kanë prishur gjuhën, se ne pianiotët deri këtu nuk kemi arritur ende, dhe nuk e kemi shkartisur gjuhën kaq keq me italishten!” Kjo më kujton një folës nga Piana degli Albanesi që dinte edhe ca shqip, me të cilin para shumë vjetësh po testoja nëse mënyra dëshirore kish vdekur ose as ekzistuar kurrë në Piana, apo rronte në formë pasive, së paku në shprehje të ngurosura.

Ai, vargun “artë[v] rregjëria jote” të lutjes “Ati ynë” arbërisht, nuk e përktheu në italisht “venga il tuo regno”, por “d’oro è il tuo regno”. Problemi i tretë lidhet me forcën false që ka diskursi patriotik për njerëzit në shkallë të gjerë, dhe pranueshmërinë pa pyetje të ideologjisë që ai bart. Emigracioni masiv i shqiptarëve pas 1990-ës ka qenë zgjidhja e vetme që ata kanë parë drejt një jete më të mirë, ndoshta edhe zgjidhja më e ndershme mes të tjerave. Por ky emigracion nuk është as i thjeshtë, as fatlum dhe as i reduktueshëm në një dukuri të thjeshtë pozitive zhvendosjeje drejt vendeve që ofrojnë më shumë siç bën gjithë bota. Emigranti shqiptar tipik nuk e pranon kollaj tokën e re dhe njerëzit e saj, i sheh vetëm probleme, ia shan zakonet, gjellët, jetën. Kështu ndodh edhe me lidhjet mes shqiptarëve dhe arbëreshëve: secili grup e sheh veten superior, i sheh tjetrit defekte “gjenetike” të pakëmbyeshme, fatale. Por përqafimi aktiv i këngës tregon se, në rrafshin simbolik, gjithë kontradiktat janë zhdukur, dhe ne ende kemi fuqi të prodhojmë dy diskurse totalisht të kundërta në të njëjtën kohë: diskurse reale, të përditshme e që i besojmë. Dhe diskurse të rreme romantike si ai i unitetit të paluajtshëm kombëtar, dashurisë për atdheun e përsosur që lamë e na përlot e na bën të këndojmë me zjarr e të ndihemi superiorë në ditë të caktuara të vitit. Thua të jetë prapë e tillë rruga drejt mbajtjes së gjuhës dhe kulturës edhe në shekullin e XXI?

Besoj se Frederik Ndocaj mendon tamam kështu. Varianti i “O e bukura More” i Ndocajt bën komodifikim më të drejtpërdrejtë të këngës që me siguri i drejtohet një publiku emigrantësh të sotëm shqiptarë. Ky variant është edhe më “pa lidhje” me këngën arbëreshe. Tonet patriotike “me të dredhur të zërit” përforcohen sepse Ndocaj as nuk e përdor fare fjalën “More” por e zëvendëson atë në të gjitha rastet me “Shqipri”, dhe sapo e mbaron këngën e plotë, hidhet në vargjet “Vajta, kalova gjithë Kalabrinë, askund nuk gjeta si Shqipërinë”. Në këtë pikë nuk e di cili kompilim është më pak fin: ai që ngjit këngën e mortit me atë të dashurisë dhe i patriotizon që të dyja, apo ky i Ndocajt që do të prekë me çdo çmim emigrantin.[vi]

Në poezinë “Atje kam” të vëllimit me të njëjtin titull të vitit 2004, poeti arbëresh Giuseppe Schirò Di Maggio, me zgjuarsinë parashikuese tipike të burrave të moçëm arbëreshë, luan me këto rikuptimësime që i bëhen Moresë ashtu si edhe këngës “O e bukura More”, sido që ai nuk ka parasysh atje variantet shqiptare të diskutuara më sipër. Di Maggio, arbëresh i vërtetë, por i shekullit të XXI, e sjell Morenë e largët, koncept i ndryshueshëm dhe i dyshimtë, në rrafshin e “sot-it” dhe “këtu-së”:
E Bukura More e sprasme është “këtu” ku jam.

“Këtu” kam u zotin tatë, “këtu” kam u zonjën mëmë
“këtu” kam edhe tim vëlla, gjithë mbuluar në “këtë” dhe (atdhe).”

Jam e sigurtë që kënga fatlume e Moresë do vazhdojë të lakohet mes nesh në kuptime e interpretime të reja, legjitimiteti i të cilave nuk vendoset nga tjetërkush veç publikut. Por lëmshi pa formë i këmbimeve “More”, “Arbëri” “Shqipëri” nuk dëshmon atdhetarinë tonë, por mungesën e një “atdheu” real dhe dëshirën për ta rikrijuar atë në fantazi. Në fakt duhet mësuar nga G. S. Di Maggio dhe duhet kërkuar dhe gjetur atdheu “këtu” dhe “tani”./voal.ch