Himara dhe Vlora, pro shoqërisë për zhvillimin e rajonit Vlorë-Gjirokastër

Bashkia e Himarës dhe qarku i Vlorës votuan sot pro nismës së deputetit të PS-së në qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima për  ngritjen e një shoqërie tregtare me emrin “Konsorciumi për Zhvillimin Rajonal sh.a.” me kapital të përzier privat dhe publik, i cili synon të zhvillojë rajonin Vlorë-Gjirokastër.

Votimi i sotëm, me shumicë votash pro, nga qeverisja vendore në bashkinë e Himarës dhe në qarkun e Vlorës, hap siparin e miratimit të projektit zhvillues për rajonin Vlorë-Gjirokastër.  Siç u vendos në takimin më të fundit, të mbajtur më 17 dhjetor, me pjesëmarrjen e deputetëve të PS-së, drejtuesve të njësive vendore të rajonit Vlorë-Gjirokastër, si dhe me përfaqësues të rëndësishëm të biznesit shqiptar, do  të punohet bashkërisht për të nxitur projektet e zhvillimit në rajon. Konsorciumi për zhvillimin e rajonit Vlorë-Gjirokastër, një iniciativë e deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima është një shoqëri me kapital të përzier, privat dhe publik, e cila do të zhvillojë biznes në rajonin e jugut. Objekti i kësaj shoqërie do të jetë zhvillimi. Ajo do të kryejë një numër të caktuar shërbimesh, do të identifikojë potenciale dhe resurse, do të bëjë studime fizibiliteti, do të dizenjojë projekte investuese, do të gjejë dhe bashkojë këto potenciale dhe projekte me partnerë privat-privat, privat-publik, ose publik, të cilat duhet t’i kryejnë këto investime dhe do të realizojnë zhvillimin në rajonin Vlorë-Gjirokastër, investime, punësim, prodhim, eksporte, taksa dhe të ardhura për buxhetin e shtetit e mirëqenie për qytetarët. Kjo shoqëri, e cila do ta ketë zyrën në Tiranë dhe një zyrë edhe në Bruksel, do të lobojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, që kanë programe zhvillimi si BE etj.

Në të do të përfshihen rreth 10 bashkitë rajonit Vlorë-Gjirokastër, të cilat kanë shpreh shumë  interes për të marrë pjesë, ndërsa kontributi i tyre financiar, në shumicën e rasteve, është i papërfillshëm. Partnerët privatë që do të përfshihen në këtë shoqëri janë nga bizneset dhe sipërmarrësit e elitës së Shqipërisë. Kjo shoqëri do të mobilizojë ekspertë, specialistë dhe punonjës, të cilët do të merren gjithë kohën me zhvillimin e rajonit. Sipas deputetit Kokëdhima, kjo shoqëri do të ndihmojë që të aplikohet dhe të merren këto projekte dhe nuk shpërndan fonde e pasuri shtetërore apo tjetër. Është një shoqëri e së drejtës tregtare e bazuar në ligjet e shtetit që prodhon shërbime dhe mobilizon njerëz me të cilët mundëson zhvillim, mundëson të bëhen dhe aplikohen projekte në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, të gjenden partnerët që të investojnë dhe realizojnë këto projekte.