Hapja e bisedimeve me BE, Hahn: Reforma në drejtësi, prioritet kyç

Komisioni Europian vijon të monitorojë nga afër Shqipërinë mbi zbatimin e politikave të ndryshme që lidhen me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Unionin.

KE bën me dije se do të informojë “në kohën e duhur” vendet anëtare të BE-së, por reforma në drejtësi mbetet kyçe për avancimin e vendit në këtë kuadër.

Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn theksoi jo vetëm miratimin, por edhe zbatimin e reformës në drejtësi kur u pyet nga TCH se kur do të nisë punën ekzekutivi europian për të përgatitur raportin e posaçëm për 28 vendet anëtare mbi përmbushjen e prioriteteve kyçe.

“Paketa e reformës në drejtësi është kyçe dhe njësoj, gjyqësori është i rëndësishëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Por është e rëndësishme edhe për të stabilizuar një shoqëri të hapur në vend. Prandaj, ne përqëndrohemi aty dhe me sa kam kuptuar, Shqipëria është e vendosur për të punuar me reformën e drejtësisë dhe për ta zbatuar atë. Shpresoj që shumë shpejt ky të jetë rasti, në mënyrë që një tjetër hap të përmbushet”, ka deklaruar Hahn.

Një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse për të forcuar pavarësinë, llogaridhënien, efiçencën dhe profesionalizmin e gjyqësorit konsiderohet hap i rëndësishëm edhe për të caktuar një pikë kthese pozitive mbi konsolidimin e sundimit të ligjit në vend, me një impakt afatgjatë domethenës në të ardhmen.

Prandaj, pritshmëritë e Komisionit janë që puna të avancojë përmes një dialogu konstruktiv ndërmjet të gjitha palëve të interesuara dhe duke ruajtur ritmin e duhur të angazhimit me Komisionin e Venecias.