Halil Kaculi: “Ëndrrat kërkojnë guxim ”

Miranda Keqaj
Ai kishte mbetur thjesht një emër. Edhe pse pas tij mund të fshihej një diplome, shumë ëndrra e shumë dëshira,  çdo gjë që kishte bërë ndër vite u barazua me zero. Ai tashmë kishte veshur mantelin e emigrantit të përhumbur nëpër rrugët e Londrës. Viti 97’ u kthye në një eklips që pamundësonte edhe dritën më të vogël të shpresës. Ishte momenti kur mijëra shqiptarë të imponuar nga zhvillimet dramatike në atdheun e tyre, morën vendimin e vështirë, për tu nisur drejt së panjohurës duke u detyruar të braktisin jo vetëm atdheun por edhe çdo arritje të deriatëhershme. Britania mbetej një “tokë e premtuar” sidomos për ata që nuk e kishin konsideruar thjeshtë një stacion kalimtar për udhëtimin e tyre përtej Atlantikut.
Nuk ishte e rëndësishme koincidenca apo fati i të gjendurit në Londër, sesa vullneti për tu shkëputur nga gjendja aspak e përshtatshme për ëndrrat që kishte pasur. Të njohurit e gjuhës angleze ishte një përparësi dhe e bënte atë pak më ndryshe, në vargun e gjatë emigrator.  Halil Kaculi do i “nënshtrohej fatit” për një periudhë të shkurtër kohe duke punuar si përkthyes, por çdo ditë e më shumë ishte i bindur që kjo është një pamjaftueshmëri e madhe.
Dita që do të paguante qeranë shënoi një kthesë të fuqishme, pikë së pari në mendjen e tij. Pikërisht në atë moment i linden ca ide, ca dëshira të reja, pati një ndjesi që duhej të provonte edhe më shumë.  Pikëpyetja sesi mund ta arrinte të kthehej nga qiradhënës në qeramarrës, pushtonte mendjen e tij, ndërkohë që besonte se asgjë nuk është e pamundur. Mbase nuk ishte aq shumë i bindur që pas disa vitesh, do të bënte të veten shtëpinë për të cilën dikur paguante. Halil Kaculi e dinte tashmë se ku duhej të fillonte.
Tek kjo shtëpi filloi të ndërtonte një ëndërr. Çdo përllogaritje duhet të sfidonte për humbjen e emigrantit shqiptar në metropolin Britanik. Vendosi të kapërcejë mundësitë e kufizuara që i ofroheshin në atë kohë, për të arritur ato objektiva që një student që sapo kishte mbaruar shkollën e lartë për inxhinieri, ia kishte vënë vetes.
Halili i përket gjeneratës së atyre studentëve që përmbysen diktaturën në Shqipëri dhe duket se guximi ishte rrënjosur tashmë në karakterin e tij. Atij akoma i kujtohet kryengritja studentore dhe shpërndarja e studentëve me shkopinj gome, i cili siç tregon ishte vetëm 2 metra larg dëshmorit të demokracisë Azem Hajdari, kur ndërhyri policia tek Liceu Artistik dhe i shpërndanë për tu mbledhur të nesërmen përsëri. Tashmë asgjë nuk ishte e lehtë, por as nuk kishte gjë për të humbur.
Ardhja e tij në Britani ndryshon krejtësisht rrjedhën e jetës së tij. As sot e kësaj dite nuk arrin që t’i përshkruajë mjaftueshëm me fjalë, ndjenjat dhe  mendimet që pati gjatë gjithë atij tranzicioni, pra kalimi nga një vend që nuk ofronte asgjë, në vend tjetër i cili kishte shumë më shumë për të ofruar. Vërtetë që nuk ishte e lehtë por tashmë nuk kishte kthim prapa.
E duke qenë ndër të parët që e ndërmorën atë rrugëtim, ai u bë mbështetje për shumë të tjerë që pasuan pas tij dhe kjo e bënte Halilin të shquhej për humanizmin e tij.
Puna si përkthyes e ndihmoi shumë dhe pas tre vitesh  1999-2002, të hyjë hyri në rrugën e biznesit të mirëfilltë, në “Business Property”. Intuita, parashikueshmëria, dedikimi dhe menaxhimi ishin shtyllat kryesore në të cilat nuk mund të zinte vend pamundësia. Arriti që me anë të disa veprimeve në dukje shumë të thjeshta, por që rezultuan jashtëzakonisht efikase, të cilat e dërguan pikërisht aty ku ai kishte edhe synimet e tij.
Suksesi nuk kishte sesi të mos vinte, në sajë të përkushtimit të tij ku duhet theksuar se ndryshimet drastike që ndodhën në “Business Property “ ndikuan favorizimin maksimal të kompanive që merreshin me shit-blerjen e pronave.  Çelësi i suksesit për Halilin është intuita që drejton njeriun, largpamësia, dëshira e madhe për të pasur gjëra që deri atëherë i mungonin.
Formimi arsimor e kulturor që ai kishte para se të nisej dhe eksperienca e duhur që fitoi me kohën, u kthyen në garantuese të suksesit të tij.  Të gjitha këto u bënë një shtysë që ai të realizonte diçka që nuk e kishte menduar që do të mund ta arrinte në një periudhë kaq të shkurtër. Ai tregon edhe një sekret të cilin e ka mësuar nga investitorët dhe  është shumë me rëndësi: “Veprimi i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur”.
Është krejt e natyrshme që të suksesshmit ta kthejnë të pamundurën në të mundur. Por Halili rrëfen që është edhe meritë e sistemit britanik. Suksesin ia dedikon babait të tij të ndjerë. Janë të pashlyeshme për të momentet e fëmijërisë së tij ku babai, ndonëse u paralizua kur ai ishte vetëm tre vjeç, u kujdes shumë që fëmijët e tij të shkolloheshin. E vetja mënyrë shkollimi atëherë ishte duke marrë borxhe dhe borxhliu i fundit shlyente të parafundit. Kjo është një gjë e cila vazhdoi për 30 vite me radhë. Vetëm kështu u mundësua shkollimi i të tetë fëmijëve. Ai ishte njeriu tek i cili gjente gjithnjë mbështetje dhe inspirim.
Një ndër prioritetet e Halil Kaculit ka qenë ndërtimi i një familjeje si ajo në të cilën u rrit. Vetërealizimin ai e shikon si plotpërmbushje të dy aspekteve; familjes dhe karrierës. Familjen ai e sheh si një dhuratë që zgjat përgjithmonë.  Ai ushqen vazhdimisht edhe ndjenjën e Atdheut sidomos tek fëmijët e tij. Halili thekson se këto të dyja shkojnë paralel dhe janë aq të pandashme saqë njëra pa tjetrën nuk do të kishin kuptim.
Në 2007 vendosi që së bashku me bashkëshorten e tij dhe fëmijët u kthyen në mëmëdhe dhe pas një periudhe prej pesë vitesh vendosën që të ktheheshin sërish në Britani.
Kur në qendër të bisedës vendoset atdheu, Halili thotë se “Atdheu është gjithçka”, duke shtuar se “shumë gjërave ua mësojmë vlerën kur nuk i kemi pranë”. Edhe pse terreni atje është pak më i  ashpër, nëse është vullneti dhe dëshira e duhur edhe atje mund të realizohet shumëçka, thotë ai duke treguar se edhe ai vetë ka investuar në mëmëdhe.
Padyshim që Halil Kaculi është model sesi arrihet suksesi në Britaninë e Bashkuar duke shfrytëzuar mjaftueshmërisht hapësirat dhe mundësitë që të krijohen. Ai përbën modelin e shqiptarit të integruar me sukses në shoqërinë Britanike dhe siç thekson në mesazhin e tij për bashkatdhetarët; që ruajtja e ruajtja e vlerave më të mira shqiptare është obligim për  gjithsecilin nga ne. Ai e thekson si domosdoshmëri edukimin e brezit të ri me këto vlera duke filluar nga gjuha shqipe, që është e pafalshme që shumë prindër shqiptarë në emigracion e neglizhojnë.
“Guxo për të guxuar”- mbetet thënia e tij që mesa duket i ka shërbyer në udhëtimin e tij drejt suksesit, dhe që do ta përçojë kryesisht për sipërmarrësit e rinj.