Greqia miratoi ligjin për nënshtetësinë

Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të mund të aplikojnë tashmë për marrjen e nënshtetësisë greke.

Ligji u votua këtë javë me mazhorancë të zgjeruar prej 179 deputetëve të SYRIZA-s, partisë To Potami, asaj komuniste dhe PASOK-ut.

Kundër votuan deputetët e Agimit të Artë dhe Grekëve të pavarur, si dhe ata të Demokracisë së Re. Në procedurën e votimit mori pjesë dhe votoi, edhe kryeministri Tsipras, në një akt që donte të theksonte rëndësinë e qeverisë së tij për integrimin më të mirë të emigrantëve të brezit të dytë.

Sipas ministres së Politikave të Emigracionit, Tassia Christodulopulu, janë tri kategoritë kryesore që përfitojnë nga zbatimi i ligjit të ri:

“Kemi fëmijët që u lindën këtu, për të cilët parashikohet që të marrin nënshtetësinë, përderisa regjistrohen në klasën e parë fillore. Domethënë, nuk e marrin automatikisht sapo lindin.

Kemi kategorinë e dytë, të fëmijëve që kanë ardhur këtu në moshë të vogël, domethënë lindën në një vend tjetër edhe erdhën më vonë. Këtyre u jepet nënshtetësia me kusht që të kenë kryer arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar, ose shkollën e mesme në Greqi.

Kategoria e tretë, janë ata që kanë kryer në Greqi shkollën e mesme dhe universitetin. Që edhe këta e marrin nënshtetësinë, si të rritur tashmë. Të tria këto kategori e gëzojnë të drejtën e marrjes së nënshtetësisë, pasi dëshmojnë plotësisht se janë integruar në shoqërinë greke”.

Dhënia e nënshtetësisë, të paktën fëmijëve që kanë lindur e janë arsimuar në Greqi, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komuniteteve të emigrantëve të huaj.