Grabitje me armë në Delvinë, dy të rinj vjedhin 15 milionë lekë

Dy të rinj kanë vjedhur me armë një shumë të madhe parash në Delvinë. A.Qoku, 17 vjeç dhe Idriz Qoku 19 vjeç nga Delvina mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Kalasë-Tatzat në vendin e quajtur “Perroi i Groshtave” i kanë dalë përpara një mjeti dhe kanë marrë një shumë parash.A. Qoku, i pajisur me armë zjarri tip automatik i ka dalë para automjetit tip Toyota me targa AA882BI, që drejtohej nga Idriz Baba, dhe nën kërcënimin e armës i kanë grabitur drejtuesit të mjetit shumën prej 15 milionë lekësh të vjetra, para që ishin të destinuara për shpërndarjen e pensioneve të rrethit Delvinë. Kjo shumë parash më tej ishte marrë nga Idriz Qoku dhe ishte fshehur në anë të një përroi. Në cilësinë e provës materiale nga ana e uniformave blu u sekuestrua sasia prej 15 milionë lekësh të grabitura, si dhe një gëzhojë arme. Gjatë marrjes në pyetje A.Qoku dhe Idriz Qoku kanë mbajtur mbajtur qëndrime pohuese dhe kanë dhënë shpjegime në lidhje me mekanizmin e kryerjes së grabitjes. 17 vjeçari ka shpjeguar se mbas kryerjes së krimit armën e zjarrit e ka hedhur në lumë. Gjithashtu policia e Sarandës ka proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” edhe 51 vjeçarin Vendim Baba, me detyrë punonjës i zyrës Postare Delvinë pasi dyshohet se ka transportuar sasinë e lekëve në kundërshtim me rregullat për transportin e vlerave monetare.