Grabitet agjencia e këmbimit valutor në Tiranë, merret një shumë e madhe parash

Eshtë grabitur një ‘Exchange’ në lagjen Laprakë në Tiranë. Ajo është konstatuar mëngjesin e sotëm kur pronari ka shkuar për të hapur dyqanin. Policia thotë se grabitja është kryer gjatë natës dhe alarmi ka rënë tre herë, por policët privat nuk kanë reaguar. Ndaj tyre ka nisur procedimi penal.
Sipas dëshmisë së pronarit të agjencisë së këmbimit valutor janë marrë 1.200.000 lekë (të reja), 3000 dollarë amerikan dhe 1000 dollarë kanadez.

Ngjarja ka ndodhur në Laprakë rrugë “Lord Bajron”. Shtetasit me iniciale A. P., 45 vjeç, V. M., 34 vjeç dhe L. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë SHPSF janë duke u ndjekur penalisht, pasi dyshohet se kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masat e duhura për vlerësimin e situatës. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes së ‘Exchange’, bën të ditur policia. /Opinion.al