You are here: Home » Lajme » Aktualitet » GJUHA SHQIPE – GJUHE INDOEUROPIANE

GJUHA SHQIPE – GJUHE INDOEUROPIANE 

Nga Ramiz Lushaj

Gjuha Shqipe bën pjesë në Familjen e Gjuhëve Indoeuropiane dhe është degë më vete në trungun e saj, pasi nuk rrjedh prej asnjërës nga gjuhët e sotme të saj. Karakterin indoeuropian te saj e trajtuan në vitin 1824, ndersa gjuhëtari i shquar danez, studiuesi dhe përshkruesi i 150 gjuhëve Rasmus Rash (1787 – 1832), e theksoi më 1835 studiuesi i shquar gjerman Xhozef Riber Ksilander (1794 – 1854) dhe e vërtetoi përfundimisht më 1854 gjuhëtari i shquar gjerman Franc Bopi (1791 – 1867), një nga themeluesit kryesor të Metodës Historiko – Krahasuese, në veprën e tij të famshme “Ueber das Albanesische in seinen verwandtscaftlichen Besichungen“ (“Mbi shqipen dhe lidhjet e saj farefisnore“).

Gj. Sh., e prejardhur nga Ilirishtja, si rrjedhim i evolucionit të saj historik, me zhvillime të brendshme të reja, nga pikëpamja tipologjike, sikurse edhe gjuhët e tjera indoeuropiane, është Gjuhë Sintetike – Analitike, duke u larguar nga faza e hershme si Gjuhë Sintetike, por ka ruajtur disa fakte e tipare gjuhësore të saj të trashëguara ndër shekuj mbijetese e konsolidimi si gjuhë kombëtare e shqiptarëve.

Nisur nga kjo, për krahasim, merren vetëm ato fjalë që janë të përbashkëta për disa gjuhë indoeuropiane, por që me kalimin e kohës mund të kenë pësuar ndryshime, ku hyjnë në rradhë të parë fjalë që tregojmë lidhje gjaku (át, ëmë, vëlla, motër, bir, bij); fjalë të tjera që gjejnë paralele në disa gjuhë e nuk mund të trajtohen si huazime (njeri, ujk, dimër, ari, elb, natë, gji, i bardh, i zi, i madh, bie, djeg), numërorët e thjeshtë (nga një deri në dhjetë), disa përemëra etj. Sjellim shembuj: – ulk, ujk, sanskritisht – vikah, latinisht – lupus, greqishte e vjetër – lykos, rusisht – volk, gjermanisht – Wolf, gotisht – Wolfs, anglisht – Wolf (Wulf). Tjetër: Shqip – ëmë, latinisht – matër, greqishte e vjetër – metër, sanskritisht – matar, lituanisht – mate, rusisht – mat, gjermanisht – mutter, anglisht – madhëri (mother) persishte e vjetër – lamatar, shqip – motër (kjo fjalë e ka ndryshuar kuptimin, sepse dikur kishte kuptimin nënë, ëmë). Edhe fjala dimër (dimën) ka korrespendencat e veta në gjuhët e tjera indoeuropiane: latinisht – hiems, greqishte e vjetër – heimón, kheimon, sanskritisht – hima (krahaso – Himalaja), sllavisht – rima. Këtij krahasimi mund t’i nënshtrohen edhe format gramatikore, edhe kuptimet e fjalëve që me kalimin e kohës mund të ndryshojnë, prandaj nuk është nevoja që të përputhen plotësisht. Marrim një shembull: fjala shqipe djath ka përgjegjësen e vet fjalën e sanskritishtes (indishtes së vjetër) dadhi (me kuptimin – hos) dhe fjalën e persishtes së vjetër dadan (me kuptimin – qumësht)

 

Të gjitha gjuhët indoeuropiane, duke u mbështetur në mënyrën se si i reflektojnë bashkëtingëllorët grykorë (tektale) qiellzore k’, g’, g’h, proces që mendohet se është kryer në mijëvjeçarin e dytë (p.K.), ndahen në dy grupe të mëdha:

a) Satem (Lindje)

b) Kentum (Perëndim)

 

Në këtë ndarje të madhe Shqipja bën pjesë në gjuhët Satem (Lindje) bashkë me gjuhët indoiranike, balto – sllave, armenishte (këtu hyn edhe arabishtja), sepse grykorët qiellzorë k’, g’ (q,gj), g’h, janë reflektuar në ndërdhëmborë: k’ në th, g’ në dh por edhe në d. Sjellim shembuj: latinisht – acidus (shqipto: akidus) e në shqip – i athët; latinisht e greqisht – lego e në shqip – (mbë) lodh, (zgë) ledh, zgjedh; latinisht – gener e në shqip – dhëndërr; latinisht – hiems e në shqip – dimër; fjala dorë është e ardhur nga një zonë indoeuropiane g’ hera.

 

Në grupin Ketum (Perëndim) hyjnë latinishtja (me bijat e saj), greqishtja, keltishtja, gjuhët gjermanike, tokarishtja, ketitishtja, ndonëse këto dy të fundit gjenden në Lindje (në Azinë e Vogël).

 

Gjuhën Ilirishte, nënën e Shqipes së sotme, disa studiues e kanë futur Kentum (Perëndim) e disa të tjerë në Satem (Lindje).

 

Gjuhët Indoeuropiane janë ndarë në dy grupe kryesore sipas mënyrës së reflektimit të bashkëtingëlloreve mbylltore të zëshme të aspiruara: bh, dh.

 

a) Një grup gjuhësh si sanskritishtja, latinishtja, greqishtja e vjetër, etj. karakterizohen nga ruajtja e shqiptimit të aspiruar.

 

b) Në një grup tjetër hyjnë gjuhët indoeuropiane, në të cilat bashkëtingëlloret mbylltore të zëshme të aspiruara, e kanë humbur prej kohësh shqiptimin e aspiruar, duke u shndërruar në bashkëtingëllore mbylltore të thjeshta Shqipja hyn në këtë grup bashkë me gjuhët gjermanike, keltike, baltike, sllave, me armenishten, iranishten, ketitishten, tokarishten, si dhe gjuhët e vjetra, të vdekura, të Gadishullit të Ballkanit: ilirishten, makedonishten, trakofrigishten.

 

Shqipja në këtë rast f-së latine dhe ph-së greke, i përgjigjet në fjalët e së njëjtës gurrë me një b, ose mbylltoret e zëshme të aspiruara bh, dh, kanë dhënë me shqip mbylltore të thjeshta, b, d. Sjellim shembuj: bie, e krahasuar me një bazë indoeuropiane b hero, sanskritisht – bharati, greqisht – phero, latinisht – fero, gotisht – baira, sllavishte e vjetër – bera, brat dhe armonisht – herem. Tjetër: shqip di, e krahasuar me sanskritishten dh i “mendime, dije“.

 

Në disa dukuri të tjera të hershme fonetike, siç është dukuria e kthimit të O-së së shkurtër indoeuropiane në a, Shqipja shkon me gjuhët indoeuropiane Veriore (gjuhët gjermanike, balto – sllave), duke u larguar nga gjuhët indoeuropiane Jugore (latinisht, greqisht), sepse në shqip, sikurse në grupin verior, ajo është reflektuar në a. Sjellim shembuj: shqip – natë, e krahasueshme me një bazë indoeuropiane + noct; sanskritisht – nakti, lituanisht – naktis, gjermanisht – nacht, latinisht – nex, noctis, greqishte e vjetër – nyks. Tjetër: në shqip – asht (i), e krahasuar me një bazë indoeuropiane + ost, sanskritisht – asthi, latinisht – os, osis, greqishtja e vjetër – ostcon.

 

Gjuha e sotme Shqipe, e prejardhur nga Ilirishtja, si një gjuhë e veçantë e trungut Indoeuropian, e lindur, zhvilluar e konsoliduar në trevën e Ballkanit, ka një sistem fonologjik origjinal, të përbërë prej 7 fonemash zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore; ka një sistem të larmishëm formash gramatikore; ruan mirë sistemin rasor (pesë rasa); ka sistem tri gjinish (mashkullore, femërore, asnjanëse – kjo e fundit është rrudhur në një grup të kufizuar emrash); sistemi emëror ka trajtën i shquar – i pashquar; ka nyje të përparme; sistemi foljor dhe emëror njeh fleksionin e brendshëm (dal – del, dash – desh); ka dy tipa strukturorë mbiemrash (të nyjshëm e të panyjshëm); të numërohet krahas sistemit decimal (dhjetë, tridhjetë), bashkëjeton edhe sistemi vigesinal (njëzetë, dyzetë); sistemi foljor ka një larmi formash mënyrore e kohore; koha e ardhshme është e ndërtuar në mënyrën analitike me dy forma: do + lidhore, kam + paskajore.

 

Gjuha Shqipe e prejardhur nga Ilirishtja

 

Nëna e Gjuhës Shqipe është Ilirishtja, prej së cilës ka mbetur një fond i çmuar me rreth 1 mijë fjalë, kryesisht emra vendesh, njerëzish, fisesh, banorësh, perëndish, të cilët ndihmojnë shkencërisht në dobi të vërtetimit të vijimësisë së shqiptarëve nga Ilirët dhe të Shqipes nga Ilirishtja. Në ndihmë të kësaj të vërtete shkencore vijnë disa argumente bindës:

 

1. Shqipja flitet sot në një pjesë të trojeve ku në periudhën antike flitej Ilirishtja. Trojet ku sot flitet Shqipja në krahasim me trojet e dikurshme të saj janë rrudhosur përgjatë shekujve si rezultat i disa arsyeve historike.

 

2. Ato pak elementë gjuhësorë që janë njohur si Ilirë gjejnë shpjegim me anë të Gjuhës Shqipe.

 

3. Format e toponimeve të lashta antike, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar në përputhje me rregullat e fonetikës historike të shqipes.

 

4. Marrëdhëniet e Shqipes me Greqishten e Vjetër dhe me Latinishten tregojnë se Shqipja është formuar si gjuhë në një periudhë të hershme në fqinjësi me këto gjuhë.

 

 

5. Të dhënat e arkeologjisë dhe të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë dëshmojnë ka vijimësi kulture nga Ilirët tek Shqiptarët.

Në këtë vështrim vlerë të madhe marrin veçanërisht emrat e qyteteve, maleve, lumenjve të trevave ilire, që dihen si të kohës antike, të cilët paraqesin një zhvillim gjuhësor nga trajta e lashtë në të renë në pajtim me ligjet fonetike të shqipes dhe me një mënyrë të atillë që trajta e tyre e sotme nuk mund të shpjegohet veçse me mjetet e Gjuhës Shqipe.

Këta emra kanë mbetur nëpër shekuj historie në gojën e shqiptarëve, në gojën e së njëjtës popullsi shqipfolëse që nga lashtësia pellazgo – ilire.

 

Emri i Albanoi-ve antik (fis ilir, të cilët i përmend Ptolemeu i Aleksandrisë në shekullin e dytë para Krishtit) vazhdon të rrojë edhe sot (i pashkëputur nga emërtimi i para dymijë viteve) si emër nacional i popullit e vendit në truall të Shqipes e në ngulimet shqiptare në Itali e Greqi, çka, edhe ky fakt, flet se jemi pasardhës të ilirëve e

Shqipja me vazhdim i Ilirishtes.

 

 

Sjellim shembuj me shpjegim të fjalëve ilire në shqip:

Dimale (emër i një qyteti ilir të Partinëve), Dimalum, e krahasuar me shqipen – Di – Dy Male.

Gurason, Gurbison (kështjella ilire në Dardani), kanë si rrënjë të përbashkët fjalën shqipe – Gur.

Lugeon (emri i një ligate në Istria, që e përmend Straboni) përqaset me fjalën shqipe – Ligatë.

Dard (ilirisht) – Dardhë (Shqip) – Dardania Delmatae, Delmatia – Delme, dele – (Dalmacia)

Scampis, Scampinus – Shkumbin

Aulona – Valona me Vlona – Vlora

Ulcinum – Ulqin (Ulk, Ujk)

Scodra – Shkodra

Lissus – Lesh, Lezhë

Mathis – Mat

Scardus – Shar (Malet e Sharit)

Thyanus – Çam, Çamëri

Naissus – Nish (vendbanim shqiptar në Sanxhak).

Scupi – Shkupi

Bardus – Bardh

Dasius – Dash

Teuta – Teuta

Vendum – Vend

Bardylis – Bardhyl

Drinus – Dri (lumë)

Dyrrachium – Durrës

Isamnus – Ishëm

Bato – Bato, Batushe

Marica – Marika

 

 

Dëshmi se Shqipja është bijë e Ilirishtes përbën edhe fakti i përkimeve në mes tyre në Fjalëformim, sidomos në prapashtesim, siç argumenton edhe gjuhëtari i mirënjohur Mahir Domi.

Sjellin shembuj:

Prapashtesa ilire – inium, që formonte emra vendesh (Ulcinium, Delminium) i përgjigjet nga ana e Shqipes – inj në shumësin e disa emrave (kopshtinj, kërmbinj).

Prapashtesa ilire este, esta, që tregon vend (Tergeste) është afruar me prapashtesën shqipe (ë) sht (kopsht, vnesht, vresht).

Prapashtesa e sotme ik (jetik, korrik) është shikuar si vijim i prapashtesës ilire – ica (ika) në emra personash dhe vendesh (Ditica, Cardica).

Me prapashtesën ilire – enia në disa emra njerëzish (Lassonia, Mallonia) është afruar prapashtesa e sotme shqipe onj (ulkonjë, shqiponjë).

Ka paralelizëm në mes emrave ilire të vendeve me prapashtesën ia (Dalmatia, Bantia) dhe shtresës më të vjetër të emrave me i që gjenden sot në Gjuhën Shqipe (Arbëri, Gegëri, Toskëri, Labëri).

Në thellim të një argumentimi shkencor gjuhësor në krahasimin e sistemit të Shqipes me atë të Ilirishtes, kemi edhe faktin se në fleksionin e emrit, në lakimin e tij, mbaresa me trajtën dyfishe a, i, që është element i shquarësisë (ara, mali) është shumë e vjetër, sepse na shfaqet në emra të lashtë ilir: Scodra, Scupi, çka e tregon qartë vijimësinë.

Edhe terminologjia e vjetër detare, vendase në lundrim dhe në peshkim, si edhe emërtime vendase në florë dhe faunë, dëshmojnë për banimin e shqiptarëve që në kohërat më të vjetra antike, qoftë në bregdet, qoftë në brendësi të vendit.

Sjellim shembuj: det, vá, gji, grykë (deti), shkulm, anije (e cila shkon me anë, enë shumësi i emrit enë është anë), pëlhurë e shumë emra peshqish.

 

Për prejardhjen e Shqipes nga Ilirishtja, për të vërtetuar se Gjuha Shqipe është bijë e Ilirishtes dhe Shqiptarët bijë të Ilirëve, ndihmojnë edhe disa fjalë që gjenden në dy gjuhët e vjetra klasike: latinisht e greqisht, fjalë që nuk gjejnë shpjegim në atë gjuhë, por që gjuhësisht hyjnë në sistemin e Ilirishtes dhe që shpjegohen me anë të Gjuhës Shqipe.

 

Sjellim shembuj: Fjala latine brisa (me kuptim bërsi) është afruar me shqipen bërsi (mbeturinat e farërave të disa perimeve e frutave). Tjetër: Në latinisht ecquars bardias (kali mbarsë), pjesa e dytë mbardias është shpjeguar me shqipen mbarsë (me barrë). Gjithashtu, nga greqishtja e vjetër fjalën diza (me kuptim dhi) Çabej e afron me shqipen dhiz – keç, por edhe dhi, ndërsa laros – pulëbardhë e lidh me shqipen larë – a (njollë e bardhë mbi lëkurë të shtazës); rhinos është afruar me shqipen re.

 

Huazimet latine e greke të shqipes, me karakterin e tyre arkaik, tregojnë se kanë hyrë, depërtuar herët në këtë gjuhë, fakt që provon praninë e shqiptarëve që në lashtësi në vendin e tyre të sotëm. Ato kanë shkuar plotësisht në hullinë e ligjeve fonetike të shqipes.

 

Sjellim shembuj: – Castellum (latinisht) – kështjellë (shqip); piscis (latinisht) – peshk (shqip); publica (latinisht) – Pukë (shqip).

 

Elementët grekë e latinë në gjuhën shqipe, thekson Çabej, tregojnë se historia e vjetër e saj është zhvilluar sferën e pandërmjetme të rrethit kulturor greko – romak e të ndikimit gjuhësor të tij.

 

Gjuha Shqipe gjatë sundimit romak arriti të dalë fitimtare në ndeshjen e fortë e të gjatë me latinishten, sepse i ruajti mirë veçoritë e veta dhe individualitetin e saj, pavarësisht se në thesarin e saj hynë mjaft elementë leksikorë latinë (si gështenjë, qen, pulë, qepë, pyll, qiell, mashkull, femër, ulli, mur, lepur, furk, luftë, ndrikull, shpatull, vaj, mik, kulleshtën).

 

Fakti që latinishtja nuk depërtoi në Strukturën Gramatikore të Shqipes dhe ruajtje prej Shqipes e origjinalitetit të një gjuhe të mëvetësishme indoeuropiane, i hedh poshtë disa mendime pa baza shkencore të ndonjë studiuesi fqinjë që propangandojnë se Ilirët u romanizuan plotësisht.

 

 

Faza e kalimit nga Ilirishtja në Shqipe dhe e “ngjitjes“ së Shqipes së hershme, është faza e parë, që karakterizohet nga ndeshja me latinishten (nga shekulli i parë para Krishtit deri në shekullin e shtatë pas Krishtit) dhe më pas Gjuha Shqipe u formua nëpërmjet evolucionit gradual të nënës së saj, Ilirishtes, nëpërmjet shndërrimeve të tilla, që kanë shënuar kalimin përfundimtar nga një gjendje gjuhësore në një gjendje gjuhësore të re, ashtu siç ndodhi me latinishten vulgare, në gjuhët romane, me gotishten e vjetër në gjuhët gjermanike, me sllavishten e vjetër në gjuhët sllave.

Për prejardhjen e Shqipes nga Ilirishtja, për hershmërinë antike të Ilirishtes flet edhe gjuha e mesapishtëve të vjetër (fise ilire që kapërcyen Adriatikun dhe u vendosën kryesisht në Italinë Jugore). Nga kjo gjuhë e vjetër mesapishte kanë mbetur rreth 300 mbishkrime, (që iu përkasin mesit të mijëvjeçarit të fundit para Krishtit, të shkruara me një alfabet të veçantë, që rrjedh nga alfabeti grek), të cilat, gjatë deshifrimit të tyre, janë vënë në dukje elemente të përbashkët me Ilirishten, duke u përqa esape aram, bilia, u krahasuan me fjalët shqipe arë, bijë (bilë). Tjetër: emra njerëzish: Dassius (ilirisht) – Dazimas (mesapatisht) – Dash (shqip).

 

Këto dëshmi gjuhësore (edhe me mesapishten) vërtetojnë se kombi shqiptar dhe gjuha e tij janë formuar në territorin e sotëm, në brigjet e Detit Adriatik e të Detit Jon.

 

Gjuha shqipe, sipas studiuesëve të huaj e shqiptarë ka përkime e paralelizme edhe me trakishten (një popull i madh dhe i moçëm në Ballkan e më gjerë që kurrë nuk u bashkuan në një njësi të vetme politike, i përbërë nga disa fise si Lakët, Getet, Mizët, Besët, Karpët, Peonët… e mendohet se edhe Trigasit, që shtroheshin prej Karpateve e deri në Detin Egje, prej Vardarit e Moravës e deri në Detin e Zi, të kufizuar nga Ilirët në Perëndim, Grekët në Jug, Iranasit në Lindje e Keltët, Baltët, Sllavët e popujt gjermanik në Veri). Historiani i njohur H. Tunman, në shek. XVIII, theksonte se Ilirët e Trakasit kanë qënë vërtetë dy popuj të ndryshëm se të tillë i bien edhe autorët e vjetër, por kanë qënë edhe afër me njëri – tjetrin, sa edhe fiset e tyre shkëmbeheshin, sa edhe janë përzierë njëri me tjetrin. Pra shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, por në formimin e tyre ka edhe komponentë trakë.

 

Nga trakishtja kemi disa mbishkrime, të zbuluara kryesisht në Bullgari, të cilat janë shkruar me alfabet grek, por, pavarësisht se lexohen mirë, ato nuk përkthehen, sepse janë gjuhë e panjohur etj. Gjithashtu janë edhe disa emra bimësh mjekësore, që i mblodhi në shekullin e parë (p.K) mjeku grek Dioskorides te Fisi i Dakëve e, veç kësaj kemi edhe një sasi emrash visesh e personash, të cilave studiues të huaj e shqiptarë disa i shpjegojnë me anë të shqipes.

 

Në shek. XIX, A. Poti, vuri re se fjala trake, mantia, manteia (ferrëmanzë) afrohet me shqipen man, biles në disa të folme të Moravës (Gilan) edhe sot fruti i manit shqiptohet amantia.

 

 

W. Tomashek më 1893-4 në veprën “Trakasit e Vjetër”, fjalët të mbledhura nga Dioskorides, i lidh me shqipen si fjalën amalusta (kamomil) me fjalën shqipe i ëmbël, shiare “gjëmbaç” e afro me shqipen shkjerr, shqerr “shqyej” dhe fjalën pinon (në trakisht – pije) e krahasoi me shqipen pije, greqishte e vjetër pino, sllavisht – piti.

Vasmeri dhe emrin e Karpateve (te Ptolemeu: Karpates oros “mali Karpat”) e afroi me shqipen Karpë “shkrep, shkëmb“. Me emrin e Karpateve shkon edhe emri i fisit trak Karpai e, në anën tjetër, shton Çabej, edhe emri i ishullit Karpathos në Detin Egje.

Vasmeri fisin trak Buroi, me qytezën Buridava dhe emrin e njeriut Buris – të gjitha i afroi me shqipen Burrë, ashtu sikurse edhe emrin e burrave ndër trakas Drenis e krahasoi me shqipen Dre

 

Emri i një mbreti trakas Burebista “burrë bisht, burrë i vogël”, me shqipen burrë dhe bisht apo të mbretit tjetër Decebalus “Daciball, balli i Dakëve” me fjalën shqipe ballë.

 

Emrat e qyteteve trake na dalin si kompozita me pjesën e dytë, dava, dova, para, ku dava, deva, ka pasur kuptimin kështjellë, qytezë, ndërsa para mendohet se ka pasur kuptimin: vend, kalim, va. Ndeshen në ato anë: Besapara, Drizupara, pjesët paraprijëse janë afruar me fjalët e shqipes besë, drizë, pra vendi i besëve, “fis trak”, vend drizash “vend kaçubesh”.

 

“Kur të merren parasysh më tej edhe huazimet e lashta prej iranishtes, si dhe takimet e moçme me disa nga gjuhët Finoungrike, thotë Çabej, dhe të peshohen me anë tjetër që dy Vargmalet e Europës Qëndrore – Lindore, Karpatet dhe Beskide “bjeshkë” – kjo e fundit me diftongim më vonë të e-së në ie), atëherë nuk do të shkelet, mendojmë, në dërrasë të kalbët, po të thuhet që Djepi i shkallës paraballkanike të shqipes në periodën europiane të gjuhëve indoeuropiane ka qënë në një zonë diku në Veri të Gadishullit të Ballkanit”.

 

 

 

Një fazë e re nis me ndeshjen e shqipes me sllavishten nga shek. VII deri më 1389, kur sllavët bien nën pushtimin otoman. Sundimi politiko – ushtarak sllav për periudha të gjata, presioni i gjuhëve sllave si gjuhë shtetërore, bënë që të krijohet një toponomi sllave dhe të depërtojnë në gjuhën shqipe një shtresë fjalësh sllave, duke lindur kështu një varg huazimesh sllave në përbërjen e saj leksikore.

Që nga ato kohëra ka mbetur toponomia sllave, krahas së cilës shpesh herë gjendet edhe toponomia vendase, si Dobrovoda – Ujëmirë, Zagoria – Tejmali, Zadrima – Përtejdrini etj.

 

Në fund të fazës së dytë (shek. XI) gjuha shqipe është tipar dallues i një njësie etnike jo të vogël; i shërben tani si mjet shprehjeje një kombësie – kombësie shqiptare, ku, një eveniment madhor ndodh në shek. XII, ku Shqiptarët do ta kenë edhe shtetin e tyre – Shtetin e Arbërit, që shënon një etapë të re në historinë shqiptare.

 

 

Gjuha e gjallë e Popullit Shqiptar:

 

 

 

Është arkiv i madh i së kaluarës, depozitë e paçmuar materiali dokumentar, pasqyra më e vjetër, më besnike e rrugës historike të një kombi apo të një bashkësie.

Gjuha Shqipe, si gjuhë e gjallë e Popullit Shqiptar, përmendet për herë të parë në vitin 1285 në një Dokument që gjendet në Arkivat e Dubrovnikut (Raguzës). Në hetimin e një grabitjeje në shtëpinë e Petro del Volcios nga Belena (më vonë Prati), një farë Mateu, biri i Markut të Mançës, që del se ka qënë dëshmitar i krimit, thotë: Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca (Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe).

 

 

Në vitin 1308 ndeshin një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim i Europës Lindore prej një Anonimi). Autori i veprës mendohet të ketë qënë një klerik frëng ose ndonjë murg polak i shkolluar në Francë, i dërguar nga Kisha në Serbi e në vendet të Ballkanit në rrugën drejt Lindjes (Tokave të Shenjta). Përveç pjesës që pasqyron rajone të ndryshme të Greqisë Bizantine, Bullgarisë, Serbisë, Hungarisë, Polonisë, Bohemisë etj. ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, ku ndër të tjera thotë: Habent enim Albani prefati linguam distinctam a latinis, grecis et sclavis ita quod in mullo se inteligunt cum alus nationibus (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popujt e tjerë)

Në vitin 1322 dy pelegrinë (udhëtarë) anglo – irlandezë për në Vendet e Shenjta Symon Semeonis (Simon Simoni) dhe Hugo Illuminator (Hygo Ndriçuesi) u ndalën në Shqipëri gjatë udhëtimi të tyre. Simoni bëri një përshkrim të udhëtimit të tij në “Intinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam” (“Udhëtimi i Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë”), ku, përveç të tjerave, shënon: Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam per se linguam habens (“Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë (Sllevëve) dhe Romanisë (Bizantit) me një gjuhë të veten”)

Në vitin 1332, Arqipeshkvi i Tivarit, Guliem Ade ose Adam (Guillaume Adae ose Adam: 1270 – 1341), klerik francez, me prejardhje nga Provanca e Francës por që shërben në Tivar gjatë viteve 1324 – 1341, i quajtur gabimisht edhe murgu Brokardus, harton një Relacion, latinisht, dërguar Filipit VI Valua, mbret i Francës, me këtë titull: “Directorium ad passagium faciendum ad Terram sanctum” (“Udhëzim për të bërë udhëtimin në Tokën e Shenjtë”), që jep dëshminë e parë që njihet gjer më sot për një traditë letrare në gjuhën shqipe, para shekullit XIV; në mos tjerash, ai shkruan: “Licet Albanenses aliam ommio linguama a latina habeant et diversam, tamen literam latinam habent it uso in omnibus suis libris” (“Sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë ata kanë në përdorim dhe në të gjitha librat e tyre shkronjat latine”). Kjo dëshmon se shkrimi i gjuhës amtare ka një traditë mjaft të vjetër në Shqipëri dhe se shqipja ka qënë shkruar shumë herët me shkronjat latine.

 

Dëshmi shkrimore të Shqipes:

 

Përgjithësisht historia e një gjuhe nis që nga koha kur ajo është shkruar. Kështu historia e shqipes duhet të fillonte në kohën që kur e gjejmë të shkruar për të parën herë, por në vitin 1555, vit i botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut. Mirëpo faktikisht dëshmitë shkrimore të Shqipes i kemi edhe pak më përpara.

 

1. Formula e Pagëzimit. Ndër udhëzimet që jep kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, mik i Skëndërbeut, në Qarkoren e tij latinisht, dërguar në Kryepeshkopatën e tij dhe në Peshkopatën e Lezhës, datë 8 nëntor 1462, porosit priftërinjtë që fëmijët e lindur të pagëzohen nga vetë familjet kur nuk mund të dërgohen në Kishë e kur nuk mund të shkojë prifti tek ata, duke e shkruar shqip Formulën që duhet përdorur për pagëzim: Unte paghesonit preemnit Atit et birit et spertit senit. (Unë të pagëzoj për emër të Atit, të birit e të shpirtit të shenjtë). Është shkruar gegërisht dhe me alfabet latin.

 

 

2. Perikopeja e Ungjillit. Këtu kemi dy pjesë të vogla shqip që ndodhen brenda një Dorëshkrimi greqisht. Fragmentet shqip nuk kanë të bëjnë me Dorëshkrimin greqisht: mendohet që të jenë të gjysmës së dytë të shek. XV. Ky Dokument shqip është përkthim i disa rradhëve të Ungjillit të Shan Mateut (kreu XXVIII) dhe mbaron me një përshëndetje shqip në njërën faqe, ndërsa në faqen tjetër ka një Këngë pashkësh, ku, bashkë me tekstin greqisht, jepet edhe teksti shqip. Përdoret alfabeti grek dhe dialekti toskërisht.

 

3. Fraza e Mallkimit. “Dramburi te clofto goglie. (T’u trembtë, t’u dridhtë goja). Është kjo një frazë që gjendet në një komedi latinisht me titull “Epirota”, botuar në Venedik më 1483 nga Tommaso de Mezzo. Në këtë Komedi, një këngëtar epiriot. (d.m.th. shqiptar), me emrin Damaskem shan një hanxhi sepse nuk ia pëlqen këngën, duke e mallkuar në gjuhën e vet “Dramburi te clofto goglie (T’u dridhtë goja), çka u ngjan shumë sot sharjeve që përdoren në gjuhën shqipe: T’u mbylltë goja, T’u thaftë goja, T’u dridhtë zëri, Të humbtë zëri etj.

 

4. Fjalorthi i Arnold fon Harff-it. Kalorësi, udhëtari dhe shkrimtari gjerman Arnold fon Harff (1741-1805), i lindur në një familje fisnikësh në Rinin e Poshtëm, në vjeshtën e vitit 1496 u nis për një udhëtim në Vendet e Shenjta. Gjatë udhëtimit ai mblodhi materiale për gjuhët që ndeshi në vendet e ndryshme: shqiptare, greke, kroate, hungareze, bretone, baske, turke, arabe, hebraike etj. Në bregdetin ai bëri një ndalesë në Ulqin, Durrës, Sazan. Në një ndalesë në Portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur po udhëtonte me anije tregtare me vela, nga Venetiku për në Aleksandri, ai shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe 12 numërorë shqip, duke u vënë edhe përkthimin gjermanisht: boicke (bukë), oie (ujë), grona (grua), misch (mish), poylle (pulë), krup (kripë), myr (mirë), kale (kalë), elbe (elb), pyske (peshk), dua (dy), jast (gjashtë), state (shtatë), nante (nëntë), pijneto (pije). Ka mundësi që fjalët nuk janë marrë ashtu siç duhet dhe nuk janë transkiptuar (shënuar) mirë. Me të mbërritur në Durrës ai shkruan: “Nga Ulqini për në Durrës lundruam me një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh, i rrënuar nga turqit e që tani është nën sundimin e Venetikut. Ky qytet shtrihet në Shqipëri ku banorët kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, me që në këtë vend ata nuk kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe, të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë” (d.m.th. me alfabetin gjerman).

 

5. Në vitin 1555 botohet vepra “Meshari” që është një libër kishtar i shqipëruar e hartuar nga Gjon Buzuku, i cili, deri më sot, njihet si autori i parë i letërsisë shqiptare. Ky botim është më i vjetri libër i shtypur që ka arritur të mbijetojë ndër motmote deri në shek. XXI.

 

Kjo vepër tregon për një traditë shkrimi të shqipes, çka e tregon gjuha relativisht e përpunuar e saj edhe ka një rëndësi të madhe për historinë e shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqiptare.

 

 

Kryedialektet e Gjuhës Shqipe.

 

 

Sigurisht do të ishte një nërmarrje jo e plotë po ta nisnim historinë e Shqipes vetëm me dokumentet e shkruara, pasi këto nuk janë i vetmi dokument burimor, por gurrë e gjallë për këtë qëllim është vetë gjuha shqipe me dialektet e saj, e cila ndihmon për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme të gjenezës së popullit shqiptar. Të dhënat e dialekteve të sotme të shqipes, ruajnë, ku më shumë e ku më pak, elemente fonetikë, trajta morfologjike, ndërtime sintaksore, fjalë e frazeologjizma edhe më të lashta se ato që mund të ruajë më i vjetri dokument i shkruar.

 

 

Gjuha Shqipe, bijë e Ilirishtes, që mbijetoi në shekuj të historisë, sot flitet në Dy Dialekte kryesore: Gegërishtja në pjesën Veriore dhe Toskërishtja në pjesën Jugore.

Në mes këtyre dy Dialekteve ka këto dallime:

 

· Hundorësia në Veri, (me bã, hãna, nãna) dhe mungesa e saj në Jug .

 

· Rotacizmi në toskërisht (zëri, rëra) dhe mungesa e tij në gegërisht.

 

· Paskajorja e tipit me punue në Veri dhe për të punue në Jug.

 

 

· Grupi vv në Veri (vorr) dhe va në Jug (varr).

 

Këto dallime më thelbësore si Hundorësia, Rotacizmi etj. janë të një moshe shumë të madhe, mendohet para shekullit VIII para Krishtit, biles disa e çojnë këtë kufi kohor edhe më përpara, deri në shekullin e X.

 

 

Të gjitha ndryshimet e tjera dialektore të gjuhës shqipe janë të periudhave të mëvonshme, sepse, siç pohon Çabej, zbërthimi dialektor i sotëm i shqipes është përfundimi i një diferencimi, i kryer shkallë-shkallë në rrymë të kohëve.

Është vërtetuar plotësisht, shkruan Prof. Dr. Xheladin Gosturani, se pak shekuj më parë, dy Dialektet tona, megjithëse ishin formuar me tiparet e tyre themelore, në shumë pika qëndronin më afër njëra-tjetrës se sa qëndrojnë sot. Gjuha e një autori të Veriut, si Gjon Buzuku (1555) dhe e një autori Jugor, si Lekë Matrënga prej Siçilisë (1592) paraqesin më shumë tipare të përbashkëta ndërmjet tyre, nga ç’paraqesin dy Dialektet kryesore në gjendjen e tyre të sotme.

 

Gjuha e Buzukut afrohet me ligjërimet e toskërishtes e shpesh herë me ato të Kolonive të Greqisë e të Italisë më tepër se sa afrohet sot Gegërishtja me Toskërishten, qoftë me ruajtjen e grupeve të zanoreve (kujtuam), qoftë në ruajtjen e grupeve të bashkëtingëlloreve, qoftë në ruajtjen e zanores ë, çka dëshmon qoftë afërinë e Dy Dialekteve kryesore të Shqipes.

 

 

Shqipja – Njësi Gjuhësore dhe Dy Dialektet e Saj

 

 

Përbrenda dialektit të Gegërishtes ekzistojnë ndryshime që burojnë mbase nga një fazë më e lashtë se sa më të vjetrat ndryshme që kanë ndërmjet tyre Gegërishtja me Toskërishten.

 

Vihet re se Gegërishtja është më e zbërthyer në të folme dhe më pak e njësishme se sa Toskërishtja. Në disa tipare më konservative është Gegërishtja e në disa të tjerë Toskërishtja dhe në disa të tjerë dy dialektet inovojnë ose inovon njësi dialekt pavarësisht nga tjetri.

 

 

Për arsye të ndryshme të karakterit historik, ekonomik e social, me mungesën e një organizimi shtetëror të mirëfilltë e të një qarkullimi rrugor të rregullt, me shpërnguljet e brendshme të popullsisë, me kontaktet e pakta krahinë më krahinë, me dallimet fetare e faktorë të tjerë, ligjërimet e ndryshme të shqipes në periudhën e pushtimit osman, shkruan Prof. Çabej, morën një rrugë jo aq afruese se sa më fort larguese, pra në një farë vështrimi një zhvillim më fort divergjent se sa konvergjent. Pastaj tradita e shkrimit, e cila në kohët e para të pushtimit osman kishte marrë një hov të ri në Shqipëri, për disa rrethana të brendëshme e të jashtme, vërtetë se nuk u ndërpre krejt gjer në Rilindjen letrare të shek. XIX, por megjithatë ra fash (në heshtje) më shumë pikëpamje. U kufizua në një letërkëmbim tregtar e privat, në shkrime të hartuara për qëllime praktike të shërbimit fetar e në disa shkrime laike të karakterit pak a shumë privat që mezi qarkullonin përbrenda disa rretheve të ngushta shoqërore.

Një fakt i tillë nuk ndihmonë në afrinë e dialekteve por, përkundrazi, në lindjen e veçorive të reja dialektore, pra dialektet e shqipes gjatë pesë shekujve të fundit kanë kryer evolucione, zhvillime të pavarura në vetvete që i kanë larguar edhe më tepër njëri nga tjetri. E rëndësishme është që ato dikur kanë qënë shumë më afër, çka dëshmon se kemi të bëjmë me një Njësi Gjuhësore e, si rrjedhim, edhe me një popull që e flet atë – me popullin shqiptar.

 

Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete, duke u larguar gjithnjë e më tepër nga të folët popullorë, atëherë me kohë paraqitet mundësia e një diglosíe, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës.

 

Megjithë ndryshimet dialektore që kanë ndodhur në këta katër – pesë shekujt e fundit, studimet e gjëra dialektologjike kanë treguar se elementët e përbashkëta në të dy dialektet e shqipes janë më të shumta nga ç’mendohej në të kaluarën; janë pikërisht ato që kanë ruajtur ndër shekuj Njësinë e Gjuhës Shqipe, duke mos lejuar që të krijohet te ne një diglosi a triglosi.

 

Mbështetur në fakte shkencore të pakundërshtueshme pohohet se dallimet në mes dy dialekteve të shqipes janë fare të vogla dhe të parëndësishme në krahasim me dialektet e gjuhëve të tjera të botës.

 

Në kumtime, në komunikime, në biseda krejt të lira, një shqipfolës në skajet më Veriore të trevave shqiptare, në fshatrat më të thella të Kosovës, nuk ka asnjë pengesë, asnjë vështirësi për t’u marrë vesh me një shqipfolës në skajet më Jugore të trojeve shqiptare, çka tregon se struktura gramatikore, fondi themelor i fjalëve është krejt i njëjtë, krejt i përbashkët, sidomos në strukturën leksikore e fjalëformuese afria e dialekteve më e madhe se në fonetikë. Dallimet në morfologji e në sintaksë janë të pakta e të parëndësishme për shqipfolësit.

 

Albanologu i shquar danez Pedersen shprehet: “Shumë herë është thënë se nuk ka njësi gjuhësore në Shqipëri, se dialekti i Veriut ndryshon krejt nga dialekti i Jugut, kështu që marrëveshja midis këtyre dy pjesëve të Shqipërisë është e pamundur. Po ky pohim është krejt i rremë. Ndryshimi midis të dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël se sa ndryshimet dialektore që janë midis shumë gjuhëve të tjera e nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi. Një i huaj që ka mësuar një nga këto dialekte nuk gjen asnjë mundim serioz për të kuptuar tjetrin dialekt… Gjuha shqipe lipset të jetë mburojë për folësit e saj dhe një vegël e shenjtë për rritjen mendore dhe arsimore të kombit shqiptar“.

 

Ramiz Lushaj

Maj, 2007

 

Related posts:

Add a Comment