Gëzim Qendro: Pse refuzova të takoj Kumbaron

Gëzim Qendro, në cilësinë e anëtarit të jurisë ka shpallur dje fituesin e “Onufri XXI”, duke shpjeguar paradokset e këtij çmimi që prej zanafillës e deri tani, publikuar si ekspozitë ndërkombëtare, por e trajtuar si garë lokale

Intervistoi: Violeta Murati

Ekspozita “Onufri” ka pasur dilema dhe anatemime duke u vënë në pikëpyetje ekzistenca, qoftë edhe këtë vit. Ju jeni nga personalitetet me përvojë në artet pamore, si dhe e keni iniciuar këtë ekspozitë. Çfarë mund të na thoni për statusin e Onufrit dhe vëmendjen që duhet të marrë?

Besoj se ka vend të diskutohet ekzistenca e ‘Onufrit’, pasi nuk shoh ndonjë ekspozitë të organizuar çdo vit nga shteti që ka dinjitetin e saj. Janë 21 vjet, bashkë me këtë edicion, që do të thotë se është tashmë një traditë dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos e shkatërruar këtë. Ky është një institucion brenda një institucioni. Sidomos kur mendoj se me marrjen e statusit ndërkombëtar është nga mundësitë e vetme dhe shumë të pakta për artistët shqiptarë për t’u ballafaquar. Nga ana tjetër e me mundësitë që kemi pasur gjithmonë ka qenë monologu ynë i vazhdueshëm në artet pamore. Më kujtohet për shembull ‘Onufri’ i ’98-ës, kur për herë të parë kjo ekspozitë solli edhe kuratorin si praktikë artistike. Mendoj se ka disa merita që po të hiqej, po të prishej të lihej mënjanë do të humbisnim. Pra historia e artit postmodern shqiptar është e lidhur me Onufrin. Emra të mëdhenj shumë të njohur për herë të parë i ka sjellë Onufri. Në këtë hapësirë mendoj se nuk duhet të mendojmë më, nëse duhet apo jo. Unë nuk mora pjesë në diskutimin që u bë në Ministri për të thënë që mua më duket pa vend, apo që të vij e të diskutojmë duhet apo nuk duhet Onufri. Jam shumë i kënaqur që u kthye përsëri dhe shpresoj që diskutimi të jetë apo mos të jetë, është krejt i panevojshëm e duhet lënë mënjanë.

Ju keni shqyrtuar punët e Onufri, a mund të na flisni në këtë kontekst mbi lëndën që ka ekspozita e 21-të, si e shikoni në nivel për sa i takon prurjeve nga jashtë dhe brenda të artistëve. Besojmë se juria ka një vlerësim për këto punë, meqë tani është më e lirë të flasë?

Sigurisht tani mund të flasim për prurjet. Për mendimin tim ky Onufër është pak i veçantë, sepse janë disa emra të cilët janë jashtë konkurrimit. Për shembull, Yoko Ono nuk mund të vijë e të konkurrojë me Erosin, do ishte një ndeshje e pabarabartë për shumë arsye. Pra s’mund ta marrë Erosi dhe mos ta marrë Yoko Ono, apo njerëz që kanë bërë histori në artin bashkëkohor. Unë mendoj se këtu duhet të jemi më të kujdesshëm për të ruajtur një linjë me të cilën ka filluar Onufri dhe vazhdon ta ketë, nuk e shoh si gabim a ndonjë mëkat, por mendoj që ky ballafaqim të jetë i mbështetur më shumë në këtë organizim. Duhet të them se Galeria ka bërë një punë të jashtëzakonshme, sepse unë e di se ç’do të thotë, nga përvoja e dikurshme, të lëvizësh një vepër të Yoko Ono dhe koston e veprës së Abrahamoviç & Ulay. Kështu që, është me të vërtetë një punë që duhet lëvduar dhe e shoh që Galeria ka krijuar tashmë traditë për të menaxhuar situata të tilla.

Duke u vënë në këtë garë artistët që ju përmendët me artistët shqiptarë nuk është një diskriminim artistik, por pothuaj e pamundur për të konkurruar, pikërisht ndarja e emrave artistë shqiptarë më vete dhe atyre të huaj?

Nuk ka ndarje, këta janë të gjithë të ftuar. Dje dhe sot nuk kemi diskutuar nëse do t’ia japim Yoko Onos apo Erosit. Ata që në fillim ishin të përjashtuar, pasi janë vepra që kanë bërë në vite më të hershme. Kriteri ka qenë se duhet të jenë vepra që nuk janë ekspozuar më parë, dhe në harkun kohor nga një edicion tek tjetri. Vepra që ka fituar përmbush plotësisht kriteret. Këtu u bë një përzgjedhje, nga e para, e më pas u zgjodh edhe fituesi. Unë do të doja t’i shprehja Erosit përgëzimet e mia, pasi është një vepër vërtetë shumë e mirë, shumë e qartë; njeriu i sotëm që jeton në këtë hartë të realitetit në të cilën janë disa mediume që e krijojnë këtë hartë. Pa ulur vlerat edhe të artistëve të tjera, jam shumë i sigurt që kemi bërë zgjedhjen e duhur. 

Atëherë, cilët kanë qenë në garë, a mund ta sqarojmë këtë situatë të sivjetme të “Onufrit”?

Mendoj se Galeria nuk duhet të bëjë këtë gabim, të jetë ndërkombëtar, e të ndajë çmim lokale. Nuk di si e ka përvoja e ekspozitës së Mulliqit, së cilës i referohen por qëlloi rastësisht se këta ishin të gjithë artistë shqiptarë.

A mund të marrim një propozim konkret nga ju për konceptin e Onufrit, se siç duket, është krijuar një kakofoni si duhet të funksionojë, e mban një debat kjo?

Në një moment të caktuar unë mendoj se, nuk është ndonjë gabim fatal që të ftohen emra kaq të mëdhenj. Por do të isha me argumentin se, nëse do ishte e mundur, që prurjet ta lejojnë këtë gjë, që të jenë vetëm artistë të huaj dhe vendas. Çmimin e merr kushdo nga këta, cili të jetë më i miri por që kanë veprën të ekspozuar për herë të parë. Pra, ka një rregullore e cila e përcakton shumë qartë dhe mendoj se këtë vit për shkak, mendoj jo të galerisë, pasi prurjet kanë qenë të tilla sa u detyruan të bëjnë këtë kompromis. Mendimi im është se do të bëhej një garë shumë më e fortë, nëse nuk do të përjashtohej askush për kriteret por do ishte një garë që do përmbushte krit3ret. Shpresoj se galeria do të bëjë këtë. Ky ishte gati një aksident dhe me të drejtë na thanë se, meqë ishte diskutuar shumë se nuk do të hapej, pasi vjet nuk u bë, artistët nuk dinin nëse do të mbahej Onufri, ndaj pati prurje shumë të pakta. Është një aksident që Onufri e pëson edhe për shkak të një historie që folëm pak më parë.  U vu në dyshim vetë ekzistenca e tij, dhe mbase shumë artistë menduan se mbase nuk bëhet, prandaj janë të këqija këto situata, të panevojshme e të padobishme, jo fitimprurëse për gjithë situatën artistike. Nuk duhen lëshuar sinjale të tilla që një institucion si Onufri të vihet në diskutim, nëse të bëhet apo jo! Tradita nuk prishet, Venecia ka mbi 100 vjet dhe askush nuk ka folur. Ky është një sinjal për gjitha institucionet përgjegjëse të kulturës, të cilat duhet patjetër çfarë janë krijuar tradita, festivale mbi dhjetë vjet, nuk duhen prishur, për asnjë arsye. Onufri është një nga këto organizime artistike.

Modeli i Prishtinës kundërshtohet në Tiranë, pavarësisht se GKA e ka aplikuar tashmë në këtë edicion

Aksidenti i Onufrit XXI: Ekspozitë ndërkombëtare me garë lokale?!

Ekspozita ndërkombëtare ‘Onufri’ ishte e hapur për artistë të huaj bashkëkohorë, po ashtu edhe për kuratorët. Dikush në Galerinë Kombëtare të Arteve ngatërron statusin me konceptin e Onufrit. Me status kjo është një ekspozitë ndërkombëtare e arteve pamore, ku brenda ka konceptin e konkursit. Duke ecur me logjikën e Mulliqit i hapur ndërkombëtarisht, por çmimi i jepet autorëve lokalë sot, ky konkurs ka krijuar një situatë kakofonike dje. Pothuaj edhe vetë specialistët e Galerisë janë përplasur mes tyre, të parët e pohojnë por të tjerët e kanë parë absurde këtë dalje të beftë të konceptit, dje para mediave, pasi është gërmuar më tej mbi “diskriminim” midis artistëve me zë, dhe të rëndësishëm të skenës botërore. Ndonëse punët e tyre ishte një transferimin i mjaft viteve më parë. Thuhet se kjo ishte një lloj ndarje që u bë edhe në diskutim me kuratorët pasi ata propozuan konceptin kuratorial. Qëllimi pse ishin vendosur artistët “lokalë” përballë të ftuarve të rëndësishëm lidhej me tregimin mbi historinë e trajtimit të këtij materiali të veçantë të qelqit, ku vepra e artistëve të njohur zënë një vend të veçantë në historinë e artit. Mendohet se artistët shqiptarë e përpunuan këtë material brenda një konteksti! Por në fakt, pyetja më me rëndësi, është nëse Onufri do të vazhdojë me këtë koncept: ekspozitë ndërkombëtare me garë lokale? Galeria jep përgjigjen: çdo vit do të adaptojnë propozimet e reja, sipas kuratorit, të hapur për të ndërtuar mbi të konceptin.