Gary Becker – ta shohësh jetën si ekonomist

Nga Adrian Civici

Të gjithë jemi “të pushtuar nga ekonomia”

Gary Becker zë një vend të veçantë në mjedisin ekonomik. Së bashku me ekonomistët Theodore Schultz dhe George Stigler bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “shkolla e dytë e Çikagos”.Origjinaliteti i Gery Becker sintetizohet më së miri në një shprehje të famshme të tij të artikuluar në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit Nobel në ekonomi në vitin 1992: ta vlerësosh jetën si një ekonomist. Ndryshe nga shumica e ekonomistëve neo-klasikë të shkollës së Çikagos, së cilës ai i përket, Becker nuk propozon një model “homo oeconomicus” stereotip standard. Kur Becker flet për një vendimmarrës racional, kjo nuk nënkupton që ai duhet të reagojë në mënyrë mekanike, por në mënyrë të arsyeshme duke i marrë vendimet në përputhje me vlerësimin e avantazheve dhe pengesave. Natyrisht, individi, konsumatori, sipërmarrësi, tregtari, etj., nuk disponojnë dot një informacion të plotë e perfekt në momentet e marrjes së vendimeve, por në çastin kur ata bëjnë zgjedhjen e tyre, vendosin qartësisht në peshore “sa i kushton kjo zgjedhje apo ky vendim dhe sa fitojnë apo humbin prej tij”? Punimet e tij mbi analizën ekonomike të kriminalitetit hodhën bazat e zhvillimit të “analizës ekonomike të së drejtës” duke ndikuar në njëkohësisht si në teorinë ekonomike ashtu dhe në teorinë e së drejtës. Becker arriti të modelizojë edhe sjelljen e kriminelëve nën një optikë racionaliteti.

Ky është thelbi i lakonizmit të Becker: “ta shohësh jetën si një ekonomist”. Në shkencat ekonomike, por dhe në disa të tjera, emri i Gary Becker atashohet me shprehjen “pushtimi nga ekonomia” apo “imperializmi ekonomik”, gjë që nënkupton shtrirjen e analizës dhe “lenteve ekonomike” në fenomene e objekte që kanë qënë domen i shkencave dhe disiplinave të tjera si sociologjia, psikologjia, kriminologjia, jurisprudenca, edukimi, etj.

Interesi, idetë dhe analizat e Gary Becker synojnë pikërisht evidentimin e këtij racionaliteti të aplikuar në shumicën e vendimmarrjeve, pavarësisht specifikave të objekteve apo marrëdhënieve në tregje të ndryshme.

Becker avancoi në drejtime të paeksploruara si nga ekonomistët, sociologët dhe juristët duke shtruar pyetje që përputhen plotësisht me sentencën e tij të të parit të jetës si një ekonomist: “Ekonomia e krimit” – cili është probabiliteti i evidentimit dhe kapjes së një keqbërësi apo krimineli … sa i rëndë është dënimi i tij në raport me përfitimet që ai ka patur nga akti i tij?; “Ekonomia e martesave dhe divorceve” – si dhe sa ndikojnë pasojat ekonomike e financiare në vendimet për martesë apo divorc në një shoqëri të dhënë”; “Ekonomia demografike ose e fertilitetit” – sa dhe si ndikon puna e femrave, paga e tyre dhe kosto e edukimit të fëmijëve në vendimet për numrin e fëmijëve për familje”; “Ekonomia e edukimit” – sa dhe si ndikon çmimi, cilësia dhe koha e harxhuar për një nivel të caktuar edukimi në zgjedhjen e individëve për ta ndjekur atë, për t’u pajisur me një diplomë dhe shpresuar një punësim që kompenson kohën dhe paratë e shpenzuara? etj. Këta shembuj mund të duken të çuditshëm, por Gary Becker ka gjetur këndvështrim dhe instrumentet e duhura të analizës për të treguar “optikën ekonomike” mbi të cilën funksionon shoqëria dhe merr vendimet individi.

Në fillim të karrierës së tij, ai heziton të zgjedhë ndërmjet ekonomisë dhe sociologjisë, duke i dhënë kështu gjithë analizave dhe punimeve të tij një karakter të dyfishtë, duke i hapur ekonomistëve fusha studimi që deri në këtë kohë konsideroheshin si “pronë e sociologjisë” apo dhe psikologjisë: edukimi dhe formimi profesional, diskriminimi racial, vendimet familjare, kriminologjia dhe sjelljet e kriminelëve, mekanizmat e presionit politik etj. Becker ishte i bindur për mundësinë e vlerësimit të ndikimit të faktorëve ekonomikë në tërësinë e sjelljes njerëzore, për shtrirjen e analizës ekonomike përtej marrëdhënieve të tregut, për zbulimin e “racionalitetit ekonomik” dhe në shumë aspekte të tjera të jetës së përditshme të tilla si martesa, divorci, fekonditeti, vetëvrasja, mëkati, etj. Megjithatë, për Becker-in, analiza e proceseve të zgjedhjeve individuale duhet të ishte pa asnjë dyshim, pjesë e mendimit neoklasik tradicional, se teoria ekonomike ofronte nëpërmjet platformës neoklasike mënyrën më të mirë të analizës për studimin e çështjeve sociale.

Diskriminimi kulturor dhe tregu i punës

Në librin e tij “The Economics of Discrimination” (1957), Becker vlerëson se diskriminimi është një problem ekonomik, dhe për pasojë, në studimin  e tij mund të aplikohen të njëjtat instrumente të analizës ekonomike si për gjithë problemet e tjera ekonomike. Sipas tij, diskriminimi kulturor vjen nga fakti se tregu i punës shpërblen dhe mjaft cilësi që nuk shprehen nëpërmjet diplomës apo nivelit të shkollimit, cilësi që varen nga origjina sociale. Një pjesë e punëdhënësve “ka një sjellje të veçantë ndaj diskriminimit”, sjellje në emër të së cilës ata pranojnë dizavantazhin konkurrues, pasi refuzojnë të marrin në punë kandidatë të vlefshëm duke u vendosur kështu në një situatë ekuilibri jo-optimale. Kur një punëdhënës i bardhë punëson shumë pak ose aspak punëtorë me ngjyrë, ai vepron sikur kosto e kësaj fuqie punëtore të ishte e barabartë me w(1+d), ku w është paga mesatare, ndërsa d është koeficienti i diskriminimit. Ekonomia e diskriminimit krijon mundësi që të shpjegohet më qartë edhe vetë teoria e kapitalit human, e cila e vetme nuk arrin të japë argumente të qarta për diferencat në pagë kur cilësitë profesionale dhe produktiviteti i të punësuarve është i njëjtë.

Becker tregoi me shembuj konkretë se punësuesit e bardhë janë gati të pranojnë koston shtesë që atyre iu vjen nga sjellja diskriminuese ndaj afro-amerikanëve. Në vend që të aplikojë hipotezën standarde që punëdhënësit interesohen vetëm për produktivitetin e të punësuarve, se të punësuarit injorojnë karakteristikat e kolegëve të tyre të punës, dhe se konsumatorët interesohen vecse për cilësinë dhe çmimin e mallrave apo shërbimeve që blejnë, Becker përdor “koeficientët e diskriminimit” të cilët integrojnë influencën  e racës, seksit, ngjyrës, pamjes etj., në mënyrat e sjelljes. Sipas tij, shumë njerëz mund të refuzojnë të punojnë si vartës të një femre afro-amerikane edhe pse mund të paguhen mirë për këtë post pune, shumë blerës nuk preferojnë të blejnë në dyqanet e afrikanëve, portorikanëve  apo aziatikëve thjesht sepse i përbuzin apo nuk i vlerësojnë ata,etj. Vetëm duke e zgjeruar në këtë drejtim hipotezën tradicionale është e mundur të kuptohen dhe shpjegohen vështirësitë dhe pengesat e mjaft projekteve apo politikave në mbështetje të integrimit të emigrantëve apo të ecurisë normale të karrierës së emigrantëve në fushën ekonomike e sociale.

Kapitali human ose ekonomia e sjelljes dhe kohës

Becker mendon se individët, qofshin këta sipërmarrës, kryefamiljarë, nxënës, hajdutë, politikanë, të papunë, beqarë etj., kanë secili objektiva të qarta e të qëndrueshme, të cilat kërkojnë t’i realizojnë në mënyrë efikase. Ai propozon një konceptim të ri të burimeve apo mjeteve në dispozicion të agjentëve ekonomikë: paralelisht me të ardhurat, pasurinë apo pagën, Becker përfshin në analizën e tij dhe kohën e harxhuar jashtë tregut dhe kapitalin human. Këto burime kanë një kosto të matshme. Kështu p.sh., koha që një grua shtëpiake i kushton fëmijëve të saj matet me sasinë e pagës/të ardhurave që ajo humbet duke mos qenë në punë të rregullt. Në librin e tij të njohur “Human Capital” (1964), Becker sugjeron se kërkesa për edukim reagon në funksion të kostove direkte e indirekte të shkollimit e edukimit dhe variacionit të të ardhurave potenciale që mund të fitohen nga ky shkollim.

Sjellja e studentit identifikohet me atë të një investitori racional që krahason atë që atij i kushton shkollimi me të ardhurat që do të përfitojë më vonë në karrierën profesionale si efekt i këtij shkollimi. Kosto e formimit të kapitalit human krahasohet me të ardhurat e ardhshme që individi do të përfitojë nga puna dhe kualifikimi i tij. Kjo kosto ka natyra të ndryshme: kosto edukimi, shërbime mjekësore, kërkim informacioni, stazh profesional, zhvendosje gjeografike etj. Të gjitha këto konsiderohen si një investim për kapitalin human, investim që duhet të jetë rentabël, pra t’i japë frutet e tij në të ardhurat e mëvonshme që kanë burimin pikërisht nga vënia në shfrytëzim e këtyre kapaciteteve të fituara të kapitalit human.  Në këtë kontekst, Becker analizon dhe mënyrat se si duhet të financohen sistemet edukative dhe ato shëndetësore: nga një pikëpamje është logjike që individët duhet të paguajnë për studimet e tyre, sepse qenia e tyre falas i çon në shpërdorime dhe neglizhencë ndaj tyre, si dhe zhduk konkurrencën ndërmjet institucioneve arsimore; ndërsa nga ana tjetër, duke parë efektin e madh që edukimi dhe shëndeti kanë në cilësinë e kapitalit human, në rastet me interes të dukshëm publik, është e justifikueshme dhe një financim publik i këtyre sistemeve.

Ekonomia e krimit dhe “rendimenti financiar i krimit”

Në studimin “Crime and punishment: An economic approach “ (1968), Becker propozon një analizë ekonomike të krimit dhe korrupsionit. Ai studion mundësinë e aplikimit të arsyetimit ekonomik në teorinë pozitive të sjelljes kriminale dhe një politike  normative optimale kundrejt krimit. Becker mendon se individët i zgjedhin aktivitetet e tyre si një lloj konsumi individual. Të merresh me një aktivitet kriminal është thjesht një vendim individual që vë në balancë kostot dhe përfitimet nga ky aktivitet. Becker shkruan se ….”unë fillova të interesohem për krimet në vitet 1960, një ditë kur po shkoja në universitetin Columbia për mbrojtjen e një teze në teorinë ekonomike nga një student i imi. Meqenëse isha me shumë vonesë më duhej të vendosja me shpejtësi nëse do ta çoja veturën në parking apo do ta lija në rrugë kundrejt rrezikut të një gjobe për parkim të gabuar? Unë llogarita probabilitetin e marrjes së një gjobe, pasojat e saj si dhe çmimin e parkimit të rregullt. Vendosa të merrja riskun e lënies së makinës në rrugë.  Kur po hyja në sallë reflektova për faktin se autoritetet e policisë së qytetit kishin bërë ndoshta të njëjtën analizë si unë. Frekuenca e kontrolleve për parkime të gabuara dhe madhësia e gjobës duhej të vareshin nga vlerësimet e tyre për numrin e kundravajtësve si unë. Pyetja e parë që i bëra studentit të shkretë ishte nëse ai kishte studiuar ndonjëherë sjelljen optimale të policëve dhe shkelësve të rregullave, aq më tepër që në vitet 1950-60, mbizotëronte mendimi se sjelljet kriminale shkaktoheshin nga karakteri negativ i njerëzve apo nga sëmundje mendore të tyre, gjë që nuk përputhej aspak me rastin tim”.

Individët bëhen kriminelë në funksion të rendimentit financiar të krimit, të krahasuar me rendimentin financiar të pagës në kushte normale ligjore, përfshirë këtu dhe mundësinë e arrestimit apo dënimit. Është e rëndësishme të kuptohet se nxitja për të ushtruar një aktivitet ilegal bëhet më e fortë kur është e vështirë të gjesh një vend pune normal e të rregullt, apo kur ndëshkimet kundra krimit janë të buta apo kur neglizhohet zbatimi i tyre. Korrupsioni përbën një treg me ofertën (atë të funksionarëve apo politikanëve) dhe kërkesën (atë të bizneseve dhe individëve) e tij. Edhe në këtë rast, tregu i korrupsionit dhe “çmimi” i tij funksionon si raport i kërkesës me ofertën. Ekuilibri i tyre përcakton sasinë optimale të korrupsionit, në sensin që lejon një çmim të dhënë ekuilibri ndërmjet sasisë së ofruara dhe atyre të kërkuara të korrupsionit. Becker nënvizon rëndësinë që kanë masat ndëshkuese ndaj korrupsionit si mjeti më efektiv i luftës kundër tij. Por, dhe perfeksionimi i metodave të zbulimit të korrupsionit ka rëndësi të madhe, pasi i jep më tepër vlerë masave ndëshkuese. Becker tregon me shembuj konkretë se kur sanksionet janë efektive, kjo cilësohet dhe si “mospagim i krimit”, pra, aktivitetet kriminale shkojnë drejt shuarjes me përjashtim të atyre që pranojnë një shkallë të lartë rreziku.

Familja si një ndërmarrje

Në 1981, Becker boton librin “Trease on the Family” në të cilin e paraqet familjen si “një ndërmarrje të vogël: vendimi për të pasur fëmijë, p.sh., mund të analizohet si një kërkesë për “mallra të qëndrueshëm” afat-gjatë. Ky vendim mbështetet mbi një sjellje racionale të prindërve të cilët kanë preferenca përsa i përket sasisë dhe cilësisë së fëmijëve të tyre, dhe sasisë së shpenzimeve që duhet të bëjnë për të arritur nivelet që dëshirojnë. Becker evidentoi se në këtë rast ekziston një ekuilibër real tregu, por me çmime fiktive. Zvogëlimi i përmasave të familjeve, pra, rënia e numrit të fëmijëve për familje, shpjegohet nga rritja e kostos për çdo fëmijë, kosto në para, kohë e impenjime që prindërit duhet të bëjnë për fëmijët në raport me objektivat e tyre. Edhe vetë vendimi për tu martuar është i ngjashëm me motivacionet që i shtyjnë individët për të krijuar një ndërmarrje: të dy partnerët lidhen nëpërmjet një kontrate specifike në mënyrë që të reduktojnë koston e transaksioneve.

“Organizimi i prodhimit në ekip” kushton më pak se rinegocimi i vazhdueshëm “ndërmjet dy punëtorëve të veçuar nga njëri-tjetri”. Ndarja e punëve në gjirin e familjes shpjegohet me avantazhet krahasuese që krijohen nga diferencat gjinore biologjike. Nëpërmjet kontratës apo institucionit të martesës, femra “angazhohet në lindjen dhe kujdesin për fëmijët”, kundrejt mbrojtjes dhe garancisë në qëndrueshmërinë e familjes që jep mashkulli. Një martesë është optimale kur raportet e kontributit të dy bashkëshortëve janë teknikisht plotësuese në “prodhimin e përbashkët” që janë fëmijët dhe jeta familjare. Shtimi i divorceve shpjegohet me rritjen e pagës së femrave në tregun e punës dhe ekzistencën e politikave sociale që ndihmojnë gratë e divorcuara, elemente që i shtojnë atyre mundësinë dhe garancinë se mund t’ia dalin të vetme në përballimin e jetës dhe rritjen e fëmijëve.

Teori e re për sjelljen konsumatore

Gary Becker ka një kontribut origjinal në “teorinë e re të konsumatorit”. Tradicionalisht, analiza ekonomike e trajton konsumatorin si një agjent final, si një individ që fiton një sasi të ardhurash, që ka një sasi nevojash apo dëshirash që synon t’i plotësojë apo kënaqë duke blerë në treg mallra apo shërbime, duke qenë i limituar nga fuqia blerëse e tij. Megjithëse në përputhje me postulatin e çdo teorie ekonomike, konsumatori është një qenie racionale, llogaritës dhe maksimizues i utilitetit, roli i tij është pasiv. Ai kënaqet duke harmonizuar “shportën” e blerjeve në funksion të intensitetit të nevojave të tij, ndërmjet të cilave ai ushtron një seri arbitrazhesh ndërmjet parave që disponon dhe çmimeve që duhet të paguajë për të kënaqur nevojat.

Teoria ekonomike i konsideron nevojat dhe dëshirat si “ekzogjene”, dhe ekonomistët ja lënë sociologëve apo psikologëve detyrën që të shpjegojnë procesin e formimit të këtyre dëshirave. Problemi i vetëm i ekonomistëve është analiza se si aparati prodhues i përgjigjet ndryshimeve të strukturës së nevojave. Nuk kërkohet nëse ekziston apo jo një lidhje e ndërsjelltë ndërmjet mënyrës se si formohen apo evoluojnë të ardhurat dhe kësaj strukture nevojash. Sjellja e individëve në raport me punën, edukimin, shëndetin,etj., konsiderohen si të veçuara nga sjellja e konsumatorit në raport me zgjedhjet që ai bën në procesin e konsumit.

Gary Becker me analizën e tij e ndryshoi hipotezën tradicionale të ekonomisë së konsumatorit. Monetaristët hodhën idenë që konsumatori nuk ishte thjesht një qenie pasive, por ishte një individ llogaritës, i aftë që të “arbitronte në mënyrë ndër-kohore”, në të cilën shpenzimet e konsumit vareshin jo vetëm nga niveli imediat i të ardhurave të tij, por edhe nga parashikimet për nivelin e tyre në të ardhmen. Por, ndërkohë që monetaristët u kënaqën duke e shpjeguar këtë inovacion në kuadrin e analizës ekonomike dhe shpjeguan mënyrën se si formohet shpërndarja e të ardhurave të familjeve apo njësive ekonomike ndërmjet kursimit dhe konsumit (nocioni i “ciklit vital të kursimit”), Becker shkoi akoma më tej duke analizuar “mënyrën e sjelljes parashikuese të konsumatorit dhe reagimin e tij jo vetëm në marrëdhëniet ekonomike të tregut por edhe në ato jashtë tregut. Rezultat i kësaj ishte lindja e një teori të re mbi sjelljen konsumatore”, pika e nisjes të së cilës ishte se “blerja e një malli apo shërbimi nuk përbën një akt ekonomik final”.  Akti i konsumit nuk ishte veçse një “akt ekonomik ndërmjetës i përdorur nga konsumatori për të prodhuar një kënaqësi apo dëshirë finale, kënaqësi që për të njëjtin objekt mund të ishte i ndryshëm në përputhje me karakterin dhe specifikat e individit.

Në këtë optikë, konsumatori nuk ishte vetëm një qenie që konsumonte, por një agjent ekonomik që “prodhonte”. Që prodhonte kënaqësi për të cilat ai ishte konsumator. Pra, është një prodhues, që për të prodhuar kënaqësitë që ai  kërkon, përdor “inputet” që janë në fakt blerjet që bën në treg, si dhe një burimi tjetër krejtësisht jashtë skemave ekonomike klasike, por shumë thelbësore siç është “koha”. Konsumatori kërkon që të plotësojë në maksimumin e mundshëm kënaqësitë e tij në funksion të të ardhurave dhe kohës.  Në këtë pikëpamje, çdo akt individual konsiderohet si një akt ekonomik që kushtëzohet nga dy kufizime: “sasia e parave dhe sasia e kohës”. Shuma e të dyjave jep shumën totale të “të të ardhurave sociale” që konsumatori disponon për të kënaqur qëllimet e tij.

Përfshirja nga Becker e “kohës” në analizën e aktiviteteve të individit është elementi çelës i teorisë së re të sjelljes konsumatore. Prej saj rrjedhin tre konsiderata thelbësore: lejon që të shpjegohet pasioni shpesh irracional i shoqërive të sotme për akumulimin e objekteve, apo realizimin e shumë shpenzimeve “irracionale” thjesht e vetëm për “kënaqësi” shpirtërore apo “për t’iu bërë përshtypje të tjerëve”; na jep një vizion të ri për të shpjeguar arsyen e modifikimit në kohë të strukturës së blerjeve dhe modeleve të konsumit, e cilësuar dhe “destabilitet i preferencave”, ose siç shprehet Becker, “e vetmja gjë që ndryshon është çmimi i kohës”; na ndihmon për të zbuluar përse “liria e të konsumuarit” është më thelbësore se “liria individuale”.

Becker riformuloi teorinë e zgjedhjes së konsumatorit duke integruar në të edhe shpërndarjen e kohës të destinuar për punë shtëpiake. Ky model krijon mundësi që të analizohet oferta e punës dhe specializimi në detyrat apo “profesioneve” në gjirin e familjes. Utiliteti nuk vjen nga blerjet që kryhen direkt në treg, por vlerësohet si një “nënprodukt” i të gjitha llojeve të prodhimeve të familjes, pra dhe atyre që realizohen “jashtë tregut normal”. Becker analizon edhe pasojat që shkakton sjellja afektive e njërit prej anëtarëve të familjes për një anëtar tjetër, duke formuluar “teoremën e fëmijës së përkëdhelur”, e cila evidenton “rolin altruist në familje”. Supozohet se kryetari i familjes është altruist dhe preokupohet veçanërisht për utilitetin që gëzojnë anëtarët e tjerë të familjes duke marrë rolin e një “mirëbërësi”.

Në këtë rast, Becker nënvizon se kënaqësia që “mirëbërësi” ndjen nga mirëqenia e anëtarëve të tjerë të familjes çon në një lloj “infektimi të virtytit”. Fëmija apo fëmijët egoistë, duke parashikuar sjelljen altruiste të kryetarit të familjes, sillen në mënyrë të tillë që nxjerrin përfitim maksimal prej saj. Në këtë sens, vlerësohet se funksioni i utilitetit të familjes është ai i “mirëbërësit” i cili nuk e ka problem tërësinë e agreguar të sadisfaksionit në gjirin e familjes.

Sipas Becker, prindërit veprojnë shpesh në mënyrë altruiste kundrejt fëmijëve egoistë duke investuar shumë tek fëmijët e tyre në mënyrë që të evitojnë vetminë dhe varfërinë kur të jenë në moshën e pensionit, megjithëse në shumë raste investimi për fëmijët e kalon ndjeshëm investimin potencial për të garantuar të ardhura të mjaftueshme gjatë moshës së pensionit. Kjo sjellje i “detyron” fëmijët që të ndjehen përgjegjës për prindërit e tyre kur këta të kenë nevojë për ndihmë. Becker e vlerëson sistemin e sigurisë sociale si një armik potencial të familjes, i cili i dobëson lidhjet familjare prindër-fëmijë, dhe sidomos sjelljen altruiste të prindërve ndaj fëmijëve. Sipas tij, kjo shpjegon dhe fenomenin e shpërbërjes së familjes dhe tendencave të një jete sa më individuale të anëtarëve të saj, sidomos në vendet e zhvilluara apo ato me sisteme mbështetje sociale të zhvilluara.

Efektet e lirisë dhe fleksibilitetit në tregjet e punës

Në shumë artikuj të botuar në shtypin amerikan dhe europian në vitet 1980-të, Becker analizon shkakun e papunësisë në Europë në dekadën 1980-90 dhe konkludon se papunësia e lartë e kësaj periudhe nuk u shkaktua nga vështirësitë makroekonomike, por nga “ashpërsia e tregut të punës” dhe niveli i lartë i sigurimeve sociale dhe taksave që rëndonin mbi të punësuarit dhe pagat. Ai denoncoi pretendimet e politikave mbështetëse keynesianiste si dhe politikat e ashtuquajtura të “ndarjes së punësimit”: reduktimi i sforcuar i numrit të orëve të punës, në vend që ta rrisë punësimin e zvogëlon atë, pasi ai rrit artificialisht koston efektive të punës.

Megjithëse qeveritë europiane e gjenin politikisht komode të besonin se niveli i lartë i papunësisë vinte nga progresi teknik apo nga konkurrenca e vendeve të tjera, Becker konstatoi se SHBA dhe Britania e Madhe përballeshin me të njëjtat zhvillime si Europa kontinentale, por ato kishin nivel dukshëm më të vogël papunësie. Sipas tij, diferenca vinte si pasojë e fleksibilitetit dhe lirisë në tregjet e punës që ishte një dukuri tipike në vendet anglo-saksone. Por, përse nuk kopjohej modeli anglo-sakson i tregut të punës nga vendet europiane? Përgjigjja duhej kërkuar tek forca e madhe që kishin sindikatat në Europë dhe tek ekzistenca e “punëtorëve fiks”, të cilët përfitonin paga të larta dhe luftonin me çdo mjet e mënyrë për t’i ruajtur sa më gjatë avantazhet dhe privilegjet e tyre të fituara në kuadrin e modelit social europian dhe traditës sindikaliste.