Fotot e rralla: Durrësi dhe Shkodra në vitin 1914

Koleksioni fotografik i Markeze di San Xhuliano
(Marchese di San Giuliano)

 

Durrësi dhe Shkodra në vitin 1914

Diplomati dhe politikani italian, Antonino Paternò-Kastelo, Markeze di San Xhuliano i gjashtë (Antonino Paternò-Castello, Marchese di San Giuliano, 1852-1914), lindi në Katania të Siçilisë. Studioi për drejtësi dhe u zgjodh deputet në parlamentin italian. Nga dhjetori 1905 deri në shkurt 1906 ishte ministër i Punëve të Jashtme të Italisë. Në periudhën 1906-1910 ishte ambasador në Francë dhe në Britaninë e Madhe kurse në prill të vitit 1910 u kthye në Romë. Nga kjo kohë deri në vdekjen e tij në tetor të vitit 1914 ishte përsëri ministri i Punëve të Jashtme.

Markeze di San Xhuliano kishte një interes të theksuar për Shqipërinë, kuptohet në mbështetjen e interesave italiane në vend, dhe mbështeti fuqimisht pavarësinë e vendit në vitin 1912.

Mirëpriti Princ Vidin si Mbret i Shqipërisë dhe vëzhgoi nga afër ngjarjet e turbullta të pranverës së vitit 1914. Markeze di San Xhuliano ishte edhe mbledhës i pasionuar i fotografive dhe kartolinave. Shumica e fotografive të këtij koleksioni janë kartolina që ai ia dërgoi njërën pas tjetrës nuses së të birit të vdekur, Maria Paternò-Kastelo, Markeza di Kapici (Maria Paternò-Castello, Marchesa di Capizzi, 1881-1936), e cila për fat i ruajti. Në fund të viteve ‘70 koleksioni u zbulua në tregun e pleshtave të Palermos dhe u ble nga diplomati italian Ferdinando Saleo (l. 1936). Ky koleksion u botua nga profesori Xhuzepe Xharrico (Giuseppe Giarrizzo, l. 1927) i Universitetit të Katanias në vëllimin Diario fotografico del Marchese di San Giuliano(Ditari fotografik i Markeze di San Xhuliano), Palermo 1984, dhe nga vetë Saleo vetë në librin Albania: un regno per sei mesi, Palermo 2000 (shqip: Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri, Tiranë 2000). Ky koleksion përbën një dokumentacion të pakrahasueshëm për Shqipërinë gjatë sundimit të shkurtër të Princ Vidit.

*Marrë nga faqja e albanologut Robert Elsie