Foto: Dallimi mes një deputeti të thjeshtë me një të rëndësishëm

Shpesherë, politikanët shqiptarë, që nga nivelet më të larta, e deri te ata të bazës, parapëlqejnë që të trajtohen apo t’iu shërbejnë si të ishin pashallarë.

Në fakt, nuk janë të pazakonta pamjet, kur në Parlament, për shembull, punonjësit e Gardës, të cilët me ligj duhet të mbrojnë sigurinë fizike të personaliteteve të larta, keqpërdoren për të mbajturm karrigen e kryeministrit apo të kryetarit të Kuvendit, kur këta të fundit ulen apo ngrihen.

Me po të njëjtën mungesë thjeshtësie, politikanët e lartë kanë edhe nga një punonjës sigurie, që gjithashtu kujdeset për t’iu hapur apo mbyllur derën e makinës si dhe për t’iu mbajtur çadrën kur bie shi.

Pamje të tilla të kujtojnë atë të Papëve, që deri rreth 70-80 vjet më parë, ecnin vetëm mbi karrocat që transportoheshin nga njerëz, mbi supet e tyre.

Pamje të ngjashme na mbërrijnë sot nga Elbasani, ku gjatë një Marshimi Kunder Diskriminimit me iniciativë të drejtuesve të komuniteteve fetare, deputetja socialiste Evis Kushi duket teksa e mban çadrën e saj vetë, ndërsa socialisti i vjetër Taulant Balla, ka privilegjin e një çadërmbajtësi gjatë gjithë kohës, për t’iu shmangur reshjeve të shiut.