Filmi amerikan rrëfen historinë e emigrantit shqiptar

Filmi “Dreaming American” me regji të Lee Percy dhe me protagonistin shqiptaro-amerikan Praq Rado, do ta ketë premierën në Tribeca Performing Arts Center më 6 nëntor, e që andej do të marrë përmasa botërore përmes kompanive “Indie Flex” dhe “Short film tv”. Filmi do te prezantohet para 400 mijë studentëve në Nju Jork dhe Los Angeles.
Në rolin dytësor luan aktori i mirënjohur Giancarlo Esposito, të cilin e njohim nga roli i bosit të drogës, Gus Fring, në serinë e suksesshme “Breaking Bad”. Aktualisht, Lee kërkon që të sjellë në vëmendje debatin e emigracionit, si regjisor dhe skenarist, nëpërmjet filmit të shkurtër “Dreaming American”.

“Një mbrëmje në Nju Jork, një kamerier me emrin Praq Rado nga Shqipëria, bisedoi me mua për idenë e realizimit të filmit ‘Dreaming American’, në të cilin do të trajtohej jeta e tij. Fillimisht kam qenë skeptik, kur ai më pyeti për realizimin e një filmi, por kur Praq Rado nisi të më tregonte, ideja për filmin u shpalos brenda meje. Ishte nj histori prekëse, vuajtjet e këtij të riu më kanë frymëzuar shumë”, ka thënë Percy.

Filmi flet për jetën e Zef Ndojës nga Shqipëria, duke u bazuar në historinë e vërtetë të jetës së aktorit kryesor Praq Rado. “Dreaming American” është një histori plot humor, e trishtuar, por edhe bindëse, sepse tregon për luftën për mbijetesë, por edhe për lajthitjen e një të riu që do të jetë pjesë e Amerikës.

Pasi largohet nga Shqipëria, Zef Ndoja (Praq Rado) në moshën e re lufton për të mbajtur gjallë veten, dinjitetin e tij, por mbi të gjitha ëndrrat e tij, që mendon t’i realizojë për në Nju Jork së bashku me vëllanë. Mbijetesa është vetëm sfida e parë, sepse burokracia e fuqishme ndaj emigracionit, është pengesa e parë që i del para.

Për performancën në filmin “Dreaming American”, aktori shqiptaro-amerikan kishte marrë komente pozitive nga audienca dhe kritikët e filmave në festivalet të ndryshme nëpër Amerikë.

“Historia ime është më shumë se puna e dashurisë”, shprehet Rado. “ Kjo histori nxjerr në pah, atë se çfarë po ndodh me shumë njerëz anë e mbarë botës. Unë ndihem krenar që ky film është përzgjedhur nga ‘11 CUNY’ dhe do të prezantohet para 400 mijë studentëve, që mund edhe të frymëzohen nga vuajtjet e mia”, ka thënë ai.

Filmi gradualisht është duke prekur audiencën nëpër botë, por njëkohësisht fton edhe shikuesit që të ndajnë historitë e tyre të emigrimit, në faqen zyrtare të internetit: www.dreamingamerican.com/share.