FIFA shkarkon sekretarin e përgjithshëm Valcke

Pas pezullimit të presidentit në detyrë, Joseph Blatter, si dhe zëvendësit të tij e njëkohësisht kreut të UEFA-s, Michel Platini, organi qeverisës i futbollit botëror FIFA ka përjashtuar këtë të mërkurë edhe sekretarin e Përgjithshëm të organizatës, Jerome Valcke.

Valcke, 55 vjeç nga Franca, aktualisht rezultonte i pezulluar nga të gjitha aktivitetet sportive, për shkak të përfshirjes së dyshuar në një skemë përfitimi nga shitja e biletave të Kupës së Botës.

FIFA kishte rekomanduar më herët se ai duhej pezulluar nga futbolli për 9 vite, ndërkohë që tashmë ka marrë vendimin për ta përjashtuar përgjithmonë. Valcke, i cili përballet me akuza për ryshfet në skandalin më të madh të korrupsionit që ka goditur FIFA-n, mohon të ketë kryer ndonjë gjë të paligjshme.

Hetimet për korrupsion në Shoqatën Ndërkombëtare të Federatave të Futbollit (FIFA) nisën fillimisht nga agjentë të FBI-së ndërkohë që hetime të ndara kanë zhvilluar edhe prokurorë zviceranë. Si rezultat i tyre janë përjashtuar nga aktivitetet sportive për 8 vitet e ardhshme Sepp Blatter dhe Michel Platini, si dhe janë akuzuar për korrupsion një sërë krerësh apo ish-kryetarë të federatave kombëtare të disa vendeve.