FIFA, krijohet “Task Forca” kundër korrupsionit. Blatter “paguhet” për Botërorin e 2026-s

Komediani anglez Simon Brodkin, i njohur ndryshe si Jason Bent, ka hedhur kartmonedha false në drejtim të Sepp Blatterit, në momentin kur ky i fundit kishte hyrë në sallën e konferencës së FIFA-s në Zyrih.

Në momentin kur ai hodhi paratë, u dëgjua të thotë: “këto janë për Botërorin e 2026-s në Korenë e Veriut”. Bent më vonë ka postuar edhe në Twitter për gjestin e tij. “I entuziazmuar për takimin me Sepp Blatter në FIFA për të siguruar Botërorin e 2026-s në Korenë e Veriut”, ka shkruar ai.

Bent që u largua menjëherë nga rojet e sigurisë, detyroi edhe Blatterin që të dalë nga salla, pasi nuk pranoi t’u drejtohet të pranishme me kartmonedhat rreth tij.

“Më parë duhet të pastrohet aty. Për momentin nuk jam në gjendje të flas për futbollin. Ky nuk është futboll”, ka thënë Blatter.

Ndërkohë, në vazhdim të kësaj konference u caktua data 26 shkurt, si dita kur do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të FIFA-s, ndërsa Blatter njoftoi edhe për ngritjen e një “Task Force” për të luftuar korrupsionin.

Kjo “Taske Force” do të përbëhet nga 11 persona të cilët do të dalin me përfundime se çfarë duhet të ndërmerret në të ardhmen, në mënyrë që të zhduket korrupsioni nga organizata e futbollit botëror.