Feim Ibrahimi-Dritëro Agolli, bisedat në shtëpi

Nga Valeria Dedaj

Pianistja Etrita Ibrahimi në 80-vjetorin e lindjes së babait të saj, kompozitorit Feim Ibrahimi ndalet për të rrëfyer kujtimet që ruan nga marrëdhënia e saj më të, si prind, por edhe si artist. Ajo tregon se kompozitori që shpeshherë dukej një njeri i qeshur, kishte trazira të mëdha shpirtërore. Duke e konsideruar për atë periudhë si një muzikant bashkëkohor, që i pëlqente muzika e përparuar e shekullit XX, tregon se për këtë arsye, heraherës, veprat e tij censuroheshin nga sistemi komunist. Pianistja mendon se ka qenë fat, që ata nuk e dënuan të atin për shkak të veprimtarisë së tij artistike. Sipas saj, ndoshta Ramiz Alia apo dikush tjetër, e ka mbrojtur nga lart. Edhe pse, fakti që nga një anë i jepnin dorën nga ana tjetër goditjen, duket paradoksal.

Zonja Ibrahimi, në 80-vjetorin e lindjes së babait tuaj, kompozitorit Feim Ibrahimi përpos vlerësimeve nga kolegët dhe koncertit në nderim të tij. Çmund të na thoni për raportin qëkeni pasur me të, jo vetëm si artist, por edhe si prind?

Mund të them që im atë ka qenë një person sa i qeshur dhe i gëzuar, aq edhe me trazira të mëdha shpirtërore, për shkak të muzikës që shkruante apo ideve të kishte, të cilat ishin jashtëkohore dhe jo bashkëkohore me atë periudhë. Ai ishte antidogmatik, antikonfromist, sepse i pëlqente muzika e përparuar e shekullit XX. Rrinte duke kërkuar kanalet e muzikës simfonike në radio, që ishin absolutisht të ndaluara asokohe dhe i dëgjonte fshehurazi.

Për 16 vjet ka punuar si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Si e kujtoni ju atë periudhë?

Përpos kësaj, pozicioni që kishte në Lidhjen e Shkrimtarëve e lejonte të krijonte lidhje me të huaj. Në fakt përpiqej shumë brenda kufijve që i impononte diktatura komuniste, përpiqej që të çonte përpara muzikën shqiptare. Bëri çfarë ishte e mundur derisa e futi në UNESCO në vitin 1992. Kjo ishte një përpjekje 20-vjeçare, nuk ishte diçka që ndodhi papritmas. Ky ishte personi i tij si artist. Por edhe si njeri, ishte i mbrujtur me ide të përparuara, ishte një filozof i lindur, sepse studionte edhe shkruante shumë esse. Ishte një baba strikt, i cili kishte parimet e tij, që m’i ka mbrujtur dhe mua. Megjithatë, ka qenë një baba shumë i dashur. Unë fatkeqësisht u shkëputa prej tij kur isha 20 vjeç, sepse fitova një bursë studimi dhe u largova për në Itali në vitin 1989. Të themi që, periudhën më të bukur, atëherë kur fillon dhe kupton se çfarë kërkon prindi prej teje, nuk e kam jetuar nga afër me të, por nga larg. Pavarësisht se puna i merrte shumë kohë, me mbledhje të pafundme deri në orët e vona, përveçse streseve të kritikave të veprave, që krijonin shumë trazira. Mund të them se ai ishte totalisht i përkushtuar ndaj familjes, ndaj mamasë sime edhe ndaj meje.

Ka pasur edhe vepra që i janë censuruar…

Po kanë qenë disa vepra të tijat që i janë censuruar. Është “Koncert nr.2”, për piano edhe orkestër në vitin 1975, që u luajt nga Margherita Kristidhi, por u censurua direkt, sepse kishte frymë tepër mistike, moderne. Kjo solli një seri problemesh. Po ashtu ka pasur kritika për një poemë vokale simfonike që ka shkruar në vitin 1978, “Tan Shqipnia është betue pa gjak malet mos me i lëshue”, që i dedikohej 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Në fakt, aty pas gjithë goditjeve u sëmurë dhe nga zemra. Aty nisi kalvari i tij me problemet kardiake. Në vitin 1981 u ndalua “Koncerti për oboe”, por edhe “Koncerti për piano”, shkruar në vitin 1971, pavarësisht se nuk iu ndalua bëri bujë të jashtëzakonshme. Çdo vepër shoqërohej me kritika.

Si i përjetonte babai këto kritika?

Ka qenë natyrë shumë e ndjeshme. Pavarësisht se në dukje nuk e jepte, të gjithë e mbajnë mend si një njeri të qeshur dhe të gëzuar, por ai ka pasur shumë probleme nga ana shpirtërore. Por të paktën mbeteshin vetëm kritika në procesverbale, ndryshe nga të tjerët që shpeshherë e kanë pësuar… Ne, fatmirësisht, nuk kemi vuajtur më tej. Madje asnjëri nga ne as sot e kësaj dite nuk e dinte se kush e mbronte nga lart. Duket pak paradoksale, sepse si ka mundësi që të censuroheshin veprat, kur ai kishte postin më të lartë që mund të kishte një muzikant atëherë, ishte sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 16 vjet. Ndoshta, Ramiz Alia apo dikush tjetër që nuk e di, e mbronte, sepse e shihte si një figurë intelektuali, si një artist dhe muzikant të mirëfilltë, të aftë. Nga një anë i jepnin dorën, nga ana tjetër goditjen. Kështu ka menduar ai vetë edhe ne.

Babai juaj ka qenë i pranishëm kur bëheshin këto procesverbale, e dinte se çfarëshkruhej në to…

Sigurisht, sepse ka qenë vetë prezent në diskutimet krijuese, sepse funksioni që kishte e detyronte që të ishte i pranishëm, donte apo nuk donte.

Por atëherë çfarë e mbante ende në këtë funksion, në momentin që ia censuronin veprat?

Mendoj se e bënte, edhe kam bindjen, nga dëshira për të bërë diçka për artin edhe muzikantët. Ai i ka ndihmuar shumë muzikantët. Kur shkonin për piano te Lidhja e Shkrimtareve ai ua jepte, sepse asnjë nga ne, nuk kishte mundësi që të blinte një instrument. Vinin herë pas here kontingjente pianosh, që ai ua shpërndante, pra të rinjtë i ndihmonte shumë, qofshin kompozitorë apo instrumentistë. E kishte të lindur dëshirën për të ndihmuar, qoftë edhe njerëzit në përgjithësi. Ata shkonin tek ai, sepse duke qenë se kishte një post që mund edhe të ndërhynte te njerëzit. Pavarësisht stresit të përditshëm që kishte për këto arsye. Gjithë këtë punë 20-vjeçare ai e futi më në fund në UNESCO. Të gjitha takimet që bënte edhe jashtë shtetit, ai i bënte në këtë sens, jo për veten e tij, sepse për vete bëri thjesht një specializim në Salzburg, për muzikën elekotrakustike. Ka qenë i pari që e ka eksperimentuar në Shqipëri në vitin 1994. Ndërsa, një periudhë qëndrimi në Baden Baden, jo një përpjekje që ai e bëri vetë, por një ftesë, që ia dërgoi shoqata e Bramsit për të prekur nga afër jetën që ka bërë ai.

Cila ka qenë kritika më e fortë që i kanë bërë, apo që ai e përjetoi më tepër?

Në përgjithësi, artistët kanë egon për të dalë gjithmonë mbi tjetrin. Në ato vite mënyra e vetme për të dalë ndoshta mbi një tjetër ka qenë kritika nga ana ideologjike. Të të thoshin që ke bërë gabime ideologjike ishte diçka e rëndë që kushtëzonte të ardhmen e një njeriu. Kështu që ai i ka përjetuar të gjitha njësoj, nuk mund të them se diku më pak edhe diku më shumë. Veprat janë si fëmijët, nuk është se ka mbetur më keq nga një apo një tjetër. Njerëzit dihet se kush ishin ata, fjala e të cilëve kishte më shumë peshë, prandaj ai i dinte raportet me ta, edhe nuk është se mërzitej më pak nga njëri apo tjetri.

Ju i keni lexuar procesverbalet nga mbledhjet e Lidhjes?

Po. Aty veprat i përshkruajnë si pjesë me tendenca moderne dhe revizioniste. Mjaftonin këto terma për të fundosur një njeri në atë kohë. Edhe në shtëpi, në atë kohë kishim frikë që të flisnim, sepse në zyrë e dinim se ai kishte përgjues nën tavolinë. Përgjuesi nuk ishte vënë në praninë e tij, por ishte zbuluar që ishte nën tavolinë. Madje miku ynë i përhershëm i familjes, Dritëro Agolli, me të cilin jemi edhe komshinj, shpeshherë thoshte: “Feim ne ndonjë ditë do të na fusnin në burg për këto që themi”. Natë për natë xhaxhi Dritëroi (siç i them edhe sot) vinte te ne. Kështu që, me nga një copë djathë dhe sallam apo çfarë mund të kishim atëherë në shtëpi, rrinin për të diskutuar për problemet muzikore të Lidhjes së Shkrimtarëve, sepse Dritëroi ishte kryetar. Prandaj diskutimet vazhdonin pa fund deri në orët e vona të natës. Agolli thoshte: “Do të na fusin në burg ndonjë ditë nga këto, sepse edhe muret kanë vesh”.

Po goditja më e rëndë në karrierën e tij artistike…

Goditja më e madhe iu dha në 60-vjetorin e tij, një ditë pas ditëlindjes nuk i dhanë asnjë mundësi për t’i dhënë më shumë shkollës apo kulturës shqiptare. Periudha e 60-vjetorit të tij përkoi edhe me periudhën e tranzicionit, që po kalonte Shqipëria, prandaj ka qenë dhe periudha me “tragjike” e tij. Këtë e ka shprehur edhe në muzikë. Muzika e shkruar pas vitit 1991-‘92 është e gjitha me një frymë tragjike, pesimiste, nuk sheh nota optimisti, përveçse ndonjë dritareje të vogël. Kështu që, e gjithë gjendja që u krijua ishte jo e mirë. Kjo ndikoi edhe në kushtet e tij shëndetësore. Kjo ka qenë periudha më e vështirë, nxjerrja në pension, pa asnjë lloj vlerësimi. Ndoshta kjo ishte për të gjithë artistët, por secili e përjeton te vetja e vetë atë që i ndodh, kjo atë e vrau shumë. Ndërsa ndarja nga jeta ishte shumë e papritur, pasi ai kishte ardhur në Torino ku jetoja unë. Më tha vetëm: “Kujdes mamin”.

Familja juaj ka bërë apel edhe për dixhitazlimin e veprës së tij. Çfarë është bërë deri tani?

Apeli që kemi bërë i drejtohet institucioneve të shtetit. Pasi jo vetëm në rastin e babait tim, por dhe në rastin e kompozitorëve të tjerë si: Çesk Zadeja, Tish Dija, Tonin Harapi, Kozma Lara, përveçse kompozitorëve që janë gjallë dhe që i shkruajnë vetë në programe kompjuterike, sot veprat që janë shkruar përpara, janë ende në dorëshkrime. Unë i shkruaj veprat e babait tim për aq mundësi dhe kohë sa kam, por është një proces shumë i gjatë. Duket sikur është i thjeshtë dhe kollajshëm, por përveçse shkrimit kërkon edhe kontrolle të shumta, pasi mund të bëhen dhe gabime.

Biografia

Feim Ibrahimi ka lindur më 20 tetor 1935 në qytetin e Gjirokastrës. Ai është një nga kompozitorët me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Studimet i bëri në Konservatorin e sapokrijuar në atë kohë të Tiranës më 1962 nën drejtimin e Tish Daisë deri në vitin 1966. Më pas ai do të jepte mësim në degën e kompozicionit e më vonë do të mbante dhe postin e nëndrejtorit të Institutit të Lartë të Arteve. Posti i tij më i lartë qe ai i sekretarit për muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1977–1991) ; më vonë qe edhe drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit. Pas rënies së diktaturës Ibrahimi u përpoq të bënte të njohur muzikën tonë jashtë vendit, por jeta nuk i la shumë kohë për këtë, pasi mbylli sytë përgjithmonë më 2 gusht 1997 në Torino.