Fasli Ruçi, sinonimi i suksesit

Kur u gjend në Londër, asnjëherë nuk do ta kishte besuar se në vetëm pak vite do të arrinte të ishte, jo thjesht një ndër biznesmenët e suksesshëm, por që emri i tij do të ishte mëse i mirënjohur për dyqanet e shumta Britanike si furnizuesi i tyre me mobiljet e të gjitha llojeve.
Metropoli Britanik ishte vendi ideal për rrugën e tij të suksesit. Hapësirat dhe mundësitё që t’i ofron Londra u shfrytëzuan më së miri prej tij. Arriti themelimin e një kompanie të suksesshme, në të cilën të punësoi jo vetëm bashkёatdhetarët shqiptarë, por dhe të huaj. Faslli Ruçin është e pamundur të mos e gjesh të zënë. Tavolina e tij e punës është e stërmbushur, me dokumente dhe kontrata që nga ato me Kinën e largët dhe deri tek kontratat me kompani të fuqishme, që marrin furnizime mobilierie prej tij.
Përfaqësuesit e kompanive më prestigjioze kanë gjetur partnerin që u duhej, kompaninë e suksesshme që drejtohet nga një shqiptar i thjeshtë dhe tepër modest. Pas vite e vitesh në rrugën e suksesit natyshëm i kujtohen momentet e para që u gjet në Londër.“EU Furniture” ishte emri i kopanisë që ai ideoi ndërsa mori një vendim. Tani e tutje ai do punonte për veten e tij. Kishte fituar eksperiencën e nevojshme dhe diku në perëndim të Londrës hapi një dyqan të vogël ku shiste mobilje. Ai kujton momentet e para ndërsa mori këtë iniciativë.
Gjithçka varej tek vullneti dhe përkushtimi i tij. Por një gjë e kishte të sigurtë. Do të punonte vetëm për veten e tij dhe nuk do të kishte më statusin e të punësuarit. Kishte shume besim në vetvete dhe nuk i mungonte kurajoja për të realizuar. Sfidat ishin para tij, por ishte ai qё do t’i përballonte duke kultivuar aftësitë menaxheriale. Ishte ai dyqani i vogël, ku nisi rruga e tij drejt të qënurit biznesmen i suksesshëm. Shumë shpejt do të pasohej nga të tjerë derisa arriti në pak kohë që mbulonte jo më vetëm zonën perëndimore të Londrës por edhe më tej. Mprehtësia dhe vendosmëria për të qenë partner i besueshëm dhanë shumë shpejt frutet e tyre, duke e kthyer kompaninë e tij në një ndër kompanitë më të suksesshme.
“Ndershmëria është çelësi i suksesit”, pohon ai duke treguar për sfidat që ka kapërcyer që nga marrëdhëniet me qytetarët e thjeshtë, kur ishte i vetëpunësuar, deri tek kontratat me kompanitë më prestigjioze britanike dhe jo vetëm. Në vetëm pak kohë ai arriti që të përmbush një pjesë të ëndrrës së tij, duke u zhvendosur nga një dyqan i thjeshtë, tek një ambient masiv ,një magazinë vërtet shumë e madhe ku mund të gjenden të gjitha llojet e mobiljeve.
U shtua dhe numri i stafit, por Faslliu kurrsesi nuk mund të ndalonte me kaq. Hapi pikat e tij në disa vende të Londrës. Shërbimi që ai ofronte ishte absolutisht i pakonkurrueshëm dhe arriti që të bëhej furnizues jo vetëm i dyqaneve të shumta cep e cep të Londrës dhe nëpër qytete të tjera të Britanisë.
Besueshmëria, korrektësia dhe shërbimi tepër profesional bëri që ‘EU Furniture’ lehtësisht të bëhej një nga furnizuesit e shumë këshillave lokale (council), kryesisht në Londrën perëndimore dhe më gjerë. Vit pas viti klientela vazhdonte duke u rritur, duke zgjeruar edhe gamën e ofertave dhe bashkëpunimin me kompani prestigjoze deri në Kinën e largët. Zgjerimi i biznesit të tij u arrit në saj të përkushtimit dhe angazhimit duke patur si pikësynim të qenurit më i miri i të mirëve. Profesionalizmi u kthye në rutinë dhe suksesi ishte i garantuar.
Pyetjes se çfarë është atdheu për ty, mundohet t’i përgjigjet me gjënë e parë që i vjen ndërmend. “Kurrsesi nuk mund të rrija pa investuar në mëmëdhe”, na thotё Faslliu. Atdheu për të është gjithçka. Dhe jo vetëm që ndjehet krenar për çfarë është, por thekson se atje lindi dhe u rrit. Suksesin e tij ja dedikon prindërve, prej tё cilёve mori vlerat më të mira njerëzore. Nuk janë të pakta rastet kur ai ka nxitur biznesmenë të fushave të ndryshme që të investojnë në Shqipëri.
Faslliu shpreh shqetësimin e tij për pengesat që hasen kur dëshiron të investosh në mëmëdhe. ‘Janë 1001 arsye që mërgimtarët duhet të investojnë në mëmëdhe,-shton ai, jo thjesht në ndërtimin e shtëpive por edhe hapjen e bizneseve të reja, duke punësuar kështu qoftë edhe të afërmit e tyre.’ Në lidhje me nivelin e bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe komunitetit, ai shprehet se ka një bashkëpunim mjaft të mirë dhe se thuajse të gjithë pronarët e lokaleve shqiptare furnizohen nga firma e tij. Me shumë finesë ai përpiqet të vejë theksin tek domosdoshmëria e bashkëpunimit mes shqiptarëve, pasi duke bashkëpunuar të gjithë dalin të fituar.
Në bisedën me të mëson se ka ardhur koha që të mos përsëriten skena të tilla, kur një bashkëkombës për të njëjtin shërbim shkon tek një i huaj, i cili mund të jetë edhe më i shtrenjtë, apo një shërbim që ka cilësi tё dobёt, por që “i huaji” kishte një perceptim tjetër. Por tani kohët kanë ndryshuar dhe konkurrenca është ajo që përcakton suksesin.
Në mesazhin e tij ai inkurajon shqiptarët që të punojnë për veten e tyre që të mos i druhen sfidave, por të besojnë në vetvete. Nëse ekziston vullneti dhe dëshira për të realizuar ëndrrën e tyre, nuk ka pengesë që mund ta ndalë. Ndërkohë ruajtja e gjuhës dhe traditave shqiptare janë aspekte që nuk duhet të neglizhohen në asnjë moment.
Box
“Ndershmëria është çelësi i suksesit”, pohon ai duke treguar për sfidat që ka kapërcyer që nga marrëdhëniet me qytetarët e thjeshtë, kur ishte i vetëpunësuar deri tek kontratat me kompanitë më prestigjioze britanike dhe jo vetëm. Në vetëm pak kohë ai arriti që të përmbush një pjesë të ëndrrës së tij, duke u zhvendosur nga një dyqan i thjeshtë, tek një ambient masiv ,një magazinë vërtet shumë e madhe ku mund të gjenden të gjitha llojet e mobiljeve. Denisa Himaj