Familja dhe Besimi, komunitetet fetare tani në debate publike

Sfidat e familjes së sotme dhe kontributi i besimit në shëndoshjen e saj ka mbledhur dje në një diskutim përfaqësues nga shoqëria civile, studentë, gazetarë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Takimi i organizuar dje në Tiranë nga shoqata “Në familje për familjen” e mbështetur nga ambasada Kanadeze në Tiranë dhe në bashkëpunim me Komitetin Shtetëror të Kulteve, ka mundur të shtrojë në debat disa prej pikave më të rëndësishme ku Besimi Fetar kontribon në përmirësimin e jetës në familje. Përfaqësues të Komunitetit Mysliman, Orthodoks, Katolik, Bektashian dhe Vëllazërisë Ungjillore, kanë përshkruar përvojat e tyre në komunikim me besimtarët, duke ofruar “porositë hyjnore” lidhur me familjen.

Përvojat e përçuara nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë shprehur rolin e pazëvendësueshëm që ka luajtur binomi besim-familje, si një binom i rëndësishëm jo vetëm në jetët familjare por edhe në gjithë jetën shoqërore. Duke theksuar njëkohësisht vlerën e bashkëjetesës, klerikët kanë sjellë përvoja ku besimi ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme jo vetëm për praktikantët por për mbarë shoqërinë.

Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Z. Ilir Dizdari, vlerësoi këtë hap, si një debat që evidenton vlerat që bart besimi në ndërtimin e familjeve të shëndetshme. Ndërkaq, përfaqësuesit e besimeve fetare, Ylli Gurra, Dom Emilio, Akil Pano, Ardit Selmani, u shprehën në fjalën e tyre se, familja shihet si një bosht ku mund të përçohen vlerat me të cilat pasurohen jo vetëm anëtarët e familjes që e praktikon besimin por edhe shoqëria që i ka këto familje në gjirin e saj.

Përfaqsuesit e komuniteteve fetare dhe përfaqësues të shoqërisë civile parashikohet që ta zhvendosin këtë debat në disa prej fakulteteve dhe me shoqata rinore, duke synuar kështu të bëjnë pjesë e debatit publik sfidat e familjes dhe rrugëzgjidhjet për shëndoshjen e saj.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare shprehën bindjen se ky rrugëtim do të përafrojë debatuesit rreth vlerave që përçon besimi për familjen dhe rëndësinë që ka familja për ta përvetësuar këtë model pozitiv që tekstet fetare  përçojnë, në të mirë të familjeve dhe shoqërisë. “Familja është tulla e rëndësishme në shtëpinë tonë të përbashkët. Kur kjo tullë nis të mos funksionojë, nis ta ndjejë e gjithë shoqëria”, tha në fjalën e tij Myftiy i Tiranës, Ylli Gurra, duke e konsideruar diskutimin familje-besim si të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e shoqërisë. Ndërkaq, Akilio, Pano e Selmani, theksuan se, ndalimi i praktikimit të besimit fetar gjatë komunizmit, ka lënë shenja të dukeshme në shoqërinë shqiptare, sidomos përmes “Njeriut të ri”. “Nëse nuk kemi një pikë referimi të qëndrushme atëherë do të kemi edhe familje të paqëndrueshme, që ndikojnë në një shoqëri të paqëndrueshme”, tha përfaqësuesi i Vëllazërisë Ungjillore, Akil Pano.