Faleminderit i dashur Ambasador*

Nga Petrit Kuçana

Do të ishte shumë më lehtë që të shkruanim një lajm, nga ata të shumtët që “ u prodhuan” nga institucioni që ju drejtuat në këto katër vite. Madje edhe një  përmbledhje do të ishe shumë më e lehtë sesa një mesazh në fund të një cikli shumë normal; mbarimin e misionit.

Besojmë se për shqiptarët e Britanisë do të mbetet e paharrueshme thënia e juaj që në krye të herës se ambasada do të jetë shtëpia e madhe e të gjithë shqiptarëve dhe gjatë këtyre viteve u vërtetua që dyer ishin të hapura në çdo moment. Do të ishte shumë më e lehtë për ne që të mund të specifikonim rreth 150 aktivitete artistiko-kulturore që u zhvilluan. Në të vërtete kaq shumë aktivitete kishte, saqë lajm përbënte nëse kalonin 2-3 jave dhe në ambasadë nuk organizohej asgjë, që nga organizimet e herë pas hershme të organizatës më të vjetër shqiptaro-britanike; anglo-Albanian Assocation e deri tek promovimi i talenteve të reja, brezit të ri, atyre që u lindën në ishullin britanik, e që me krenari përformuan në shtëpinë e madhe të shqiptarëve , në Ambasadë. Do të ishte absolutisht e pamundur që të mund të përmendnim se cili ishte aktiviteti më mbresëlënës, që nga promovimet e librave të miqve të mëdhenj të kombit shqiptar, të shqiptaro-britanikëve e deri tek dekorimi i Lordëve Britanikë dhe të tjerëve, përvojë kjo që kishte munguar më parë. Siç kishte munguar edhe përvoja me aktivitetet e shoqatave, apo organizatave të tjera, shfaqja e filmave me tematikë shqiptare, e  deri tek promovimi i modeleve shqiptare në Britani. A mund të harrohet aktiviteti i zanës shqiptare, e asaj që u kthye në model jo vetëm për të rinjtë shqiptarë por për të gjithë rininë anë e kënd globit, Rita Orës në Ambasadë?

Miqtë dhe bashkëpunëtorët dinin edhe shumë nga vështirësitë, që mund të hasen nga drejtuesi i një institucioni, kur gjendet në rrethana të caktuara, kur përplasjet politike nuk lejojnë që ushtrohet detyra në mënyrë normale. E megjithatë ngadhënjeu dëshira për të punuar,  për të kontribuar në çdo moment.  Me siguri që ka qenë tepër e vështirë që t’u shpjegohet edhe të tjerëve, që ekzekutivi shqiptar, në një moment të caktuar ngriu çdo marrëdhënie me këtë institucion,  duke shënuar kështu rastin më të paprecedent në historinë e diplomacisë shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit.   Ishte koha e pakohë, kur për shkak të mbiemrit lehtësisht nisin paragjykimet, por kjo nuk ndaloi në asnjë moment aktivitetin tuaj

E megjithatë mbamendja mbizotëron. Shënjimi i qindra aktiviteteve, nuk ka sesi të mos dritësohet në zymtësinë e realiteteve të zyrtarëve të Tiranës.

Cili koleg ambasador do të besonte bie fjala që “Notes on Albanian” një ndër aktivitetet më prestigjioze të zhvilluara në Londër, është  bërë pa asnjë shpenzim nga paratë e shtetit shqiptar, por më përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm  i dashur ambasador dhe me ndihmën e disa shqiptarëve të këtushëm.

Ishte ky aktivitet ku tingujt e muzikës sonë të interpretuara nga divat e muzikës shqiptare; Inva Mula apo Ermonela Jaho që u duartrokitën aq ngrohtësisht nga publiku britaniko-shqiptar që shënoi një tjetër dimension të diplomacisë kulturore. Ne shqiptarët e Britanisë u ndiem të privilegjuar gjatë kësaj kohe jo vetëm që shijuam këto aktivitete, por thjesht mirëkuptonim bashkatdhetarë në shtete të ndryshme që do të donin përformanca të tilla në ambasadat e vendeve ku ata jetojnë.

Por ka një moment të paharrueshme, nga ato momentet kruciale që historia i përqafon fuqishëm në faqet e veta dhe nuk mund të ketë asnjë dritëshkurtësi të cilitdo vendimarrës të Tiranës zyrtare që mund ta fshijnë.  E mbase pas shumë e shumë kohësh do të harrohet se njëherë e në një kohë, disa zyrtarë vendosën të “ngrijnë” marrëdhëniet me një ambasador. Do të harrohet mbase që gjatë misionit tuaj u organizuan takimet e niveleve më të larta, me zyrtarët britanikë. Do të harrohet mbase që një ambasador në Londër bëri atë që se bënë paraardhës të tij në historinë moderne të pas viteve’90, por kurrsesi nuk mund të harrohet se një nga katër pikat kruciale të shqiptarëve në Londër mban firmën e Mal Berishës. Padyshim se vendosja e bustit të Skënderbeut në Londër mund të konsiderohet si kulmi i veprimtarisë suaj të pandalshme këtu. E ndërsa numërohen ditët e fundit të misionit Tuaj si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, ka vetëm nj fjalë shqiptare që mund të thuhet; Faleminderit.

Faleminderit i dashur ambasador për gjithçka bëtë për kombin shqiptar. Është fitore në vetvete mbyllja faqebardhë e një misioni, e natyrisht që do të kemi gjithmonë si pjesë të historisë sonë së komuniteti shqiptar në Britani. Do të kujtoheni edhe kur gjeneratë pas gjenerate do të kalojnë nga busti i Skënderbeut në Londër, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm që dhatë me librat tuaja. Çdo familje shqiptare duhet ta ketë në shtëpi atë libri tuaj Refleksione shqiptaro-britanike. Faleminderit i dashur ambasador

Faleminderit që e keni bërë më të lehtë dhe shumë të vështirë njëkohësisht misionin për pasardhësin tuaj duke dëshmuar se si mund të jesh një ambasador model.

 * Me rastin e përfundimit të misionit të Ambasadorit Shqiptar në Londër  Z.Mal Berisha