Eros Dibra fiton me brishtësinë përpara pasqyrës së thyer

Autori fitues, Eros Dibra e quan veprën e tij, e cila është shfaqur për publikun në një ekran televizori të vendosur mes veprave të tjera në Galerinë Kombëtare të Arteve, si një këndvështrim personal; mënyra e tij për të përcjellë realitetin vrasës deri në konceptin metafizik.

Pasqyra e thyer, thoshin të lashtët, lajmëronte fatkeqësi për shtatë vjet. Një besëtytni që mendohet të jetë zhvilluar prej kohëve kur njerëzit e parë vunë re pasqyrimin e tyre në pellgjet e ujit, me besimin se imazhi aty ishte shpirti i tyre dhe duke e dëmtuar,  do të thoshte të  rrezikoje të plagosje veten tjetër. Një mit i lashtë rrëfente se pasqyrat kanë   fuqi magjike,  përfshirë fuqinë për të paraparë të ardhmen dhe mendohen të jenë mjete të zotave. Kështu, duke thyer një pasqyrë i jep fund fuqisë së saj, shpirti arratiset prej trupit dhe fatkeqësi mund të bien mbi atë që u pasqyrua i fundit….

Pikërisht një pasqyrë e thyer në  sfondin e video-projektit të  titulluar “XXI”, e cila shfaq një njeriun përballë saj dhe një melodie vajtuese, duket paralajmëruesja e një fatkeqësie, e cila vjen në fund të kësaj vepre pakminutëshe, ku njeriu- subjekt i videos- vendos t’i japë fund vetes me një pistoletë.

Kjo është edhe vepra fituese e  konkursit “Onufri XXI” , e cila këtë vit –pasi  mungoi  vitin e   shkuar – është konceptuar si një formë mes konkursit dhe ekspozitës, ku nuk kanë munguar edhe veprat e artistëve ndërkombëtarë  me famë.

Autori fitues, Eros Dibra e quan veprën e tij, e cila është shfaqur për publikun në një ekran televizori të vendosur mes veprave të tjera në Galerinë Kombëtare të Arteve, si një këndvështrim personal; mënyra e tij për të përcjellë realitetin vrasës deri në konceptin metafizik.

Mes prurjeve të artistëve shqiptarë, që sipas anëtarit të jurisë Gëzim Qëndro, këtë vit kanë qenë të pakta, juria shpalli unanimisht si fituese veprën e artistit të ri shkodran, i cili u vlerësua edhe financiarisht me shumën e treqind mijë  lekëve.

Një vepër estetikisht e rafinuar, që përcillet me një gjuhë të pastër artistike, me një narracion jo linear, por kuptimplotë. Ka qenë ky motivacioni i jurisë së përbërë nga Najada Hamza, Gëzim Qëndro dhe Vesa Sahatçiu.

Në videon e propozuar, autori krijon një lojë pasqyrore tipike postmodernë, ku harta e realitetit shpërfaqet si ndërthurje e brishtësisë së imazhit me paqëndrueshmërinë e simulacrum-it.

“Është hera e parë që marr pjesë tek ‘Onufri’ dhe çmimi më zuri në befasi, por besoj se Onufri është një  “deal”. Problemet e artistëve sot nuk janë vetëm probleme shqiptare. Anembanë botës ka probleme, dhe mendoj se këto vijnë prej zanafillës së njeriut. Është një periudhë ku njeriu nuk e ka të qartë vetveten. Janë probleme politike, janë probleme artistike, janë probleme të ekspozimit”, – është shprehur artisti fitues, Eros Dibra.

Shtatë artistët të cilët u gjykuan nga juria, pasi prezantonin për herë të parë veprat e tyre të krijuara posaçërisht për këtë ekspozitë ishin Eros Dibra, Oltsen Gripshi, Shqipe Jonuzi, Sead Kazanxhiu, Ermela Teli, Klodian Deda, Ermal Baboçi dhe Lindita Doçi.

Ekspozita “Onufri XXI”  do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 3 janar të vitit që vjen.