Erdogan: Akademikët do ta paguajnë çmimin e tradhtisë së tyre

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan paralajmëroi sot akademikët, të cilët kanë nënshkruar një peticion ku dënojnë dhunën e operacioneve të ushtrisë kundër pjesës juglindore me shumicë kurde të Turqisë, se do të paguajnë çmimin e tradhtisë së tyre.

“Ndërsa ju besoni se mund të vini në rrezik unitetin e këtij kombi dhe të vijoni të keni një jetesë mëse të rehatshme në sajë të pagës suaj që ju merrni nga shteti, pa paguar çmimin e kësaj? Kësaj periudhe tashmë i ka ardhur fundi”, u shpreh Erdogan gjatë një fjalimi të mbajtur para zyrtarëve vendorë në Ankara.

“Në një shtet kushtetues siç është Turqia, të ashtuquajturit intelektualë, të cilët kërcënojnë unitetin e kombit nuk kanë të drejtë të kryejnë krime. Ata nuk kanë imunitet”, vijoi ai.

Më shumë se 1 200 intelektualë turq dhe të huaj nënshkruan javën e fundit një peticion për paqen duke dënuar “masakrat” e kryera nga forcat e sigurisë turke gjatë operacioneve në vijim kundër rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në disa qytete nën masën e shtetrrethimit.