Erdh një letër, pa haber

ARSIM ZEKOLLI

Dokumenti nga Brukseli më tepër i ngjan anamnezës ë një metastaze terësisht degjenerative, për të cilën thuajse nuk ka qare

“Raporti me gjatësinë e vetë mbrohet nga rreziku që të lexohet” Vinston Çerçil

Merrni frymë thellë dhe me dorë në zemër pranoni se reagimi i vetëm i sinqertë ndaj raportit të fundit të Brukselit erdhi nga ai, i cili njëherit është i vetmi që në këtë pusullë pa një çikë hajr dhe përfitim – kryeministri Gruevski dhe kamarila e tij. Anash të gjitha penalltive kritike, gjuajtjeve të detyruara nga këndi dhe kartonëve të verdhë – kualifikimi i vetëm matës për raportin është rezultati në semafor. Që tregon gol-shenim për qeverinë dhe një zero gjigante për neve tjerëve, por edhe për BE-në. Këto janë faktet, Qeveria e Gruevskit dhe Ahmetit fitoi atë që e dëshironte – rekomandimin. Pjesa tjetër janë vetëm komente nga tribunat dhe vërtetim mjeku për brirët që na rriten dhe çdo ditë i shohim në pasqyrë.

Gjithsesi nuk ka dilemë se raporti është jashtëzakonisht i ngurtë, më tepër se me qasje kritike, madje edhe i pangarkuar me shuam finesa diplomatike gjatë numërimit të gjitha të zezave tona. Numri i të cilëve qartë e reflekton rrugën tonë të gjatë në errësirë me sy të hapur. Për këtë arsye, habit dhe deri diku iriton dëshira e pasionuar e opinionit opozitar në krekosje me përmbajtjen e pusullës në të cilën, ja, bardh dhe zi, vetëm se përmendet ajo që dhjetëra e kanë shkruar, qindra e kanë folur, kurse mijëra e kanë përjetuar gjatë disa viteve të fundit, nëse jo edhe me dekada. Mirëpo pikërisht ato reagime paraqesin argumentin më mposhtës për aftësinë tonë të humbur për ndërtim të gjykimit dhe aktvendimit tonë për atë që edhe ashtu e dimë dhe përjetojmë, por për shkak të vetëbesimit të humbur presim që dikush prej anash të na e thotë. Dhe ngushëllohemi se, megjithatë, nuk jemi të marrë siç na bindin Nikolla dhe Aliu.

Është i kuptueshëm pasioni i opozitës që në flakareshat e Brukselit të gjejë valorizim të akuzave të veta të adresuara ndaj regjimit vendor, të numëruara në mënyrë pedante dhe taksative në të gjitha sferat e skenës shoqërore-politike vendore. Por, përveç konfirmimit nga Brukseli të vërtetave të pamohueshme për krimet e e bëra nga kjo qeveri ndaj popullit të vetë, vallw a lexoi apo ndjeu diku opozita çfarëdo vlerësimi që mund të konsiderohet si rrahje inkurajuese mbi shpatullat e tyre? A përmban raporti së paku një rresht, e lëre më ndonjë pasus, ku paralajmërohet synim i vendosur i Unionit për intervenim ndaj diagnozave të dhëna në mënyrë precize? Ose, raporti më tepër i përngjan anamnezës për një metastazë plotësisht degjenerative, për të cilën tani mw thuajse nuk ka qare. Mes tjerash, pikërisht për shkak të mungesës së ilaçit efektiv, apo indit të shëndoshë, që do të transplantohej në vend të mishit të egër aktual.

Për shkak të hapësirës së kufizuar dhe më tepër për shkak të mungesës së vullnetit që t’i kushtohet më tepër rëndësi se sa nevojitet, reagimet e BDI-së meritojnë të quhen perversion politik par-ekselans dhe cinizëm i zakonshëm i Ahmetit dhe ministrit të tij për gjithçka dhe “turli-tavw”. Çka vlen të thuhet fare për politikan si Ahmeti dhe për një ministër si Besimi kur madje edhe kërcënimin për marrje të rekomandimit gjatë kohës së qeverisjes së tyre me portofolin eurointegrues, e vlerësojnë si “sukses”?! Kjo më nuk është as paturpësi, as grykësi, por thjeshtë papërgjegjësi mjerane politike. Për këtë arsye, në vend të dorëheqjes së Besimit nga funksioni aktual, dëshiroj që sa më gjatë të jetë ministër. Sepse, pa marrë parasysh të gjitha, nuk besoj se mund të ketë personazh më adekuat i cili në mënyrë aq plastike e qesharake personifikon komedinë e çmendur vijuese të quajtur eurointegrime.

Komedi të cilës jo vetëm që nuk i shihet fundi, por sipas të gjitha gjykimeve, tek do të bëhet tragjike, nëse nuk mbledhim forcë t’i kthejmë gjërat në vendin e tyre dhe në rend natyror dhe logjik të prioriteteve. Me ç’rast, demokracia e vërtetë, liria, barabarësia dhe llogaridhënia duhet të dalin në vend të parë, kurse euronitegrimet në vend të justifikimit të bëhen test lakmusi për kredibilitetin e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe përfundimisht, t’i vihet pikë kësaj sharade, në të cilën edhe ajo pak logjikë e shëndoshë, gjykim dhe demokraci e brishtë sakrifikohej në oltarin e integrimeve. Që sot e kësaj dite gjithnjë e më tepër i përngjan “rimejkut” modern të rrugës socialiste drejt utopisë komuniste, për tw cilen e dimë shumë mirë se si mbaroi.

Mund të më quani cikërrimtar, por instinkti i përvojës më detyron që tonin e pusullës nga Brukseli deri diku ta konsideroj edhe si pandan evropian të vetëdijësimit të vonuar të Volersit para se të largohet nga karrigia e funksionarit. Prej se cilws u lansuan lloj-lloj “shërbime të mira” dhe kontribute të eurobirokratëve nga Brukseli dhe Shkupi drejt një pjesë të mirë të “reformave” të këtushme, pasojat e dhimbshme të cilave do t’i ndiejmë edhe një kohë të gjatë. Mungesa e tillë legjere dhe dinake e (vetë)kritikës nga diplomacia evropiane ndaj vlerësimeve të veta të gabuara dhe besimit të verbëruar në gënjeshtrat e bardha të regjimit, nuk mundet dhe nuk guxon injorohet, e as të arsyetohet në mënyrë naive si “gabim qëllimmirë”. Në të kundërtën, do të vazhdojmë të vegjetojmë dhe të belbwzojmw nëpër stacione autobusi si një Forest Gamp ballkanik, në shpatullat e të cilit aterojnë, e më pas pa brenga në qiell fluturojnë, pupla diplomatike.

Faji për gjendjen tonë është plotësisht i yni, dhe kjo është njw e vërtetë e pamëshirshme. Pa marrë parasysh a e lejuam këtë për shkak të mangësive dhe marrëzive tona, ose për shkak të besimit ndonjëherë tw tepërar në aftësitë dhe sinqeritetin e partnerëve të jashtëm, fajin duhet ta pranojmë vetë. Mirëpo njëkohësisht të kërkojmë përgjegjësi dhe llogaridhënie prej atyre që kërkojnë ndryshime prej nesh, edhe pse vetë kontribuuan për humbjen e të gjitha instrumenteve, të gjitha hallkave, gjitha mekanizmave, me të cilat ai ndryshim do të zhvillohej në mënyrë të qetë dhe demokratike. Pas gjithë plotësimeve të kapriçove të Gruevskit dhe Ahmetit nga ana e Brukselit, roli i tyre i pafat në rrënimin e demokracisë parlamentare, pas të gjithë besimeve blanko në gatishmërinë e regjimit për disa ndryshime çfarëdoqofshin, patjetër duhet të ballafaqohemi me dy çështje kyçe prej të cilave varet ardhmëria e ekzistimit tonë.

E para është nëse BE ka jo vetëm ndonjë interes të sinqertë, por edhe aftësi e shkathwsi për t’i realizuar në mënyrë efektive strategjitë e veta dhe t’i sanksionojë aktorët që nuk i përmbahen asaj që kanë premtuar? Çështja e dytë është – a janë të vetëdijshme BE (por edhe SHBA-të) se politika e favorizimit absolutist të shtetit (tashmë të privatizuar) me çmim të demokracisë dhe lirisë, na ka sjellë buzë degradimit të plotë të indit shoqëror, tanimë thuajse pa kurrfarë lidhëse dhe fije që i ndwrlidh njerëzit e grupeve të ndryshme? Përkrahja e heshtur euroamerikane ndaj politikës së sigurimit të stabilitetit sipas formulës “para për maqedonasit – dajak për shqiptarët” po bëhet rrënuese për stabilitetin pikërisht për faktin se për maqedonasit ka gjithnjë e më pak para, kurse për shqiptarët gjithnjë e më shumë dajak. Formulë për të cilën poashtu e dimë se në çfarë drejtimi në çon.

Do të kisha dashur të besoj se tonet kritike për europusullës japin indikacion për ndonjë raport më të ndërgjegjshëm në të ardhmen të Brukselit ndaj nesh, me fokus më të madh ndaj vendit Maqedoni, në vend të shtetit DPMNE-BDI. Por pas leximit të fjalimeve të Euro-cezarit të ri,  Jean-Claude Junker dhe vobekësisë së tij me fjalët siç janë demokracia dhe zgjerimi, gjithnjë e më pak ka shkaqe për besim në zhargonet dhe strategjitë evropiane. Po mirë, do lejoj ca vend për shpresë se kjo skepsë personale e subjektive mund të demantohet nga ana e Komisionit të ri. Edhe atë pikërisht në bazë të pengesës kyç për integrimet – kontesti rreth emrit.

Pas largimit të socialdemokratit Baroso, Evropa, BE, Maqedonia dhe Greqia, tani janë plotësisht në duart e djathtistëve dhe konzervativëve – Merkel dhe Junker, Gruevski dhe Samaras. Pas aq shumë lëvdatash se “djathtistët e bëjnë më mirë”, ndoshta është koha e fundit përfundimisht të dëshmohen në vepër dhe ashtu, vëllazërisht dhe bashkarisht, ta zgjidhin kontestin. Personalisht, aspak nuk dyshoj se ata mund të gjejnë zgjidhje.

 Pyetja është se a dëshirojnë?