Endrit Mërtiri: Marrëdhënia ime me modelet, gjatë punës dhe jashtë saj

Me një eksperiencë 10-vjeçare si fotograf në Shqipëri, Endrit Mërtiri, ka arritur të jetë i suksesshëm edhe jashtë vendit. Fillimet e tij dhe kontakti i parë me aparatin fotografik ka qenë që në moshën 15 vjeç, ku intuita për të spikatur vajza si modele nuk gaboi. Tashmë, ai vazhdon rrugëtimin që nisi dhe në ekipin me të cilët punon, bëjnë pjesë edhe disa modele, me të cilat ai ka filluar karrierën e tij. I talentuar, por edhe kërkues nga vetja. Me ambicie që të jetë i vetmi në stilin e tij, ai ka marrë këshilla nga profesionistë, por nuk ka menduar asnjëherë të imitojë ata. Për shkak të punës së tij, ka takuar me mijëra vajza dhe tashmë di të bëjë diferencën mes modeleve dhe modeleve profesioniste. Marrëdhënia e tij me to është e ngushtë dhe miqësore, mirëpo për të, puna fillon dhe mbaron me setin fotografik. Në intervistën për “Shekulli”-n, ai tregon për hapat që ka hedhur në karrierën e tij, marrëdhënien me modelet, si i përzgjedh ato dhe a ka pasur ndonjëherë raporte më shumë se shoqërore më ndonjërën prej tyre.

Si kanë qenë fillimet e tua si fotograf?

Paralelisht kam qenë në Liceun Artistik kur fillova të merresha edhe me fotografinë. Që në fillimet e mia jam angazhuar, duke realizuar fotografi mode dhe sot, tashmë 10 vite eksperiencë, vazhdoj të bëj të njëjtën gjë.  Kam qenë 14-15 vjeç kur kam pasur për herë të parë kontakt me aparatin.

Gjatë asaj periudhe, ke pasur pranë vetes një fotograf që të ka mësuar?

Jo, kam filluar vetëm. Kam qenë një fotograf që kam admiruar rastet kur shikoja një vajzë të bukur në rrugë, e ndaloja dhe e fotografoja. Një ndër to, është modelja Samurata. Ajo ka qenë modelja e parë që unë kam fotografuar. E kam spikatur në rrugë dhe më pas kam punuar me të për editoriale të ndryshme mode. Më vonë, sigurisht kam asistuar në sete të ndryshme të Fadil Berishës, kur zhvilloheshin kompeticionet e bukurisë. Le të themi që kam marrë një frymë prej tij, pastaj çdo gjë tjetër është personale.

Mund të konsiderohesh nxënësi i Fadil Berishës?

Jo, nuk quhem, sepse kam një mënyrë të fotografuarit krejt ndryshe. Mund të kem marrë bazat nga ai, por edhe bazat e mia janë shumë ndryshe. Edhe kur kam qëndruar pranë tij, që e shikoja kur punonte, e kam ndryshuar mënyrën e të fotografuarit, nuk kam vepruar si shumë fotografë që kur kanë parë punën e tij kanë mbetur tipik si ai. Unë nuk kam dashur. Jo që s’kam dashur të jem si ai, por më ka pëlqyer të bëj diçka ndryshe. Se kjo është e bukura e kësaj pune, të jemi ndryshe nga njëri-tjetri.

Cilat kanë qenë vështirësitë e para që ke hasur kur je futur në tregun e punës?

Personazhet. Jo të gjithë kanë qenë dashamirës. Pastaj kur më kanë parë të vogël, nuk kanë pasur besim. Kjo ka qenë e vetmja pengesë apo vështirësi që kam hasur në fillimet e këtij rrugëtimi. Por këto vështirësi janë përkthyer në arsye që unë të vazhdoj të jap maksimumin nga vetja dhe më shumë forca.

Si është raporti yt me modelet? Si i bën ato që të ndihen të lirshme përpara aparatit?

Në momentin e parë që marr një modele për të fotografuar do të thotë që mua më ka pëlqyer shumë ajo modele dhe do të thotë që ajo për mua është muzë, frymëzim, më inspiron dhe të gjithë këtë unë e përkthej, duke e bërë atë që të ndihet e tillë dhe sigurisht, nëse ajo e kupton këtë, do japi më të mirën nga vetja dhe unë do marr më të mirën prej saj. Asnjëherë nuk bëj kompromise siç ndodh rëndom me shumë fotografë.

Ka pasur raste kur vajzat që pozojnë të kanë vështirësuar punën?

Jo, nuk ka pasur kurrë vështirësi të kësaj natyre. Edhe vajzat që nuk kanë qenë modele, që në herën e parë që kanë pozuar kam pasur fotografi shumë të mira. Sigurisht, nuk mund të bësh me çdo modele çdo gjë, edhe me modelet profesioniste janë të ndara në kategori të ndryshme fotografish. Unë jam shumë i mirë në dallimin e tyre, kështu që bëj klasifikime që në fillim të punës.

Të ka ndodhur të fotografosh një modele vetëm një herë?

Kryesisht modelet që kam fotografuar vazhdoj t’i fotografoj. Marrim rastin e vajzës që përmenda më lart, Samuratës. E kam fotografuar kur kam qenë 15 vjeç dhe para pak muajsh, ajo ka qenë pjesë e një editoriali mode, ku reklamonte bizhuteritë. Pra, mua më pëlqen që atë që ma spikat syri njëherë, kur nuk më gabon as intuita, të vazhdoj të punoj.

Si i përzgjedh modelet?

Të jetë ndryshe, mos të jetë si gjithë modelet e tjera, apo kopje e tyre. Sigurisht, duhet të ketë të dhënat bazë që duhet të ketë një modele, që këtu në Shqipëri ka humbur ky sensi i elegancës, i të paturit gjymtyrët e gjata, qafën e gjatë, duhet të jetë në proporcion, duhet të ketë veçanti në fytyrë që të mos jetë thjesht “vajza e radhës”, që e shikon në rrugë gjithandej. Pastaj se si ajo pozon apo qëndron janë pluse dhe gjëra që i shtohen këtyre që thashë. Nuk mund të quhet modele, një vajzë që bën fotografi, duke dhënë disa para për një set fotosh. Është një ndryshim shumë i madh dhe kjo është arsyeja pse unë fotografoj shumë pak vajza, sepse ato janë modele të mirëfillta. Është një hendek shumë i madh midis modeleve të mirëfillta dhe vajzave që duan të jenë si modele, por që edhe ato vetë e dinë që nuk janë.

Je ti ai që vendos se kush do të jetë modelja për editorialin/reklamën e radhës?

Çdo gjë është në bashkëpunim, ku çdo njëri prej personave të stafit jep mendimin e tij, në bazë të një hierarkie që fillon nga lart-poshtë. Por sa i përket pyetjes, absolutisht vendos unë, sepse unë e di kush është e duhura për projektin që do punohet. Ka raste kur unë kam ndërprerë një bashkëpunim, sepse kam menduar që modelja në fjalë nuk është e duhura për atë gjë. Dhe dështimi është i imi, kur projekti nuk del mirë, dhe jo i njerëzve që nuk e dinë si janë procedurat.

Përpos punës dhe marrëdhënies modele-fotograf, ruan raporte shoqërore apo dashurie me to?

Unë jam shumë i afërt dhe me të gjithë njerëzit që punoj, unë kam një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk jam nga ata që kur punoj rri 24 orë me modelen. Për mua, puna fillon dhe mbaron me setin fotografik, po për aq kohë sa punoj me to, kam një marrëdhënie shumë të mirë.

Po lidhje dashurie?

Jo, nuk kam pasur.

Në ditët e sotme, mjafton të kesh një aparat dhe quhet fotograf. Çfarë mendon në lidhje me këtë?

Po, është e vërtetë. Por unë jam i mendimit që të gjithë, edhe fotografi, dikur ishte amator. Tani janë shtuar mundësit dhe mua më vjen mirë për këtë gjë. Ditëve të fundit po shohim shumë fotografë, por edhe mundësitë e zgjedhjeve janë të shumta. Sigurisht që nuk mjafton të kesh vetëm mjetet. Unë jam pro idesë që t’i jepen sa më shumë mundësi të rinjve, sepse unë kam qenë vetë një ndër ta, që njerëzit nuk besonin te unë dhe kam qenë rasti i parë i kësaj shprehjes që, nuk mjafton të kesh një aparat dhe një lente, por ja ku jemi pas 10 vitesh, unë bëj kopertinat e të gjitha revistave, editorialeve.

Përveç vajzave, çfarë të pëlqen tjetër të fotografosh?

Unë e kam thënë gjithmonë dhe vazhdoj ta them që, fotografia e modës është ajo që unë bëj dhe dua. Momentalisht asnjë gjë nuk më tërheq, nuk është ajo çka unë dua ta bëj.

Si arrite në kontakt me Gabanan?

Ka qenë një njohje nëpërmjet Instagram-it. Në këtë rrjet social, dizajner të huaj dhe shumë të famshëm kanë spikatur punët e mia, i kanë pëlqyer dhe më kanë komplimentuar shuam herë. Ata janë gjithmonë përkrahës të talenteve të reja. Unë jam një njeri me fat, që kam rënë në sy. Ka shumë fotografë të tjerë që do donin të ishin në vendin tim, por ndonjëherë, përveç talentit, ndikon edhe fati. Tani unë jam në mbikëqyrjen  e tyre.