Endri Vrapi hedh firmen zyrtare për Vllazninë

Pritej vetëm zyrtarizimi dhe pak orë pas publikimit të lajmit në Sport News, palët kanë hedhur firmën në kontratë.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Endri Vrapi i cili është prezantuar zyrtarisht nga klubi i Vllaznisë ku do të aktivizohet gjatë pjesës së dytë të sezonit. Lajmin e bën të ditur klubi shkodran nëpërmjet një komunikate zyrtare. Ish mbrojtësi i Partizani ka hedhur firmën në kontratë në praninë e administratorit të klubit, Astrit Gjyrezi.

Menjëherë pas finalizimit të kontratës, Vrapi udhëtoi drejt Ulqinit ku u bashkua me ekipin që po zhvillon fazën përgatitore nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu. Gjatë minifazës përgatitore në qytetin bregdetar, Vllaznia zhvilloi të enjten një miqësore me Beslidhjen, ku dy skuadrat u ndanë në barazim 1-1. Vrapi u transferua te Partizani në vitin 2014 dhe pas dy sezoneve me skuadrën e kuqe i dha fund bashkëpunimit pasi gjeti gjuhën e përbashkët me presidencën për prishjen e kontratës.