Ekskluzive/ Byroja Hetimore, kush i gënjeu amerikanët?

Fillimisht e drodhi Ilir Meta, i cili megjithëse luftoi deri në çastet e fundit që Byroja Hetimore, e cila do të kontrollohet nga amerikanët dhe që pritet të shpjerë pas hekurave politikanë të lartë, u detyrua në fund jo vetëm ta kalonte në qeveri, por edhe ta mbështeste politikisht. Pastaj Lulëzim Basha, i cili megjithëse nuk e donte gjithashtu ngritjen e saj, vuri një bast të rrezikshëm. Ai, i bindur se frika e Metës nga burgu nuk do të lejonte miratimin e kërkesës amerikane, filloi t’i bënte thirrje të njëpasnjëshme qeverisë që të kalonte draftin për të cilin të gjithë kishin rënë dakord me partnerët ndërkombëtarë.

Pastaj u zbyth Rama, i cili megjithëse vetëm pak ditë më parë kishte deklaruar se për“Byronë…” do të pritej mendimi i komisionit të Venecias, nxitoi ta kalojë me urgjencë atë në qeveri, duke ia bërë fakt të kryer edhe Ilir Metës.

Po në fakt çka ndodhur dhe si u luajt në kulisa nga politikanët më të rëndësishëm shqiptarë, me këtë kërkesë ultimative të amerikanëve.

Që prej vjeshtës së kaluar, tre liderët kryesorë të vendit kanë rënë dakord mbi një draft të servirur nga partnerët ndërkombëtarë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas tratativave, të jetë nën kontrollin e ministrisë së Brendëshme apo të Prokurorisë, u gjet një rrugë e ndërmjetme. Kontrolli i saj i dyfishtë. Dhe kështu edhe Basha edhe Rama edhe Meta i thonin tek e tek ambasadorit Lu se ata ishin gati ta votonin draftin.

Por konkretisht asgjë nuk bëhej deri pak javë më parë. Miratimi shtyhej për në kalendat greke, megjithë insistimin e amerikanëve.

Zërat e hapura nga kabineti i Ramës pohonin se për kalimin e saj ishte bërë pengesë ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ai gjente me dhjetra kleçka për të mos e kaluar ligjin. Dukej qartë se ai i udhëzuar nga Ilir Meta, shprehte mendimin e pathënë publikisht të LSI-së, për moskalimin e kësaj nisme, nga e cila kryetari i saj kishte frikë personale.

Kur ky lajm u bë publik dhe u përhap, Lulzim Basha vendosi të vërë një bast të rëndë. I bindur se Meta nuk e linte Ramën ta miratonte draftin, ai u tha amerikanëve se PD ishte gati ta votonte atë. Ai donte të bënte djalin e mirë përballë aleatëve qeverisës në vështirësi. Madje Basha thuhet se i ka kërkuar ambasadorit Lu shprehimisht : “Ne jemi gati të votojmë draftin e dakortësuar”.

Që pas këtij momenti opozita filloi të kërkojë me këmbëngulje nga mazhoranca sjelljen e “Byrosë” në Parlament. Kjo kërkesë përsëritej parreshtur e shoqëruar gjithnjë me premtimin: ne jemi të gatshëm ta votojmë draftin e hartuar nga ndërkombëtarët. Në 21 dhjetor të vitit të kaluar, ambasadori Lu shkoi tek Basha dhe dorëzoi draftin sipas rekomandimeve të Venezias. Gjatë kësaj periudhe, në negociata PD synonte që Byroja të mos varej nga ministria e Brendshme. Përsa kohë që në draft kjo gjë ishte e qartë, u ra dakort nga PD pasi hetimi varej nga Prokuroria. Kur kjo kërkesë e PD u mbështet edhe nga Venezia, Basha deklaroi se ishte i gatshëm të operonte menjëherë duke kërkuar që qeevria të sillte draftin e Byrosë në Kuvend.

Rama u vu në shumë vështirësi. Nga njëra anë presioni publik i opozitës, nga ana tjetër këmbëngulja e ndërkombëtarëve e shtynin atë drejt një vendimi të cilin ia pengonte Ilir Meta.

Situata u bë edhe më akute kur u mor vesh se sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri do të zbarkonte në Tiranë. Kryeministri shqiptar që e kishte zhgënjyer rëndë me aferën e armëve kimike, nuk mund ta bënte fytyrën baltë duke i zhgënjyer edhe njëherë tjetër aleatët e përtej Atlantikut.

Kjo do të qe fatale për të.

Prandaj Rama ushtronte presion, por Meta përmes Manjanit nuk dorëzohej. Byroja kishte mbetur pezull dhe opozita vazhdonte të shpotiste.

Në këtë klimë të rëndë u zhvillua takimi i koalicionit të premten e kaluar. Rama nuk arriti dot ta bindë partnerin e tij dhe të dy në fund të takimit dolën me formulën: “Për miratimin e Byrosë do të priten konkluzionet e Venecias për reformën në Drejtësi dhe do të diskutohet bashkë me të gjithë paketën e ndryshimeve”.

Ishte koha që Rama të dilte me fytyrë të baltosur dhe Basha të thërriste fitore. Atij i qe realizuar parashikimi dhe kish dalë triumfues para ndërkombëtarëve dhe para publikut.

Por historia nuk mbaron këtu.

Mësohet se në vigjilje të vizitës së Xhon Kerrit ambasadori Lu ka takuar Ramën. Nuk dihet se çfarë është folur mes tyre, por Rama me siguri ka dashur që në prag të kësaj vizite ta kishte Byronë e miratur në qeveri. Nuk ka pyetur më në qeveri, as për ndjenjat e Metës dhe as për argumentat e Manjanit.

Kështu qeveria e kaloi draftin e ndërkombëtarëve në mbledhjen e së mërkurës paradite.

E kapur gafil, LSI-së nuk i mbeti gjë tjetër veçse të dilte dhe ta përshëndeste arritjen. Megjithëse Petrit Vasili nuk pranoi t’i komentonte argumentat e Manjanit duke theksuar se ai qe një vendim “Kolegjial”.

Por më shumë sesa Ilir Metën kjo lëvizje e beftë e Ramës vuri me shpatulla pas murit Lulzim Bashën. Ai u gjend i papërgatitur.

Fillimisht, menjëherë pasi u hap lajmi se qeveria e kaloi draftin, ai doli dhe e përshëndeti miratimin e ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit nga qeveria shqiptare. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD ai tha se më në fund qeveria pranoi variantin e opozitës dhe u tërhoq nga vendimi i kryeministrit Rama për ta miratuar ligjin si pjesë të Reformës në Drejtësi, siç u shpreh ai në parlament një javë më parë. Basha u shpreh se nëse drafti është ai për të cilin është rënë dakord edhe me Komisionin e Venecias, atëherë PD do t’i japë votat.

Sot para se të futesha në këtë mbledhje, mediat njoftojnë se në mbledhjen qeverisë paskan kaluar një projekt të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Është e vërtetë se ne u dakordësuam me ndërmjetësimin e partnerëve tanë amerikanë për një version që çmontonte kapjen direkte nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sikundër është e vërtetë që pasi e mbajtën në sirtar me javë të tëra këtë version, erdhi opinioni i “Venecias”, i cili diktoi në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke se drejtimi i Byrosë nuk mund të jetë i jashtëm nga Prokuroria. Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë siç e parashikon “Venecia” në rekomandimin e saj nr.90? Nëse po, atëherë i janë përgjigjur ftesës tonë. Nëse po, i përgëzojmë ndonëse me vonesë dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për ‘i hedhur hi syve publikut, dhe institucioneve ndërkombëtare“, tha Basha në mbledhjen e grupit.

Ndërkohë Berisha kishte vënë alarmin për veprimet e nxituara të pasardhësit të tij. Ai lëshoi një deklaratë edhe publikisht në Facebook në të cilën paralajmëronte tërheqjen e PD-së nga angazhimi që kishte marrë. “Rama, për realizimin e këtij bllokimi sot miratoi në qeveri ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, të hedhur poshtë nga Komisioni i Venecias si një ligj që bën Ramën krye-prokuror dhe krye-hetues të vendit, pra që bën të mundur që të jetë ai që do të diktojë hetimin dhe akuzën e cilit do ai në të gjitha fushat” shkroi Berisha.

Dhe pas kësaj, së fundi edhe Basha tha se drafti nuk qe i njëjti dhe se PD nuk e votonte “Byronë…” sipas këtij projektligji. Dhe megjithëse të gjithë faktorët, vendas dhe ndërkombëtarë vënë dorën në zjarr se drafti është i njëjti, Basha u detyrua të zhbëjë atë që kish ngritur muajin e fundit. Ai u tërhoq nga angazhimi që kish marë përpara ndërkombëtarëve dhe nga deklaratat që kish bërë para publikut shqiptar. Aq flagrante ishte kjo e vërtetë, sa edhe Ilir Meta, i cili e do në tepsi kokën e Saimir Tahirit u detyrua të citojë atë:  “Unë kam komunikuar me minstrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin dhe më kanë thënë se jemi dakorduar (me Bashën) për këtë draft-ligj. Askush nuk është i ndaluar të ndryshojë mendim…”.

Deri në këtë pikë ka arritur kjo lojë të cilën e arbitrojnë amerikanët. Ajo e detyroi Metën të dorëzohet. Bashën të dalë bllof me publikun dhe ndërkombëtarët. Ndërsa Ramën ta pranojë miratimin e “Byrosë…” pavarësisht nga çmimi që do të paguajë më pas për këtë.