Efektivi i komisariatit ne Tiranë, trafik heroine dhe kokaine drejt Kosovës

Një efektiv policie i komisariatit nr.6 të policisë në kryeqytet rezulton i përfshirë në trafik droge. Kryeinspektor Hamëz Demushi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në kohë dhe vende të ndryshme ka trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Nën këtë akuzë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka arrestuar në flagrancë, Kryeinspektor Hamëz Demushi, me detyrë punonjës i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr.6 në Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e Hamëz Demushit është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 3.6 kilogramë e dyshuar i kokainë dhe 0.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Në cilësinë e provës materiale janë gjetur dhe sekuestruar një presë që shërbente për presimin e lëndës narkotike; dy kompjuterë Lap-top; 6 telefona celularë dhe mbi 30 karta SIM të kompanive celulare shqiptare dhe kosovare dhe një sasi e madhe dokumentacioni, si akte shit-blerje partamentesh dhe automjetesh, si dhe dokumenta të tjera të rëndësishme për hetimet. Hetimet janë zhvilluar nga SHÇBA pas dyshimeve mbi aktivitetin e punonjësit të policisë, në bashkëpunim me Task Forcën në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, duke aplikuar metodat special të hetimit. Nga këto hetime rezultoi se punonjësi i policisë Hamëz Demushi, është pjesë e një grupi kriminal, që ushtronte aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike, të të gjitha llojeve e shtrirë kjo në Kosovë dhe Shqipëri. Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi si dhe bashkëpunëtorëve të tij.