E mitura, rrëmbehet, përdhunohet dhe mbyllet në bodrum për 10 ditë

Një 16-vjeçare nga Shkodra, është rrëmbyer dhe është mbajtur e mbyllur për 10 ditë në një bodrum në Qytetin Studenti, ku dhe është përdhunuar.
Policia e Shkodrës ka mundur të gjejë të miturën me inicialet M.S., pas denoncimit nga familja e saj për humbjen e vajzës.

Forcat e policisë bënë të ditur se dy djem nga Shkodra, Marash Zojza dhe i vëllai i tij, Lekë Zojza rrëmbyen vajzën me qëllim trafikimin e saj drejt Francës. Qëllimi i tyre ishte shfrytëzimi i të miturës për prostitucion. Ndërkohë që prisnin daljen e pasaportës biometrike, djemtë e kanë mbajtur atë në bodrum në godinën numër 5, në Qytet Studenti.

“Vajza u gjet në gjendje të rënduar psikologjike. Ajo ishte mbajtur e mbyllur në një bodrum për 10 ditë dhe ushqehej vetëm me byrekë dhe senduiçe, të cilët ja çonte 23-vjeçari, L.S. Ky i fundit dyshohet ta ketë përdhunuar atë gjatë këtyre ditëve”, bëjnë me dije burime të policisë.

Ndërkohë e mitura ka thënë se Marash Zojza i kishte premtuar ta merrte për grua:

“Marashi më premtoi se do më merrte për grua. Ai më tha të mos i tregoja asnjë njeriu. Më premtoi se do të shkonim në Tiranë, sa të bënim dokumentet dhe më pas do të jetonim jashtë shtetit. Por kur mbërritëm në Tiranë, ai më mbylli në bodrum dhe më torturonte”, mësohet të ketë deklaruar në polici e mitura.

Policia ka bërë të mundur gjetjen e të miturës, në sajë të përgjimeve të Lekë Zojzës, i cili është arrestuar.