Dyfishohen mëditjet e deputetëve

Gazeta Fjala ka siguruar  projekt-ligjin për pagat me të cilin Qeveria e Kosovës synon t’ua dyfishojë mëditjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Rritje prej 20 për qind të pagëz bazë është propozuar si në rastin e mëditjeve për seanca parlamentare dhe ato për mbledhjet e komisionëve.

Nëse projektligji miratohet në formën aktuale, atëherë një deputet i Kuvendit të Kosovës do të marrë meditje 297 euro për pjesëmarrje në seancë parlamentare dhe po kaq për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve.

Llogaritur edhe me pagën bazë prej 1488 euro dhe mesataren prej dy seancave në muaj, me këtë projektligj një deputetë do t’i marr gjithësej 2 mijë e 88 euro në muaj, pa përfshirë këtu kompensimet seancat e jashtëzakonshme dhe ato për mbledhjet e komisionove parlamentare, me të cilat të hyrat e deputetit mund të kalojnë  deri në 3 mijë euro për muaj.

Kjo është dyfish më shumë sesa shuma që deputetët kanë marrë me vendimin e deritanishëm të Kryesisë së Kuvendit nr. 03-V-243 për kompensime mujore.

Me këtë vendim për një seancë parlamentare një deputet ka marr mëditje në vlerë prej 120 euro, derisa 80 euro tjera për një mbledhje të komisionit.

Detajet e projektligjit

Ndërkaq, me Projektligjin për pagat që tashme ka kaluar në Qeveri dhe pritet t’i shkojë Kuvendit për miratim, rritja e propozuar për mëditje është 20 për qind e pagezë bazë.

Në nenin 18 të këtij projektligji, ku flitet për kompensimet, është shtuar edhe një pikë e cila flet konkretisht për kompenzimet e deputetëve.

Kjo pikë është nenvizuar me ngjyrë të kuqe si “propozim që do të diskutohet në seancën e Kuvendit, kur do të shkoj për miratim ligji”.

“Kompensimet për pjesëmarrje në seanca dhe komisionet parlamentare për deputetët deri në 20 për qind të koeficientit të pages bazë”, thuhet në piken 1.9 të nenit 18 të këtij projektligji.

Shpenzime tjera për shujtë e udhëtim

Deputetët përpos pagës mujore prej rreth 1.500 euro, 240 euro në muaj për pjesëmarrje në seanca plenare, mëditje për pjesëmarrjen në mbledhje të komisioneve, deputetët marrin edhe para për shujtë dhe shpenzime të rrugës, diku mbi 300 euro.

Kjo është rregulluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, në të cilën parashihet kompensimi për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje të deputetëve në punimet e seancave plenare dhe në komisione nga 10 euro deri në 30 kilometra, kurse nga 20 euro deri në 60 kilometra dhe 30 euro më shumë se 60 kilometra.