Duka: Ishte një pamundësi e lojtarëve tanë për të luajtur dhe jo refuzim

Kombëtarja shqiptare nuk refuzoi të luante, por një gjë e tillë nuk ishte e mundur. Në intervistën dhënë për CNN, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka mohoi deklaratat duke i quajtur “produkt të fantazisë”.

“Futbollistët shqiptarë nuk refuzuan të vazhdonin lojën pas largimit nga fusha. Ekipi shqiptar kurrë nuk refuzoi të rinisë ndeshjen. Ata deklaruan se ishin fizikisht dhe mendërisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli. Nuk pendohemi për një vendim që nuk e kemi marrë”, deklaron Duka.

Presidenti i FSHF thekson se nuk iu drejtua në asnjë moment alternativa që ndeshja të rifillonte pa tifozë.

“Nuk ka asnjë referencë në raportimet zyrtare se boshatisja e stadiumit ishte mënyra e duhur për të rivendosur kushtet e sigurisë. Nëse sipas mendimit të zyrtarëve të UEFA, kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë, ata duhet të boshatisnin stadiumin, pastaj të rifillonte ndeshja dhe të ftoheshin lojtarët shqiptarë në fushë, nëse i konsideronin të aftë për të luajtur”, tha Duka.

Armando Duka thekson sërish për CNN se Federata Shqiptare e Futbollit, do apelojë kundër vendimit të UEFA-s, pasi “dënimet nuk janë proporcionale”.