Drejtoresha e Bankës Botërore: Kur erdha në Tiranë, pashë një transformim të thellë

Gjatë zhvillimit të Konferencës së Donatorëve, të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe UNDP, pjesëmarrësit nuk nguruan të shprehnin vlerësimet e tyre për zhvillimin e qytetit. Një prej personave të pranishëm në këtë konferencë ishte dhe drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Europën dhe Azinë Qendrore Ellen Goldstein, e cila shprehu përpara të pranishmeve mbresën që i kishte lënë zhvillimi i Tiranës. 

“Udhëtimi dikur ka qenë i tmerrshëm, 12 orë nëpër rrugë dhe fshatra që të dukej sikur ishe në mesjetë, tani ishte aq e mirë sa më zuri gjumi, kur u zgjova isha në Tirane dhe pashë një shenjë që u thoshte atyre që të respektonin biçikletat. Tirana ka patur një transformim të thellë, duke u bërë një qytet i gjallë’’, tha Goldstein.

Ajo tha se po merren disa hapa në drejtimin e duhur, siç është përpjekja për të rritur hapësirën e gjelbër, përgjegjësinë dhe transparencën e pushtetarëve për ta bërë Tiranën një qytet më përfshirës ku qytetarët të punojnë krah për krah me administratën.

“E kam njohur z. Veliaj kur ishte ministër dhe kam kënaqësi të them se ekipi i tij po çon përpara këtë vizion për të ardhmen e Tiranës dhe në themel të këtij vizioni është dëshira e tij që të sigurojë rezultate të prekshme për qytetarët e këtij qyteti, përmirësimi i infrastrukturës, uji, kanalizimi, heqja e mbeturinave dhe t’i bëjë këto sipas standardeve evropiane, për të promovuar biçikletat dhe jo makinat”, u shpreh Goldstein

Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Europën dhe Azinë Qendrore, komplimentoi zhvillimet e rëndësishme të Tiranës dhe Shqipërisë.