“Ditë kafenesh”

Nga Leonard Veizi

2015-ta ishte një vit i mbarë për shqiptarët e administratës. Tym fare. Dhe kjo mbarësi filloi që prej datës 1 janar që në kalendar shënohet me ngjyrë të kuqe. Pra pushim. Është njëlloj si të futesh me këmbën e djathtë në shtëpinë e re që të të eci mbarë. Lere pastaj kur dita e parë e pushimit shoqërohet edhe me ditën pasadhëse.

Se pas kësaj vijnë beneficet e tjera pa kursim: 14 ditë festash pushim, nja 20 ditë pune që merren si “leje e zakonshme” dhe 104 ditë fundjava. Këtu po kursej të numëroj dhe ca bishta, si në rastin e dëmshpërblimit shtetëror që sakrifikon ditën e hënë nëse një festë qëllon të bjerë në ditën e pushimit zyrtar, por edhe festat e 7-8 marsit që  bëhen “de facto” pushim edhe pse nuk janë shënuar me të kuqe në kalendarin zyrtar.

Pra me një llogari të thjeshtë ndër 365 ditët kalendarike të vitit, nja 145 prej tyre kalohen në relaks të plotë, apo duke shëtitur kafe më kafe, për t’u çlodhur e marrë veten.

Nejse, kur t’i jep qeveria ditët e pushimin s’ke pse të mos ia marrësh më gjumë. Veç ne je idiot e të bësh të kundërtën. Apo më keq akoma, si dikur, të ngrihesh në mbledhjen e kolektivit për të rritur normat. Deri këtu nuk mund t’i hash haku njeriu se “të vret Zoti”. Por nëse guxon të thuash me zë të lartë se kjo është disi e tepruar, pasi ka dhe sektorë të tjerë të jetës publike në vend që nuk e kanë një privilegj të tillë, të kthehen plot mllef për të shpjeguar me detaje se, vite më parë, kaq shumë janë lodhur e kanë djersitur duke punuar për të ndërtuar socializmin në vend, me të “diela vullnetare” e “ditët e Enverit”, dhe nuk doli kërkund ndonjë gjë e hajrit, sa tani e kanë hak që më shumë se një të tretën e vitit ta bëjnë pushim e të mos u lëvizë qerpiku.

Për këtë arsye, dhe jo për punë lekësh e rrogash, se administrata nuk dallohet për norma të larta pagash, shumë nënshtetas të kësaj Republike bëjnë çmos të marrin një pozicion në administratën publike. Përpos kësaj ideja se në zyrat e shtetit mund të punosh sa ta shohësh të arsyeshme e mund të qëndrosh në kafe sa të të dojë qefi është kthyer në një “legjendë urbane” dhe shihet me zili nga pjesa tjetër. Ndërkohë, në raportin “ditë pushimesh – orë pune”, administrata shqiptare ia kalon edhe disa vendeve të zhvilluara perëndimore edhe pse në statistika për nga ecuria ekonomike është e fundit në listë.

Viti 2016 ka po të njëjtin trend, dhe nuk ndryshon aspak nga të mëparshmit, me përjashtim të faktit që këtë herë do të sakrifikohen katër të hëna, meneqëse ca nga festat e zyrtarizuara bien në fundjaven e pushimin. Lum si punonjësit e administratës, se me sektorët e tjerë të punës në vend as që mendohet se mund të ndodhi kështu.

Shkurt ajo që pëlqejnë shqiptarët sot dhe jo vetëm, është: sa më pak kohëqëndrimi në punë dhe ca më shumë se kaq në kafe. Ndaj rradha për të hyrë në një punë shtetërore do jë jetë gjithmonë e gjatë, ndërsa makinacioni për t’u përshtatur si militant i një force politike do të sofistikohet edhe më shumë.