Diskriminimi i gjuhës shqipe, një mentalitet i vjetër ballkanik

Libri “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, i profesor Arsim Sinanit, i promovuar këto ditë në Tiranë prezanton një analizë të problemeve, me të cilat po haset gjuha shqipe në Maqedoni. Sinani i bën edhe më konkrete problematikat e gjuhës shqipe në Maqedoni, nëpërmjet anketave me qytetarët, dokumenteve arkivore dhe pyetësorëve në administrata. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ai ndalet edhe te vendimi i marrë qysh nga Marrëveshja e Ohrit, dhe moszbatimi i saj.

Zoti Sinani, botimi i librit tuaj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni hedh teza konkrete për situatën aktuale të gjuhës shqipe në këtë vend. Por si është aktualisht statusi politik dhe juridik i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë?

Statusi juridik i gjuhës shqipe në Maqedoni pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit është gjuha zyrtare në Republikën e Maqedonisë, por kjo është vetëm në letër. Faktikisht gjuha shqipe mbetet e papërdorshme në institucionet qendrore, sepse kjo pengesë është nga pala maqedonase që ka një alergji të pakuptueshme. Kjo është problematike dhe nuk e kuptoj faktorin politik shqiptar, duke i pasur të gjitha mekanizmat për ta bllokuar punën e institucioneve me parimin e Badinetir, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Realisht gjuha shqipe në Maqedoni nuk është gjuhë zyrtare, por është gjuhë që dëshiron të bëhet zyrtare.

Pra përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe (1991-2001) mbetet ende shqetësues?

Shqiptarët në ish- Jugosllavi gjuhën shqipe kishin mundësi ta përdornin lirshëm pas demonstratave të vitit 1968, ndërsa viti 1974 e këtej shënon përdorim të plotë gjuhës shqipe, si në Kosovë, Maqedoni dhe në hapësirat e tjera ku jetonin shqiptarët. Problemi paraqitet me pavarësimin e Maqedonisë, nacionalistët maqedonas arritën që me ligje nacionaliste gjuhën shqipe ta përjashtojnë nga përdorimi, edhe gjuhën e tyre dhe alfabetin qirilik ta bëjnë të vetmin të përdorshëm në Maqedoni. Ky do thoja ishte një hendikep i madh për shqiptarët të cilët iu kundërpërgjigjën klasës politike maqedonase dhe Akademisë së Shkencave të saj, duke e krijuar Universitetin e Tetovës, i cili u bë simbol i ruajtjes së kulturës, arsimit, dokeve, zakoneve dhe qenies shqiptare në Maqedoni. Qeveritë në Maqedoni erdhën e shkuan nga Partia e Prosperitetit Demokratik e deri te Partia Demokratike Shqiptare, por problemet me gjuhën shqipe dhe me arsimimin mbetën të pazgjidhura. Momenti më interesant do thoja ishte në përvjetorin e gjashtë të themelimit të Universitetit të Tetovës, kur lideri shqiptar që merrte pjesë në pushtetin maqedonas, Abdyrahman Aliti, e lëshoi sallën e manifestimit për shkak se një i ri nga Shqipëria e quajti vëllai i vogël në Shqipërinë lindore, Universitetin e Tetovës. Kjo është tabloja se nga ecnin shqiptarët dhe çka bënin pushtetarët shqiptar. Një mospasje e platformës, por ideja e gjuhës shqipe nëpërmjet universitetit triumfoi, shqiptarët si në legjendën e Rozafasë kur pushteti ditën ua prishte godinat ku mësonin studentët, ndërsa çdo shqiptar e hapte shtëpinë dhe Tetova u bë vendi me më së shumti mësonjëtore. Të gjitha shtëpitë u shndërruan në mësonjëtore. Këtë betejë e humbi pala maqedonase bashkë me shqiptarët që për pak gjë na shisnin lirë në tregun politik maqedonas.

Nga anketat që keni realizuar, sa respektohet përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e RM-së?

Përdorimi i gjuhës shqipe nuk respektohet nga institucionet e Republikës së Maqedonisë. Fajin kryesor e kanë dy partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH, që me paaftësinë e tyre nuk arritën që ta jetësojnë përdorimin ne gjuhës shqipe. Duke pasur disa parime thelbësore se nga duhej të lëvizej gjuha shqipe në Maqedoni ata bënin tregti të lirë me zyrtarët maqedonas në Shkup. Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe sot nuk ka një strategji veprimi dhe vepron në bazë të dëshirave të njerëzve që e drejtojnë. Realisht mendoj se me Kushtetutë do duhej të rregullohej dhe gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, sepse kështu jemi marrë vesh me palën maqedonase në tavolinën e negociatave në vlug të luftimeve të vitit 2001.

Po në praktikat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, si trajtohet kjo çështje?

Ne kemi pasur një kryetar të Gjykatës Kushtetuese, z.Mahmut Jusufi, i cili dha dorëheqjen bashkë me anëtarin tjetër, profesor Bajram Pollozhanin, sepse nuk pranuan që flamuri shqiptar të pësojë ndryshime në madhësinë e tij. Gjykatat në Maqedoni janë të politizuara dhe realisht maqedonasit i kontrollojnë, ndërsa shqiptarët nuk kanë fuqi që të bëjnë diçka më shumë për shkak të fuqisë së dobët në ekzekutiv. Gjykata kushtetuese e Maqedonisë nuk e respekton përdorimin e gjuhës shqipe, por mendoj se do vijë një ditë që kjo gjë të ndryshojë.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, çfarë statusi i ka dhënë gjuhës shqipe dhe si është zbatuar deri më tani?

Marrëveshja e Ohrit i ka dhënë gjuhës shqipe status të përdorimit të lirshëm, por ka disa kufizime e këto janë: gjuha shqipe lipset të përdoret aty ku ka 20 për qind shqiptar, kjo është një padrejtësi, e cila i bëhet gjuhës shqipe. Mendoj se gjuha shqipe me Marrëveshjen e Ohrit butë është bërë gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe pala maqedonase lipset ta respektojë këtë vullnet të shqiptarëve, si bashkësia më e madhe në vend.

Diskriminimi që i bëjnë gjuhës shqipe është absurd dhe është një mentalitet i vjetër ballkanik. Nuk e kuptoj si do të hyjë Maqedonia në Europë, kur aty ka mbi 40 gjuhë që përdoren, ndërsa e pengon përdorimin e gjuhës shqipe. Këto janë hipokrizi që i ka pala maqedonase dhe kjo është pengesa. Maqedonasit nuk kanë vullnet të mirë. Vullnet të mirë kanë vetëm t’ua marrin paratë shqiptarëve, që janë diku afër 1 miliard në vit.

Ligjet për gjuhën shqipe

Profesor Sinani mendon se Maqedonia është vend specifik, prandaj për të nuk mund të merret ndonjë model për bazë, por gjuha shqipe duhet të jetë krahas gjuhës maqedonase dhe të përdoret në të gjitha nivelet, paralelisht. Sipas tij, sot, sipas kësaj logjike, shqiptarët në qytetet si: Ohri, Manastiri, Prespa, Prilepi nuk mund ta përdorin gjuhën shqipe pikërisht për shkak të kësaj barriere që mendoj se qëllimisht e ka vënë pala maqedonase.

Ligjet për përdorimin e gjuhës shqipe 2008 2011 çfarë propozojnë?

Në praktikë u pa se marrëveshja e Ohrit e ka hapur kutinë e pandorës dhe përdorimi i gjuhës shqipe kishte pengesa sistemore. Pengesa, të cilat u paraqitën në momentin e përdorimit. Këto përmirësime janë bërë për shkak se kishte pengesa, por mendoj se edhe më tej do duhej të avancohet, sepse gjuha shqipe nuk është plotësisht e përdorshme.

Po nga modelet e përdorimit të dy gjuhëve në vende të ndryshme. Cilën do të propozonit si më të favorshme për Maqedoninë?

Maqedonia është vend specifik, sepse aty ka dy komunitete me shumicë, këta janë shqiptarët dhe maqedonasit. Mendoj se si vend specifik që është nuk mund të merret ndonjë model për bazë, por mendoj se gjuha shqipe lipset krahas gjuhës maqedonase të përdoret në të gjitha nivelet, paralelisht. Për shembull në shumë vende të botës ndodh kjo dhe do e argumentoj. Për shembull, në vendbanimet ku shqiptarët janë nën 20 për qind gjuha shqipe bëhet e papërdorshme dhe këtë pala maqedonase e përdor me kujdes. Prandaj modeli i Maqedonisë do duhej të jetë i veçantë pasi është event specifik. Sot, sipas kësaj logjike, shqiptarët në qytetet si: Ohri, Manastiri, Prespa, Prilepi nuk mund ta përdorin gjuhën shqipe pikërisht për shkak të kësaj barriere që mendoj se qëllimisht e ka vënë pala maqedonase. Modeli i Kosovës, për shembull, do ishte i pranueshëm për shqiptarët në Maqedoni. Llogaritni shqiptarët në këto qytete kanë probleme elementare në shkolla fillore mos të flasim për shkolla të mesme dhe fakultete ku shqipja është gjuhë e ndalur dhe e diskriminuar, ndërsa Maqedonia synon Europën. Absurde besoj.

Tirana është kryeqendra e kulturës dhe politikës shqiptare

Nga sondazhet që ka bërë profesor Sinani arrin në përfundimin se, gjuha shqipe përdoret më tepër në komunikim verbal, ndërsa në nivel zyrtar mbetet lokal. Madje, ministrat shqiptarë e përdorin në këtë formë për shkak të komplekseve që kanë ndaj partnerëve maqedonas. Ndërsa për rolin që duhet të kenë institucionet e shqiptare, ai mendon se Tirana është kryeqendra e Tiranës, prandaj roli i saj lipset të jetë kryesor. Për shqiptarët e Maqedonisë, Tirana mbetet inspirim, pavarësisht problemeve që mund të ketë ata e ndiejnë mbështetjen që mund të japë kundrejt këtij problemi.

Nga sondazhet që keni bërë me qytetarët shqipfolës në Maqedoni. Në çfarë përfundimesh konkludoni?

Po shihet se shqiptarët gjuhën shqipe e përdorin më shumë në komunikimin verbal, ndërsa në komunikimin zyrtar vetëm në nivelin lokal. Në nivelin qendror ka tendenca, por problemi qëndron se ministrat shqiptarë vetë e përdorin gjuhën maqedonase, si një lloj kompleksi që e kanë karshi partnerëve të tyre maqedonas. Ndërsa del se maqedonasit as që duan t’ia dinë për përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e tyre. Kjo flet më së shumti se kemi të bëjmë me dy mentalitet dhe me një nacionalizëm institucional që e kanë ngritur maqedonasit e sotëm.

Dokumentet arkivore, sipas jush, çfarë rëndësie i kanë kushtuar kësaj çështjeje? Ju personalisht çfarë zgjidhje do të sugjeronit ?

Në vitin 1994 Xhosef Diogradi një shqiptaro-amerikan i administratës amerikane ishte në Tetovë dhe ndihmoi në themelimin e Universitetit të Tetovës. Ky person u shpall person non grata nga maqedonasit. Por ai misionin e tij e kreu. Unë kam vendosur disa dokumente që i kam marrë nga ai si një dëshmi për përpjekjen e komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjen shqiptare në Maqedoni. I kam ruajtur këto dokumente, që nga viti në 1994 dhe kam menduar se ato kanë një rëndësi të madhe për shqiptarët. Diogardi realisht na mori në mbrojte dhe unë e çmoj për këtë. Prandaj i kam ruajtur me kujdes. Po ashtu përveç tyre e kam një letër që rektori i ndjerë, Fadil Sulejmani, ia ka dërguar babait tim të ndjerë, Ramdan Sinanit, nga burgu i Shkupit ku i jep instruksione se si të veprohet më tutje. Origjinalin ia kam dorëzuar Arkivave të Shtetit Shqiptar, ndërsa origjinalet e fotografive të themelit të Universitetit të Tetovës Arkivit shtetëror të Kosovës. Dokumentet që unë kam has janë shumë interesante dhe besoj me vlerë historike për shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni.

Dhe së fundmi, a mendoni se për negociatat e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, duhet edhe ndihma e akademikëve apo institucioneve shtetërore të Shqipërisë?

E kam thënë dhe e them Tirana është kryeqendra e kulturës dhe politikës shqiptare, prandaj roli i Tiranës lipset të jetë kryesor. Pse? Sepse partitë politike mund të bëjnë kompromise dhe t’i kënaqin apetitet e tyre, por Tirana është ajo që lipset t’ua ndërtojë me sugjerime rrugën kah lipset të shkojnë. Tirana mbetet një inspirim për ne, pavarësisht nga problemet që ju i keni. Ne e ndiejmë mbështetjen tuaj.

Biografi

Arsim Sinani (1974) ka lindur në Tetovë. Studimet e ciklit të parë i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, pranë Universitetit të Prishtinës. Ka marrë titullin e kualifikimit Profesor. Studimet e masterit i ka përfunduar në Universitetin Mbretëror Iliria në Prishtinë, në Fakultetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Me këtë rast merr titullin Master i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Studimet e doktoraturës i ka regjistruar në vitin 2011 në Institutin për Studime Evropiane pranë Universitetit të Tiranës, në drejtimin Studime Evropiane dhe Integrime Evropiane. Ai ka ushtruar aktivitet si: profesor vizitues; anëtar dhe themelues i revistave akademike-ndërkombëtare: “Diskutime” dhe “Universitas”; themelues dhe anëtar i disa formave të posaçme të organizimit dhe se posedon edhe disa mirënjohje ndërkombëtare. Ka publikuar: “Ballkani nga konfliktet, drejt integrimeve”; “Dialog me dijetarë e pushtetarë”, “Integrimi i Maqedonisë në Unionin Evropian” etj.