Didi: Gjuta-Bruka, përfshirje në shpërthimin te farmacia e Tahirit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi dha informacione të detajuara lidhur me shpërthimet me tritol, të ndodhura më 10 shkurt në kryeqytet. Në një dalje për mediat kryepolici tha se deri më tani nuk janë zbuluar motivet e shpërthimeve, por vetëm personat e implikuar në to. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi sot se katër personat e arrestuar dy ditë më parë si dhe dy të shpallurit tashmë në kërkim janë autorë të shpërthimit me tritol në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si dhe vendosjen e eksplozivit në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Në lidhje me largimin e Baftjar Brukës, pjesë e këtij grupi, i cili mësohet se ka dalë jashtë vendit dy ditë para përfundimit të hetimeve dhe nisjes së arrestimeve, Didi tha se për të shmangur daljen e informacionit nuk ka pasur shtim masash dhe kontrollesh në pikat kufitare. Lidhur me Vladimir Gjutën, kryepolici deklaroi se nuk dihet ende nëse është brenda apo jashtë vendit. Didi deklaroi se lidhur me shpërthimet me lëndë plasëse në vendin e quajtur Rruga “Kongresi i Manastirit” dhe pikërisht në farmacinë e Bashkim Tahirit, në rrugën “Arben Minga” dhe konkretisht në pallatin nr. 46/7, si dhe në afërsi të Urës “Vasil Shanto”, tek stacioni autobuzit të unazës dhe për pasojë në dy rastet e para ndodhën shpërthime, ndërsa në të fundit, shpërthimi mbeti në tentativë, për shkaqe të pavarura nga autorët, akte të cilat sollën si pasojë dëmtimin e pronës private dhe cenimin e rëndë të sigurisë publike, janë siguaruar prova të cilat çojnë në dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë.

Ai bëri me dije se efektivët e policisë më 26 shkurt ekzekutuan urdhrat e Prokurorit të Krimeve të Rënda, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për masat e sigurisë “Arrest me burg për Lumjan (Emiljano) Matmuja, 27 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë, person me precedent kriminal, i dënuar në vitin 2010 me 3 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”; Ernest Gjuta, 24 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë; Kamber Bruka, 31 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë dhe Erjon Dule 33 vjeç me banim në Tiranë. Didi deklaroi se Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi vlerësimin e mases së sigurisë “Arrest me burg” pa afat për personat e shpallur në kërkim Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka. Siç raporton Noa.al, Vladimir Gjuta, 35 vjeç , lindur në Kukës e banues në Tiranë, është person me precedent kriminal, i arrestuar disa herë nga policia në kohë të ndryshme për “Kundërshtim me dhunë të Punonjësve të Policisë, dhe funksionarëve që kryejnë detyra shtetërore”. Gjithashtu, ky shtetas është nën hetim për organizim dhe vendosje të lëndëve eksplozive ndaj shtetasit A.T., në Durrës, si dhe i dyshuar për “Vrasje mbetur në tentativë” në vitin 2013 të një shtetasi në qytetin e Kukësit, si dhe për një sërë veprash të tjera kriminale. 24 vjeçari Baftjar Bruka, lindur në Kukës banues në Tiranë është me precedent kriminal, i hetuar në vitin 2013 për veprën penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim , mbetur në tentativë” dhe “Armbajtie pa leje”. Çështje e cila me pas është pushuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kukës.

Bazuar në hetimet e kryera nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar edhe me persona të tjerë ende të pa identifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e paisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e shtetasit B.T, si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobuzëve në Rrugën “Muhamet Gjollesha”. Lidhur me rastet e shpërthimeve me tritol Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda vazhdojnë hetimet për zbulimin, dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Arrestimi dhe shpallja në kërkim e tyre u bë për veprat penale, “Vepra me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.