Detina Zalli, pedagogia më e re e Universitetit të Harvardit

Nga Fjoralba Hysa

Detina Zalli erdhi në Angli në vitin 1999. Studimet e larta I kreu bashkë me të motrën binjake në universitetin e Sussex-it për mjekësi molekulare. Sot Detina jeton mes Anglisë dhe Amerikës pasi punon pedagoge në universitetin e Harvardit. Vajza nga Shqipëria ndihet sot krenare ndaj kolegëve nga e gjithë bota. Ajo është pedagogia më e re ne Harvard.
Nuk e kishte menduar Harvardin ama studimet për mjekësi në Universitetin e Sussex-it e më pas atë të Leicesterit i kishte me një qëllim rrezegjatë. Në jetë ajo kishte synim të ishte më shumë se vetëm një mjeke e profilizuar. Ajo kishte që herët dëshirën dhe synimin të ishte në majë të profesionit të saj , të kishte zbulimet shkencore të sajat.
Dhe pikërisht këta synime të pa artikuluara më parë e shtynë në fakt 28 vjeçaren nga Shqipëria të konkurojë për të qenë pedagoge në një ndër Universitete më të mira në botë , atë të Harvardit.
“Se kisha menduar Harvardin, aplikova për të parë ku isha. Ishte me tepër një sfidë me veten time. Ata më zgjodhën mua nga 1000 aplikantë. Çdo gjë më vajti mirë që në intervistën e parë që profesorë të Harvardit më bënë nëpërmjet skype-it”.

Untitled-21Ishte fundi i korrikut të vitit 1999 kur dy prindërit e saj dhe ajo me të motrën binjake u vendosën në Angli. Të dy motrat që të vogla ëndërronin të bëheshin mjeke kur të rriteshin. Kështu Detina nisi studimet ne Universitetin e Sussex-it për mjekësi molekulare, gjë që i jepte mundësinë për të vazhduar më tej mjekësi të përgjithshme, ose doktoraturë shkencash në mjekësi. Pas kësaj ajo mbrojti doktoraturën në universitetin e Leicesterit Angli, në shkencat e biologjisë së qelizave molekulare-Biokimi.
Në Harvard Detina po mbron post doktoraturën në proteina të cilat kanë të bëjnë me lëvizjet e qelizave kanceroze me migrimin e qelizave dhe proteinave.
Dhe pas gjithë kësaj rruge të suksesshme që çdo moshatare e saj do te kishte dëshirë të ishte udhëtare në të , dok. Zalli vlerëson si shtysë thelbësore atë të prindërve të saj.
“ Kur filluam të vinim në kopësht në moshën 4 vjeçare prindërit na nxisnin që të mësonim më shumë vjersha dhe këngë se sa shoqet që të ishim të parat. Ky inkurajim u rrit kur filluam klasën e parë dhe për të vazhduar më tej. Kështu që në një fare mënyre na u fut në gjak kjo puna e të studiuarit.”
28 Vjeçarja ka punuar shumë dhe kjo është shumë lehët e kuptueshme që veç punës dhe studimit, ata që e sollën deri në arritje të tilla, ishin me patjetër edhe pasioni, përkushtimi, vullneti, . Sipas saj këta janë armët e suksesit, armë që sfidojnë gjithçka dhe bëjnë që e pamundura të mos ekzistojë.
Fakti që jeton në Amerikë duket se mallin për Shqipërinë tek ajo e ka zëvendësuar malli për Anglinë. Ky është vendi i saj i dytë i lindjes pas Shqipërisë sepse dy prindërit dhe motra e saj e vetme jetojnë këtu. Por edhe pse , për Detinën toka mëmë është shumë e rëndësishme emocionalisht.
“Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që kam kur u tregoj shokëve dhe kolegëve se jam nga Shqipëria. Të gjithë kolegët e mi në punë, japonezë, kinezë,Koreanë,rus, francezë, dhe indianë e dinë historinë e Skënderbeut, madje kanë marrë “inat” një koleg turk për shkak të tij. Shpesh herë kolegët e mi bëjnë shaka duke më pyetur ”Kur do ta takojmë Skënderbeun?”.
detinaKrenaria për vetveten dhe rrënjët e saj, në Bostonin e largët rritet akoma më shumë kur profesorë të dëgjuar anglez, amerikanë dhe të kombësive të tjera e komplimentojnë për arritjet e saj kur mësojnë se ajo vjen nga një vend i vogël si Shqipëria.
Detina ka ardhur e vogël në Angli. Është rritur dhe arsimuar këtu dhe më pas ju drejtua Amerikës për të jetuar e punuar. Një lidhje e mirëfilltë me perëndimin por në brendësinë e saj po aq e ngushtë është edhe lidhja me traditat dhe kulturën e vendit ku ajo lindi, Shqipërinë.
“Si unë, edhe motra ime Argita, nuk e kemi patur aspak të vështirë për të ruajtur traditat e mira të vendit tonë. Mbase kjo sepse të qenurit binjake, nuk na e bënte të domosdoshme shoqërinë me vajza apo djem të kombësive te tjera. Unë me Argitën ishim gjithmonë bashkë dhe vetëm kur unë shkova në Universitetin e Harvard jemi “ndarë” fizikisht. Por një arsye tjetër që ka ndikuar në ruajtjen e atyre vlerave pozitive të traditës tonë ka qenë se familja jone ,babi dhe veçanërisht mami, ishin pak konservator, duke njohur edhe mënyrën e jetës në Angli pothuaj për ditë, krahas mësimeve që kishim për të bërë, duhej të dëgjonim edhe të paktën 30 minuta “moral”(qesh). Ne ndiqnim rregullisht gjithashtu dhe kanalet televizive shqiptare, dhe sidomos programet me tema shoqërore, por edhe muzikë popullore”.
Në Angli Detina nuk ishte shumë e organizuar me komunitet shqiptarësh, ndërsa e krahason këtë me bashkëpunimin dhe mirë-organizimet mes bashkëkombësve të saj në Boston.
“Në Boston ku unë jetoj dhe punoj tani, ka organizim më të mirë të shqiptareve, qofshin këta të Shqipërisë apo Kosovës. Atje ne mblidhemi shumë shpesh. Ndihesh shumë më ndryshe kur bashkëbisedon dhe shkëmben eksperiencën tënde me bashkëkombësit e tu. Do të më vinte mirë që kur të kthehem sërish në Londër të gjeja një ambient të tillë si ky në Amerikë”
Pasi më ka treguar kaq shumë për fillimet, vështirësitë dhe arritjet e saj, Detina ka dëshirën ta mbyllë historinë me një mesazh, ndërsa tregon se është e sigurt se populli i saj është komb i zgjuar, dhe si I tillë, nuk do ti mungojnë kurrë talentet nëpër qarqe botërore.
Mesazhi i 28 vjeçares nga Harvardi, vlen për ç’do lexues dhe të ri/re shqiptare që ka ëndrra si ajo për tu realizuar.
“Dua tu them të rinjve shqiptar në Angli, Amerikë dhe kudo ne botë që asnjëherë të mos e mendojnë veten inferior karshi kombësive të tjera . Duhet vetëm të studiojnë dhe të punojnë fort dhe të jenë ambiciozë në atë që duan të arrijnë dhe kurrë të mos demoralizohen nga një dështim I çastit, por të ri-ngrihen dhe të shohin përpara sepse kanë për të realizuar ëndrrën e tyre. Winston Churchill ka thënë një shprehje të bukur : “Success is when you go from failure to failure withou the loss of enthusiasm”. Njeriu I më I suksesshëm nuk është ai që qëndron gjithmonë lart por ai që kur bie poshtë ngrihet menjëherë. Në karrierë do të ketë edhe momente të dobëta, negative, apo padrejtësira këto gjëra nuk janë gjithmonë te shmangshme, por gjithmonë kur jam gjetur në vështirësi, i kam thënë vetes : -Buzëqesh, dhe puno fort. Koha është shumë e çmuar. Nuk ja vlen ta humbësh”