Deri kur do të heshtet për emigrantët?…

The Albanian

Çfarë po ndodh në Shqipëri?
Është kjo pyetje tashmë e kthyer në rutinë që u bëhet shumë mërgimtarëve shqiptarë në Britani, qoftë nga autoritet britanike apo më gjerë, ku në zona të caktuara të Londrës publikohen shifra e azilkërkuesve shqiptarë që vijë fill pas sirianëve.
Duhet theksuar se azilkërkues janë vetëm fatlumët që “dallga e ikjes” i zuri poshtë moshës 18 vjeç. Natyrisht që pjesa tjetër rri në të zezë, ashtu të fshehur, të padukshëm që mundohen të gjallojnë në ishullin britanik, ku së pari duhet të paguajnë biletën e shtrenjtë një-kalimshe që shkon së fundi deri në £7000 paund.
Nuk është aspak e rëndësishme se cila është përgjigja që marrin për këtë pyetje goxha të vështirë që nga ato që “Londra është atraktive dhe ambasada britanike nuk jep mjaftueshëm viza studimi” e deri të disa që fajësojnë qeverinë…

(Neni 8 1. Republika e Shqiperise mbron te drejtat kombetare te popullit shqiptar qe jeton jashte kufijveve te saj. 2. Republika e Shqiperise mbron te drejtat e shtetasve shqiptare me banim te Perkohshem ose te te perhershem jashte kufijve te vet. 3. Republika e Shqiperise u siguron ndihme shtetasve shqiptare qe jetojne e punojne jashte shtetit per te ruajtur e per te zhvilluar lidhjet me trashegimine kulturore kombetare)

Ka një pyetje esenciale që nuk ka gjasa qoftë edhe teorike që të marrë përgjigje; Deri kur?
Shanset për përgjigje pakësohen akoma më shumë kur kihet parasysh se ishulli vazhdon të mbetet “molla e ndaluar” dhe ideja që “në Angli mund të bëhet lehte paraja” ka yshtur mijëra mërgimtarë të pastabilizuar në shtete të tjera…
Nga raportimet e policisë britanike, javë pas jave për kapjen e kamionëve që sjellin emigrantë shqiptarë, nuk ka asnjë shenjë që ky numër është reduktuar sadopak .
Si pasojë e mos-rregjistrimit tek autoritetet britanike nuk ekziston asnjë statistikë për numrin e shqiptarëve në Britani. Shifra të përafërta flasin se po i afrohet 300 000, të paktën çerek milioni…
Ka një veçantësi Britani, se në numrin e të ardhurve nuk mund të përfshihen “shqiptarët e Greqisë” pasi ata kanë të drejtën e hyrjes dhe të punësimit në ishull, madje ata konsiderohen si më fatlumët.
Shifra gati e frikshme prej cerekmilioni shqiptarë në Britani (duke përfshirë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike) shtron domosdoshmërisht idenë e një platforme të shtetit për këta mërgimtarë.

***
Së fundi në shtypin shqiptar u shtruan çështje shumë të ndjeshme lidhur me refugjatët sirianë, me mundësinë për t’ua hapur dyert, për t’i ndihmuar dhe absolutisht kjo është gjë shumë e mire, madje mund konsiderohen si iniciativa shumë të mrekullueshme, sidomos kur parashtrohen nga shoqëria civile që dëshmojnë një akt tepër human.

 

Por a kemi dëgjuar ne për ndonjë platformë nga pushtetarët shqiptarë në lidhje me “këta të ikurit” që herë i quajmë refugjatë, herë emigrantë, e ndonjëherë bashkatdhetarë?
Fatkeqësisht jo. Mund të konstatohet lirisht një dallim shumë i madh mes trajtimit që qeveria e Prishtinës u bën mërgimtarëve në krahasim me atë të Tiranës. Të paktën Prishtina ka edhe një Ministri për diasporën, të paktën u kërkon atyre të regjistrohen dhe u ka siguruar të drejtën e votës…
Spektatorë…
Tirana vazhdon akoma të bëjë ndonjë deklaratë për emigrantët pa përmendur rastet kur ata poshtërohen në mënyrën më të turpshëm.
Nuk do të ishte e tepërt të ritheksohet neni numër tetë i kushtetutës së Shqipërisë, për të vetëdijesuar klasën politike shqiptare se është detyrim kushtetues mbrojtja e interesave të emigrantëve shqiptarë.
Po a mundet që shteti shqiptar të mbrojë këto interesa të shqiptarëve të ikur… të larguar…
Nëse e marrim Londrën kohë më parë ka qenë Ministri i brendshëm z.Sajmir Tahiri që u kërkoi autoriteteve britanike që të shkurtoheshin procedurat për azil dhe të ktheheshin të ardhurit. Qeveria shqiptare nuk e njeh ambasadorin, (se ka njollë në biografi…mjafton mbiemri Berisha) dhe punon me lobim, madje duke i hequr edhe shoferin duke u shndërruar në rastin më unikal në historinë e diplomacisë shqiptare, dhe një rekord të zi pasi nuk ka ambasador në Londër qoftë edhe nga vendet e Afrikës që nuk ka makinë…
Vërtet kush do të mbrojë interesat dhe të drejtat e këtyre shqiptarëve? Qeveria duket se është shumë e zënë me ca reforma dhe kjo puna e emigrantëve nuk është në rendin e ditës…muajit… vitit…
Thuajse rrallë ose hiç mund të jetë parë ndonjë shkëndijë nga ndonjë “shoqëri civile) duke përjashtuar ndonjë analist apo opinionbërës qoftë edhe të ketë ngritur për diskutim çështjen e emigrantëve. E nëse kjo dikujt mund t’i duket sikur të kërkosh qiqra ne hell… duhet mirëkuptuar por ata që janë këtej e dinë çdo të thotë të jetosh në të zezë. E dinë çdo të thotë të kesh vite e vite që rri i fshehur, me shpresën se një ditë do të bëhet mirë dhe do të kthehen në mëmëdhe. E dinë çfarë do të thotë të kesh dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite pa parë të afërmit e tu, që të mos kesh shanse të imagjinosh të kërkosh një të drejtë nga shteti britanik, pasi për të ti nuk ekziston, je thjesht një i huaj në të zezë që duhesh kthyer andej nga ke ardhur…
E natyrshëm më kot mund të rikujtojnë nenin tete të kushtetutës, thjesht mbesin me shpresën se një ditë dikush mund të kujtohet edhe për ta… të paktën le ta nisin me regjistrimin e tyre.
Sa fëmijë lindin në diasporë dhe nuk regjistrohen si shtetas shqiptarë.. eh sa shumë pyetje shtrohen…
Emigrantët shqiptarë akoma nuk e kanë të drejtën e votës, as të zgjedhjes as të të zgjedhurit… dhe…me siguri…kurrsesi nuk mund të zënë vendet e disa deputetëve me “background” emigranti…