Demokratët revoltohen me ‘Pezën’, Rama rikthen ligjin për dekoratat

Festimet e Pezës kanë shkaktuar sërish zemërim mes demokratëve.

Prania e portretit të diktatorit Enver Hoxha në këto festime është shkak i këtyre reagimeve.

“Në Pezë përdhoset flamuri i kombit,” shkruan Sali Berisha.

Ndërkohë misma e dikurshme e kryeministrit Rama dhe deputetit të PS-së, Taulant Balla për rishikimin e gjithe medaljet dhe dekoratave të dhëna deri më tani, që nuk u votua dot per shkak te mungeses se votave nga ana e LSI-së, pritet të kalojë së shpejti në Kuvend.

Nisma ne fjale, e cila u shoqerua me debat në kohën e propozimit, është pjesë e programit të punimeve në Kuvendin e ri të Shqipërisë, në periudhën 18 shtator-13 tetor.

Propozimi në fjalë erdhi pas përplasjeve për dekorimin e Shyqyri Çokut, torturuesit të at Zef Pllumit dhe prof. Sami Repishtit, e debatit të madh publik qe shkaktoi.

Asokohe, kryeministri Edi Rama së bashku me deputetin e PS-së, Taulant Balla paraqitën nismën në Parlament për të rishikuar të gjitha medaljet e dekoratat e dhëna.

Në të parashikohen rastet se cilët persona nuk e përfitojnë dekorimin e personave që kanë pasur përgjegjësi në ndëshkime dhe në realizimin e krimeve kundër njerëzimit apo gjenocideve.

Sipas draftit, ata që nuk do të dekorohen ose do t’u hiqet medalja ose dekorata në rast se shkelet një nga kriteret e përcaktuara në këtë draft janë personat që kanë kryer krime kundër njerëzimit ose dhe veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë.

“Përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi sipas këtij ligji dhe në rast se e kanë marrë u hiqet, personat të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte; për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë, si dhe personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri në 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet: anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë; drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë; kryetar i Gjykatës së Lartë; Prokuror i Përgjithshëm; kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme; kryetar i degëve të Punës të Brendshme; punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit; bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit ose i favorizuar prej tij; anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve; gjyqtar si dhe prokuror hetues në procese politike”,thuhet në propozimet e Ramës dhe Ballës.

Sipas argumenteve që jep Partia Socialiste ky projektligj është i domosdoshëm, pasi synon të rishikojë kriteret, plotësimi i të cilave bën të mundur mospërfitimin ose heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit të marra në bazë të legjislacionit në fuqi.

Verifikimet do t’i bëjë një komision i posaçëm, ku kryetar do të jetë zëvendëskryeministri.