Debati në PS, si u paqyrua në shtyp

Debati i ashpër në grupin parlamentar të PS dhe akuzat e forta publike të deputetin Ben Blushi ndaj Edi Ramës kanë marrë të gjithë vëmendjen e shtypit të shkruar. Pothuajse! Nga pasqyrimi i asaj çfarë u tha sa me dyer të mbyllura sa publikisht në selinë e PS, që mund të konsiderohet si në një nga momentet më kritike të PS –së në dy vjet qeverisje, ka hequr dorë vetëm gazeta “Shekulli” e deputetit socialist, Koço Kokëdhima.

Këmbëngulja e disa deputetëve që ministrat të japin llogari, akuzat e forta ndaj deputetit Kokëdhima për “privatizimin” e PS –së në jug të vendit ku ai është koordinator dhe deklarata thumbuese Blushit se Rama ka tejkaluar edhe Enver Hoxhën duke mos bërë zgjedhje në PS prej 7 vjetësh, kanë zënë faqet e para të gazetave.

Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Mapo i japin zë si qëndrimit të Blushit, ashtu edhe kërkesës së Arta Dades për të bërë analizën e qeverisë apo shqetësimeve të Fatmir Toçit se Kokëdhima po sillet si “beu” i jugut me partinë, pasi ka më shumë pushtet se Ali Pasha.

Gazeta Shqip e sheh si një shpërthim që paralajmëron betejë në PS atë çfarë ndodhi në grup dhe jashtë tij një ditë më parë.

Për pakënaqësinë që ka shpërthyer tashmë në PS kanë shkruar edhe gazetat pranë qeverisë, si Dita apo Shqiptarja.com. Ndërsa Koha Jonë e Nikollë Lesit thotë se ishte qëndrimi i Blushit ai që e detyroi Ramën të vendosë një datë për mbajtjen e Kongresit, 19 marsin, që u njoftua në mbrëmje nga deputeti Taulant Balla, pasi Rama mblodhi grupin e koordinatorëve disa orë pas debateve në grupin parlamentar.

Jashtë këtij realiteti qëndron vetëm “Shekulli” i Kokëdhimës, deputetit që ishte në qendër të kritikave në mbledhjen e grupit, për modelin që po ndjek për kontrollin e PS. Natyrisht kjo gazetë ka pasqyruar në brendi të saj njoftimin për zhvillimin e kongresit më 19 mars dhe çfarë është bërë për riorganizimin e partisë, duke i dhënë vetes rolin e zëdhënësit zyrtar të shtypit të PS –së, Zërit të Popullit, që nuk shtypet më. Debatin e ashpër në grup Shekulli e trajton si lajm periferik, duke e relativizuar dhe duke i dhënë thuajse të njëjtën hapësirë të një proteste që zhvilluan disa anëtarë të pakënaqur të PS