De Biazi publikon listën për Italinë, 4 lojtarë nga Superiorja

Trajneri Xhani De Biazi ka publikuar listën e lojtarëve, që do të ketë në dispozicion për ndeshjen kualifikuese të 24 marsit me Italinë dhe miqësoren e 28 marsit me Bosnjë Hercegovinën.

Sfida e parë me axurrët do të luhet të “Renzo Barbera” të Palermos, në orën 20:45, në kuadrin e fushatës eliminatore për “Botërorin 2018”, ndërsa e dyta në “Elbasan Arena”, në orën 18:00 dhe ka karakter testues e kolaudues për grupin.

Janë 23 emra në listën e publikuar, mes të cilëve edhe katër lojtarë të Superligës, si Orges Shehi, Alban Hoxha, Albi Alla dhe Liridon Latifi.

Mbetet përfundimisht jashtë Shkëlzen Gashi, edhe Ergys Kaçe, që sipas gjasave e kanë mbyllur aventurën me kombëtaren, sa të jetë trajner De Biazi.

Mungesat në radhët e kuqezinjve për përballjen me fqinjët e përtej Adriatikut janë me peshë.

Portieri Etrit Berisha dhe qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti nuk mund të luajnë ndaj Italisë, sepse janë të pezulluar. Kartonët e kuq që morën të dy në kualifikuesen e fundit në radhë, ndaj Izraelit, i lë ata jashtë përplasjes me të besuarit e Venturës.

Po kështu, mungesë e madhe do të jetë edhe ajo e Mërgim Mavrajt, që është lënduar dhe nuk riaftësohet dot për më 24 mars. De Biazit i duhet të riformatojë prapavijën, ndërkohë që edhe në reparte të tjera nuk ka ndonjë garanci të madhe, për shkak se lojtarët kuqezinj nuk po aktivizohen sa duhet me klubet respektive.